• |
ide | kryesore

Aventurë/ Një ditë në kanionin e Osumit (Foto+ Video)

Arkiva, Stil
sss.jpg



Kushdo që ndërmer nismën për të bërë tre orë rafting në kanionin e Osumit nuk e di se e gjithë kjo mrekulli mund të mos ekzistonte më. Qeveria shqiptare kishte planifikuar të ngrinte aty një hidrocentral, pikërisht në kohën kur dalldia për ta bërë vendin një superfuqi energjitike në rajon, kërcënoi të gjithë rrjedhat e lumejve të Shqipërisë. Vjosën dje. Valbonën sot.

Këtë fat mund të kishte pasur edhe kanioni i Osumit, por tanimë kjo është një histori e harruar. Mund të thuhet përfundimisht se kjo mrekulli e natyrës shqiptare ka shpëtuar dhe atje në vend të prodhimit të energjisë vazhdon të bëhet raftig.

Çdo fundjavë, nga 80 deri në 100 vetë marrin rrugën (që tashmë është shumë larg kujtimit të xhadesë së dikurshme plot gropa) drejt Beratit, për të kaluar më pas në Poliçan dhe Skrapar.

Rreth 180 Km nga Tirana ia vjeljnë për të mbërritur në një nga vendet më të bukura të Shqipërisë.

Këtë udhëtim bëri këtë javë edhe Lapsi.al. Këshilla jonë është e parevokueshme. Provojeni dhe nuk do të zhgënjeheni aspak.

Proceduara është e thjeshtë. Një klik në faqen albrafting.com. Një një kontakt me email apo telefon dhe gati për aventurë.

Organizatorët ofrojnë 3 paketa. 40 euro personi për ata që mbërijnë vetë deri në kanionet e Osumit. 50 euro për ata që shkojnë deri në Berat dhe 80 euro (kjo është më interesantja) për ata që prenotojnë me një natë fjetje.

Me këtë mundësi të tretë mund të zbarkosh në qytetin e një mijë e një diritareve që të premten, të ngjitesh në kala, të shijosh muzeun (nuk duhet humbur) e ikonave të Onufrit, atë etnografik ku mund të shikosh një shtëpi tipike të shekullit të XVIII, madje dhe të shkosh në atelie, ku jo vetëm shikohet si prodhohet, por edhe mund të shijohet glikoja e famshme beratase e fikut.

“Jemi muduar ti ringjallim këto aktivitete artizanale sepse të ardhurit, turistët shqiptarë dhe të huaj duan të shijojnë gjëra vërtet karakteristike për Beratin” thotë për Lapsi.al, Blerina Ago (foto poshte) një nga organizatoret kryesore të Rafting Albania. Glokoja e fikut ashtu sikurse shumë prodhime të tjera krejtësisht autentike gjenden në darkën e bollshme dhe fine që ofrohet në hotel Castle Park, brenda paketës me një natë fjetje.

Në fakt rilindja e kësaj tradite, asaj të Beratit të vjetër dhe historik është e vetmja mundësi mbijetese për qytetin 2400 vjeçar.

I projektuar në komunizëm si një rreth që do të jetonte përmes punësimit të mbi 10 mijë punonjësve në kombinatin tekstil Mao Ce Dun, qyteti nuk ka mundësi tjetër për ti'a dalë mbanë. Dëshpërimin e tij e sheh në grumbullimet e burrave që mbushin kafenetë duke bjerur kohën me mbllaçitje farash ose për ata më sportivët, me ndonjë lojë me letra.

Pikërisht për këtë mungesë shprese flet edhe një nga nostalgjikët e vjetër të 1001 dritareve, prof Artan Fuga në librin e tij “Rënia e qytetit”. “Qyteti në përgjithësi mbahet pas së kaluarës, pas inercisë. Sot nuk ka arsye të mjaftueshme për të mbijetuar” shkruan ai duke e paraqitur si një lëvozhgë bosh që mbahet me serume, me pensione dhe para të ardhura nga jashtë.

Megjithëatë, Fuga në ndonjë rast sheh dhe shpresë në fund të tunelit. “E kaluara është shpesh e ardhmja e një qyteti…Ka disa qytete me fat sepse thesaret që mbajnë brenda janë të papërsëritshme. Mund të mbijetojnë si relike të së kaluarës. Këtë fat mund të ketë edhe Berati” shkruan ai.

Por ndonjëherë, përpara se filozofët të mendojnë, njerzit e aksionit e kanë hedhur hapin.

Ky është rasti i Zamo Spatharës (foto poshte) këtij fanatiku të hershëm të lundrimit në Osum.

