• |
ide | kryesore

Çfarë na mësuan “Panama Papers”

Arkiva, Ide
slavoji.jpg



E vetmja surprizë e vërtetë e Panama Papers është që nuk të befasojnë aspak: a nuk kemi mësuar pikërisht atë që prisnim të mësonim? Megjithatë, është një gjë të dish gjërat në përgjithësi, dhe tjetër gjë të kesh para syve të dhëna të sakta. Eshtë pak a shumë sikur ti e di që partneri yt seksual argëtohet lartë e poshtë: në nivel koncepti abstrakt e pranon, por kur merr dijeni për hollësitë, kur të krijohet një ide shumë e qartë e asaj që po ndodh, dhimbja të godet në mënyrë të padurueshme. Praktikisht, me Panama Papers, kemi parasysh pamjet e ndyra të pornografisë financiare. Dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk dimë gjë.

Jemi përballë cinizmit të paturp të rendit global ekzistues, përgjegjësit e të cilit imagjinojnë se besojnë vetëm në idealet e demokracisë, të respektit të të drejtave të njeriut e kështu me radhë, dhe përmes zbulimeve si ata të Uikileaks dhe Panama Papers, turpi (turpi ynë, për faktin që lejojmë t’i nënshtrohemi një pushteti të tillë) bëhet edhe më poshtërues, kur publikohet.

Një vështrim i shpejtë i Panama Papers zbulon dy faktorë që spikasin në krahasim me pjesën tjetër, njëri pozitiv dhe tjetri negativ. Pozitivi është solidariteti total i pjesëmarrësve: në botën e errët të kapitalit global jemi të gjithë vëllezër, bota e zhvilluar perëndimore është e gjitha e pranishme, duke përfshirë edhe të pakorruptuarit skandinavë, dhe të gjithë I shtrëngojnë dorën Putinit dhe presidentit kinez, Xi. Ja pra, kjo është vërtetë mbretëria e multikulturalizmit, në të cilën të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë janë të ndryshëm. Aspekti negativ është mungesa vetëm e SHBA, gjë që duket se u jep të drejtë pohimeve të rusëve dhe kinezëve, sipas të cilëve në investigim kishte interesa politike të caktuara.

Atëherë, çfarë duhet të bëjmë tani me këto të dhëna?

Reagimi i parë është shpërthimi në një zemërim moralist. Dëgjojmë të përsëritet: Eshtë e rëndë. Sa shumë lakmi që ndihet vërdallë… Ku kanë përfunduar vlerat e shoqërisë sonë?”

Ajo që duhet të bëjmë, është që të ndryshojmë diskursin, dhe më shumë se sa për moralitet, duhet që të flasim për sistemin tonë ekonomik: politikanë, bankierë dhe menaxherë, kanë qenë gjithmonë të babëzitur. Cfarë ka sistemi ynë ekonomik dhe gjyqësor, që u lejon atyre të kënaqin babëzinë e tyre, në një shkallë kaq të madhe?

Që nga kriza financiare e vitit 2008, të shumtë janë ata që vazhdojnë të na bombardojnë me urdhëra për të luftuar kulturën e konsumizmit të tepruar, por është një operacion ideologjik: instikti (për t’u zgjeruar) i lindur i sistemit bëhet një mëkat personal. Ndjekin këtë rrugë madje, edhe eksponentë të të majtës.

 

Sot nuk mungon antikapitalizmi: protestat e Occupy kanë shpërthyer disa vite më parë, dhe sot po asistojmë në një përhapje të kritikave ndaj “tmerreve” të kapitalizmit.

Por, në këtë fluks të madh kritikash, ka një kurth: ai që ata nuk e vënë në diskutim, sado i tmerrshëm mund të duket, është konteksti liberal-demokratik i luftës ndaj këtyre teprimeve.

Objektivi është demokratizimi i kapitalizmit, rritja e kontrollit demokratik mbi ekonominë, përmes presionit të mediave, të hetimeve parlamentare, me ligje më të rreptë dhe hetime policore, të kryer ashtu si duhet…

Gabimi që duhet shmangur mishërohet nga një histori (ndoshta e paprovuar) mbi ekonomistin Keinesian të të majtës, John Galbraith: përpara se të nisej për në BRSS në fund të viteve Pesëdhjetë, i shkruajti mikut të tij antikomunist, Sidney Hook: “Mos ki frikë. Nuk do të lejoj të joshem prej sovjetikëve dhe nuk do të kthehem në shtëpi duke pohuar që ata kanë socializmin!” Hook iu përgjigj: “Pikërisht kjo më shqetëson: që ti mund të kthehesh duke thënë se BRSS nuk është socialist!”

Hookun e shqetësonte mbrojtja naive e pastërtisë konceptuale: nëse gjërat shkojnë keq kur i jepet jetë një shoqërie socialiste, kjo nuk ndikon vetë idenë. Do të thotë që thjeshtë nuk e kemi konkretizuar ashtu si duhet… A nuk vërejmë sot të njëjtin naivitet tek fondamentalistët e tregut?

Realiteti që shpaloset nga Panama Papers është ai i ndarjes klasore. Tregojnë se si të pasurit jetojnë në një botë të ndryshme, ku zbatohen ligje të tjerë, ku autoritetet gjyqësore dhe forcat e rendit shmangen dhe jo vetëm mbrojnë të pasurit, por janë të prirura të shkelin shtetin e të drejtës, vetëm e vetëm për të qenë të pajtueshme. Dhe është e vërtetë që jetojmë në një shoqëri zgjedhjesh të rrezikshme, por disa (menaxherët e Uoll Stritit) zgjedhin, ndërsa të tjerët (njerëzit e zakonshëm që kanë kredinë për të paguar) rrezikojnë…

Janë të shumtë tashmë reagimet ndaj Panama Papers nga ana e liberalëve të djathtë, që na ngarkojnë përgjegjësinë për teprimet e shtetit tonë social: duke qenë se pasuritë e mëdha iu nënshtrohen detyrimeve fiskale, nuk të habit fakti që kush i zotëron, përpiqet t’i transferojë në vende ku ngarkesa fiskale është më e vogël, gjë që në fund të fundit nuk është e paligjshme… Sado qesharak të jetë justifikimi, ky supozim përmban të vërtetë brenda dhe ia vlen të nënvizohen dy gjëra.

Pikësëpari, vija që ndan transaksionet ligjore nga ato të paligjshme po bëhet gjithnjë e më e ngatërrueshme dhe shpesh herë reduktohet në një çështje të thjeshtë interpretimi. Së dyti, ata që zotërojnë pasuri në llogaritë offshore dhe parajsat fiskale nuk janë monstra të babëzitura, por individë që veprojnë si persona me logjikë, që përpiqen të vënë në vende të sigurtë pasurinë e tyre. Në kapitalizëm nuk mund të hedhësh tutje ujin e pistë të spekulimeve financiare dhe të mbash fëmijën e shëndetshëm të ekonomisë reale: uji i pistë është në fakt vija e gjakut e fëmijës së shëndetshëm.

*Slavoj Žižek eshte nje filozof slloven i shquar per idete e tij te majta/Newsweek – Në shqip nga bota.al