• |
ide | kryesore

A do ta lejonit fëmijën tuaj të martohet me një rom? Ja si përgjigjen shqiptarët!

I pakategorizuar
marry-780x439.jpg


Romët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese, diskriminim dhe përjashtim social.
 
Edhe pse Shqipëria ka ratifikuar një sërë konventash për të drejtat e njeriut, institucionet shqiptare janë ende shumë larg zbatimit të tyre për komunitetin rom.
 
Historia ka treguar që marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe romëve kanë qenë të largëta dhe të ftohta, duke i konsideruar ata si qytetarë të “dorës së dytë”.
 
Por në ndryshim nga vende të tjera të Evropës, në Shqipëri nuk ka patur konflikte dhe persekutime raciale.
 
Për të kuptuar se cilat janë perceptimet e qytetarëve për komunitetin rom sot, Historia Ime ka zhvilluar një sondazh online.
 
Sondazhi ka qëndruar i hapur për 25 ditë dhe ka konsistuar në pyetje që lidhen me mënyrën e jetesës, edukimit dhe punësimit, përcjellin mediat shqiptare.
 
Ajo që bie në sy nga sondazhi, është se shqiptarët nuk e kanë aspak problem punësimin e një personi nga komuniteti rom apo edukimin e fëmijëve të tyre bashkë me ata romë, por kur bëhet fjalë për ta bërë pjesë të familjes, këtu janë përgjigjur “Nuk do të më pëlqente por do ta pranoja”.

martesa1

Një tjetër e dhënë e sondazhit ku qytetarët duken të painformuar apo “të lëkundur”, është për diskriminim.
 
Të pyetur nëse diskriminimi ndaj komunitetit rom ndodh pa arsye apo ata provokojnë me sjelljen e tyre, 29.03% e personave nuk kanë asnjë informacion dhe 27.96% e tyre mendojnë se romët provokojnë me sjelljen e tyre. Vetëm 43.01% e të anketuarve nuk janë dakord me këtë gjë.
 
Në progres raportin e vitit 2015 për Shqipërinë, thuhet se një nga fushat ku haset më tepër mangësi për respektimin e të drejtave të njeriut është komuniteti Rom dhe Egjiptian. Të gjithë kemi qenë dëshmitarë për karvanin e ngjarjeve të dëbimit të romëve nga banesat e tyre gjatë këtij viti.
 
Romët shpesh jetojnë në banesa informale, pa leje ndërtimi apo dokumenta pronësie, por kjo nuk do të thotë që kanë më pak të drejta se pjesa tjetër e popullsisë.
 
Në tetor të këtij viti, bashkia vendosi ripyllëzimin e zonës së “Liqenit të thatë” duke larguar prej andej dhjetëra familje rome, pa asnjë zgjidhje afatgjatë strehimit. Të njejtin problem e kanë përjetuar edhe familjet rome në zonën e “Selitës” ku do të kalojë Unaza e Madhe e qytetit. Familjet aty jetojnë prej vitesh, por në mungesë të dokumentave të pronësisë, iu është ofruar vetëm dy vite qera, një tjetër zgjidhje jo afatgjatë.
 
Nga ana tjetër ky komunitet nuk e ka të lehtë as mundësinë për të jetuar në banesa sociale. Ata përballen me rregulla të rënduara apo shfaqje diskriminimit kur bëhet fjalë për banesat sociale, gjë që shkakton ndarjen fizike të këtij komuniteti nga mazhoranca.
 
Për sa i përket shkollimit të fëmijëve romë, ndonëse përfshirja e tyre është përmirësuar paksa, sipas të dhënave të fundit, 16.1% e fëmijëve ndjekin arsimin e detyruar dhe vetëm 2.1% e tyre përfundojnë shkollën e mesme. Pas gjithë këtyre fakteve mund të thuhet se intsitucionet shqiptare janë mospërfillës ndaj komunitetit rom.