• |
ide | kryesore

Rama po kërkon justifikimin e Hitlerit

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Thuhet se Hitleri, në ditët e fundit të tij në bunker, atëherë kur aleatët po shkatërronin një nga një qytetet gjermane, u tha njerëzve të tij të afërt mes pezmit dhe delirit: “Ky popull nuk më ka merituar mua”.
 
E njëjta sindromë ka kapluar me sa duket edhe Edi Ramën, i cili po tenton t'i paraqesë shqiptarët si të paaftë për të vënë në jetë politikat e tij. Ideja e artikuluar nga kryeministri dhe idhtarët e tij se Rilindja po krijon vende pune, por punëkërkuesit nuk janë në lartësinë e kësaj sfide, është ilustrimi më i mirë i kësaj.
 
Kolazhi i paraqitur dje nga “Opinion”, që i krahasonte fjalët e Ramës me mendësinë e "Koncert në vitin ‘36" dhe argumentat se nuk ka kamarierë, hidraulikë, apo vinçierë të kualifikuar janë vërtetë një mjerim i madh.
 
Miti i shqiptarit dembel, parazit dhe pa profesion nuk mund të shërbejë kurrësesi si një alibi për dështimin e politikave mashtruese për të hapur 300 mijë vende pune.
 
Natyrisht është e kotë t'i hysh një debati serioz për të hedhur poshtë tezat e Ramës dhe të mbështetësve të tij.  Një njeriu që ka filluar të kërkojë justifikime për dështimin është e padobishme t'i përgjigjesh me argumenta. Ai, as nuk do t'i dëgjojë ato.
 
Prandaj është e kotë t'i kujtosh se modeli që jep qeverisja e tij me hajdutë tenderash, me deputetë kriminelë dhe të pashkollë, nuk është një stimulim për punën e ndershme dhe për njerëzit që aspirojnë një karrierë normale.
 
Eshtë e kotë t'i kujtosh, se listat e punësimeve që hartohen në selinë e PS-së dhe nga deputetët e koalicionit (të botuara ekskluzivisht nga Lapsi.al), nuk i shërbejnë besimit se në këtë vend mund të gjesh punë në bazë të meritokracisë.
 
Është e kotë t'i kujtosh gjithashtu se të njëjtët shqiptarë, madje edhe ata që qeverisja e tij po largon me qindramijëra nga vendi, kur shkojnë jashtë, nuk janë më dembelë dhe përtacë, por në kushte normale lirie dhe konkurrence, i shtrohen punës, fitojnë para, mbajnë familjet e tyre dhe në rastet më të lumtura arrijnë edhe sukses.
 
Kështu pra, mjafton ky shembull, për të vërtetuar jo tezën e sotme të Edi Ramës për shqiptarin e paaftë, por atë tjetrën, të disa kohëve më parë, kur ai tentonte të shfajësone me çdo kusht Ilir Metën nga akuzat që i kish ngritur vetë: “Fajin nuk e kanë njerëzit, por sistemi”.
 
Dhe po të përshtasim të njëjtën tezë edhe për punësimimin: fajin pse shqiptarët braktisin vendin, fajin se pse ata shkojnë me prindërit përdore për të kërkuar punë tek selia e PS, pse ata preferojnë më mirë të bëjnë një kurs për numërues votash, sesa një stazh kualifikimi profesional, nuk e kanë të papunët, por sistemi i mbajtur në këmbë nga Rilindja.
 
Natyrisht, të gjitha këto, shumica e njerëzve me mend në kokë i di.  Madje dhe më shumë se kaq. Të pa mësuar me një rol garantues nga shteti i tyre, shqiptarët nuk kanë ndonjë shpresë të madhe për punësim, as tek demokratët as tek socialistët. Ata e dinë se kur vijnë në pushtet edhe njëra palë edhe tjetra, përpiqen të kënaqin vetëm falangat e tyre. Prandaj kërkojnë zgjidhje individuale. Ose përpiqen me aq sa munden të ngrejnë diçka në vendin e tyre (atëherë kur bazhibozukët e financave, OSSH-së, INUV-it, apo banditët e mbrojtur lokalë ia mundësojnë) ose zgjedhin rrugën e mërgimit.
 
Kokëulur dhe të pastërvitur për të kërkuar atë që iu takon, ata ndërtojnë në heshtje fatin e tyre.
 
Një pjesë e madhe as nuk e llogarisin Edi Ramën dhe as kanë besuar ndonjëherë se ai do ua bëjë jetën më të mirë.  
 
Por nëse ata ia kanë dhënë këtë “privilegj” do të qe e tepërt, vërtet e tepërt, që pas kësaj të dëgjonin edhe refrenin se qenkeshin të paaftë t'u përshtaten sfidave që u ka vënë përpara lideri i tyre.
 
Kjo e kalon çdo cak.
 
Sepse kjo mendësi nuk ka të bëjë vetëm me një çështje morale. As me dilemën se kush e ka fajin për dështimin e politikave të punësimit: Rilindja apo shqiptarët?
 
Ajo tregon me shumë.
 
Ajo ngre dyshimin se si do të sillej Edi Rama pas dështimeve të së ardhmes. Mos vallë do të largohet duke përplasur derën dhe duke thënë si Hitleri: “Ky popull nuk më meritonte”. /Lapsi.al/