• |
ide | kryesore

A duhet besuar ende në përrallën Kuq e zi?

Arkiva, Blog
yyy.jpg



Nga Gëzim Sinemati/Ndërsa futbollistët e Kombëtares betohen nga ekrani i televizorit se janë gati për Europianin, dy lojtarët kryesorë, binomi i vërtetë kualifikues, Duka dhe De Biazi, vetëm nëpër foto i qeshin njëri-tjetrit.

Edhe batuta e presidentit për trajnerin italian se e kapi në moshë të madhe Europianin, duket si një asist për të ndezur idenë e dashurisë së munguar.

Sikur De Biazi të kishte kurajë, apo sikur fjalët për të marrë drejtimin e Italisë të ishin të vërteta, shef Armando do të dëgjonte ca fjalë jo të këndshme: “Edhe ju zoti president, siç më kanë thënë kundërshtarët tuaj, keni arritur në moshë të madhe në stadium”.

Më mirë që trajneri preferon të qëndrojë në mbrojtje, siç ndodh në fushë, sepse do të zbulonim se shpirti kuqezi nuk është kaq i bashkuar sa shtiret. Në Francë kanë filluar të numërojnë me frikë ditët që po shpejtojnë betejën e madhe, ndërsa heronjtë tanë kanë bindjen se ajo që do të ndodhë atje do të jetë veçse vazhdim befasues i përrallës kuqezi.

Një përrallë, e cila zbukurohet edhe nga një dialog i spiunuar, sikur Duka i ka thënë Xhanit: “Tani… e ke radhën ti për të bërë gola”.

Një grackë e radhës për trajnerin, kur të gjithë e dimë patologjinë e lojës sonë dhe askush nuk beson se do të harbohemi në sulm, ngaqë nuk kemi çfarë të humbasim. Edhe dy ndeshjet e fundit miqësore, për të cilat as nuk u merakosëm nga tehu i kritikës europiane, shefi dhe trajneri patën shije që i larguan nga njëri-tjetri.

Njeriu i stolit, në të kundërt të opinionit, nuk hezitoi aspak për të vazhduar maratonën e eksperimentit, ndërsa shefi goditi me pambuk kambanën e “alarmit”: Kombëtarja akoma nuk është gati! Një pyetje naive: mjaftojnë ditët e mbetura për të mbledhur mendjen se jemi finalistë dhe duhet të sillemi si të tillë?

Situata bëhet më pak inkurajuese, kur në morinë e problemeve që hasen, del edhe një hall i bukur, tipik për ekipet e mëdha: futbollistët do të marrin me vete të dashurat apo do të mjaftohen me dashurinë e brendshme të grupit? Sido që të vendoset, presidenti dhe trajneri do të provojnë edhe “tangon” e fundit franceze./ Panorama Sport