“Kam nisur të mësohem me rëmbimin e këtij lumi që në vitet e fundit të komunizmit” tregon ai për Lapsi.al. Natyrisht jo me gomonet profesionale dhe kajakët që kemi sot. I mbani mend gomat e vjetra të zetorëve. Ato që i rrëmbenim nga kamionët shtetërorë për të shkuar në plazh? Ja, me ato kam nisur dhe unë lundrimin mbi këtë lum” thotë ai duke trguar Osumin që gjendet poshtë (video e parë poshtë).

Ai tani qëndron në një nga sallat e hotetlit të tij Castle Park (poshtë darka e servirur në hotel) ku janë mbledhur ata që do të bëjnë Rafting të nesërmen.  Ai nuk ngruron ti tregojë atyre që do të vozisin bashkë me të, historinë e tij aspak të zakonshme.

Ai qe një nga të parët që u largua nga vendi kur u hapën kufijtë. Mori anijet dhe përfundoi në Itali. Por në zonën ku filloi të punonte pa se ç' potencial të madh mund të kishte për qytetin e tij rafting. Pasi mblodhi disa para u rikthye në Berat. “Kur i propozoja njerzve të bënin rafting më merrnin për të çmendur” thotë. Por ai vazhdoi me fiksimin e tij. Klientët e parë ishin të huajt, diplomatët, ata që punonin në organizatat ndërkombëtare. Kur na pyesnin pasi kishin kaluar me ne kanionin e Osumit se si mund të na ndihmonin, u kërkonim vetëm një gjë –tregon ai- vetëm flisni për këtë mrekulli”.

Dhe kështu fjala u hap dalë ngadalë. Sot nga mbi 3 mijë njerzit në vit që e provojnë këtë aventurë, gjysma janë shqiptarë. “Raporti ka ndryshuar në vite sepse fillimisht 90% ishin të huaj. Por tani fjala është hapur nga të gjithë që mbeten të mrekulluar nga kjo eksperiencë. Do ta shikoni nesër” thotë Zamo.

Të nesërmen duhet rreth një orë e gjysëm me furgon për të mbërritur deri tek pika ku nisen gomonet. "Ky fluks turistësh vendas dhe të huaj mund të ishte një mundësi e artë edhe për vendasit e Skraparit. Për hotelerinë, restorantet e vogla, dyqanet – na thotë shoqëruesi ynë- Por çuditërisht njerzit këtu janë ende armiqësorë. I shohin të ardhurit si pushtues. Më mirë preferojnë të zënë ndonjë mik për të siguruar punë në Tiranë, sesa të përpiqen për të ringritur këtu ekonominë e tyre”.

Megjithëatë, njerzit jo gjithmonë janë pjella të natyrës që i rrit.

Me të zbritur në kanion prek fantastiken. Peisazhi është mahnitës. Ujvarat prrallore. Rrjedha e Osumit, që ndoshta adrenalinën e ka me pikatore, por peisazhet i ka të denja për të marrë frymën, është një eksperiencë e papërsëritshme.

Tre orët e udhëtimit, që mund të marrin guximin ti bëjnë edhe burra dhe gra pa ndonjë përgatitje të veçantë fizike ia vjejnë pa diskutim.

“Kanionet e Skraparit një eksperiencë e re e Shqipërisë magjike” shkroi Edi Rama në llogarinë e tij në Twiter pasi bëri këtë udhëtim, kujton një nga shoqëruesit. Kjo është mbresa e gjithëkujt që e ka kaluar atë. Kjo është edhe përshtypja e udhëtimit që kreu Lapsi.al.

Ndoshta i vetmi difekt i kësaj aventure në natyrë është se po në qiell të hapur turistët e kanioneve të Skraparit duhet të veshin përpara udhëtimit dhe të zhveshin pas tij, robat e tyre civile.

Por, shumë shpejt ndoshta që sezonin a ardhshëm – thotë Zamo Spathara – do të kemi të ngritur një qendër. Flitet për një ish repart ushtarak që federata e raftingut që ai drejton me ndihmën e shtetit dhe të fondeve private do të rehabilitojë për ta shndërruar në një qëndër të vërtetë sportive (shiko videon e dytë poshtë).

 Eshtë vërtet një projekt ambicioz. Madje edhe i kushtueshëm. Por ashtu sikurse thonë njerzit që në fund të viteve ’90 patën çmendurinë të investonin në aventurën e Rafting, pa pak delir, asgjë nuk është e mundur.

Mjafton që një tjetrër çmenduri, jo nga ato të rrallat që ndërmarin “delirantët”, por nga ato të rëndomtat që prodhojnë njerzit e zakonshëm,  tashmë është evituar. Në kanionin e Osumit, nuk do të ngrihet më kurrë as një digë, as një hidocentral. (Lapsi.al)