• |
ide | kryesore

Sondazhi i NDI/ Vota e korruptuar e shqiptarëve

Arkiva, Ide
bato.jpg



A është shoqëria shqiptare imazhiste? Që jeton nga lajmet e televizioneve dhe që synim ka përfitimet e shpejta? A jemi të manipuluar apo dëshirojmë çdo ditë t'u përngjajmë politikanëve që pasurohen lehtë dhe përfitojnë nga pushteti? Këto janë disa pyteje që duan përgjigje nga sondazhi i fundit i NDI.
E lexova me kujdes sondazhin e fundit të NDI. Hulumtimi i elektoratit shqiptar nuk kishte diçka shumë interesante dhe që mund të befasonte lexuesin e kujdesshëm, edhe për faktin se Shqipëria prej kohësh dallohet për elektorat konservativ.
 
Është i habitshëm fakti se Shqipëria mbetet i vetmi vend në Evropë, që përkundër problemeve serioze në qeverisje, nuk ka shoqëri civile të konsoliduar, protestues dhe sindikata që shprehin pakënaqësinë.
 
Për ata që kanë harruar e nuk e dinë, 60% e elektoratit shqiptar ka përcaktim të qartë për kë do të votojë. Dhe ky elektorat nuk ka ndyshuar gati për 15 vite.
 
Natyrisht, 20% i votuesve në Shqipëri është ose numërohet si elektorat i papërcaktuar dhe mbetet i përqëndruar në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër. Papërcaktueshmëria e elektoratit, zakonisht, rritet gjatë kohës kur nuk ka zgjedhje lokale dhe të përgjithshme.
 
Ekziston edhe një elektorat tjetër që nuk është i interesuar të votojë dhe përfshinë numrin prej 15% të elektoratit të përgjithshëm.
Shifrat e dala nga hulumtimi i fundit i NDI, tregojnë për herë të parë për një paqartësi elektorale.
 
Një pjese të elektoratit, kjo vlen për partitë politike dhe mediat, duhet ta kuptojnë kur partitë, shoqëria civile dhe mediat qartësojnë arsyet pse qytetarët duhet dhe dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje.
 
Fakti se çdo i treti qytetar dëshiron të jetë pjesë e vendimmarrjes pra, çdo i treti qytetar dëshiron të përfshihet në vendimmarrje tregon për potencialin e jashtëzakonshëm partiak dhe politik në Shqipëri.
 
Duhet t’i qartësojmë edhe arsyet pse qytetarët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje.
 
Nëse shikojmë mirë tabelat dhe arsyet e dala nga hulumtimi, mund të konstatohet se modeli politik i krijuar dhe i ndërtuar në Shqipëri nuk ka të bëjë shumë me ideologjinë dhe as më idealizmin për të ndryshuar vendin, respektivisht shtetin.
 
Kur shikohen shifrat e dala në tabela hulumtuese, tregohet se, arsyeja kryesore e angazhimit politik dhe përfaqësimit është e përqëndruar në përkrahje individuale, familjare dhe miqësore. Shteti si koncept nuk duket të jetë pjesë e idesë së përfaqësimit e as ndryshimit, por angazhimi është pjesë e një mentaliteti të ngulitur se politika është vendi ku përfitohet më së shumti. Dhe ku përveç pagës, mund të përfitosh diçka më shumë. Pra kemi një dozë të lartë të percepsionit se korrupsioni është gati legalizuar në mentalitetin e qytetarit.
 
Shifrat që dalin tregojnë se 71.9% hynë në politikë për ta mbështetur familjen dhe miqtë, 2.58% për interesa/ përfitime personale, 3.56% për një çështje të cilën e ndani me qytetarët tjerë, kurse vetëm 37.5% “për një çështje në të cilën besojnë por nuk ka të bëjë me ta personalisht, (pra, për çështje ideologjike).
 
Kjo dëshmon se angazhimi politik konsiderohet si rruga kryesore për sigurimin e mirëqenies dhe përfitimeve materiale për veten dhe familjen. Këto qëndrime janë të lidhura drejtpërdrejt me kulturën e korrupsionit sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me sigurimin e një rroge të thjeshtë, por me mundësinë e përfitimeve dhe mbështetjes së familjes dhe miqve, pra politika konsiderohet si një lloj ombrelle sigurie.
 
Ky është defekti kryesor i kulturës sonë politike pasi edhe partitë e rrezikojnë elektoratin e tyre nëse tentojnë ta ndryshojnë këtë perceptim për politikën. Dmth i përshtaten mentalitetit korruptiv të krijuar prej vitesh nga qeverisja e të gjitha partive politike.
 
Pakënaqësia me Opozitën dhe Pushtetin
Në debatin e fundit në emisionin Opinion, të Blendi Fevziut, ballafaqimi ndërmjet panelistëve ishte i përqëndruar se kush është më fajtor për situatën e krijuar në Shqipëri. Pozita apo Opozita. Në tabelë kishte një përqindje që përcaktonte dy shifra ballafaquese për keqqeverisjen dhe për keqopozitbërjen:
69.3% janë të pakënaqur me punën e Opozitës dhe 56.8% të pakënaqur me punën e Qeverisë.
 
Nëse kjo pyetje ndërlidhet me pyetjen e vullnetit për pjesëmarrje në politikë atëherë mund të ketë logjikë në këto rezultate sepse njerëzit që e shohin pjesëmarrjen në politikë si të dobishme për interesin e tyre personal dhe familjar kryesisht nuk kanë dëshirë të ndryshojë sistemi aktual sepse këtë qëndrim e kanë duke u bazuar në qeverisjen aktuale.
 
Pra, me një Qeveri që është në gjysmën e mandatit dhe pa ndonjë momentum të madh të Opozitës, është e kuptueshme që Opozita të kritikohet. Gjithsesi, ky do të duhej të ishte një alarm për Opozitën.
 
Një disponim i ngjashëm ka qenë edhe në Serbi dhe shikoni çfarë ndodhi javën e kaluar. Aleksandar Vuçiq i fitoi 48% të votave, kurse ish partia kryesore opozitare Demokratska Stranka (Partia Demokratike) fitoi 6% të votave.
 
Çfarë ndodhi me të djathtën?
Në një hulumtim të mëhershëm për të djathtën kishte dalë qartë se çfarë duan banorët e Partisë Demokartike. Në hulumtim, kritika ndaj Berishës shfaqej tërthorazi teksa konstatoheshin frustrime të mëdha me deputetët dhe minsitrat e përzgjedhur prej tij (të cilët përceptoheshin si arrogantë, të konsumuar apo edhe të paaftë); me hapësirën që iu krijua LSI-së në adminstratë; me mospërputhjen mes mesazheve të fushatës dhe shqetësimeve reale; apo edhe teksa në diskutimet për liderin e së ardhmes konstatohej nevoja për lidership më të moderuar dhe përgjithësisht më të ndryshëm prej profilit të Berishës. Përfundimi që mund të nxirret është se tek elektorati i djathtë përgjithësisht dominon njëfarë ndjenje e ambivalencës, ku bashkëjetonin respekti për figurën historike të Berishës dhe realizmi se shumë gabime janë bërë në kohën e tij.
 
Pas zgjedhjeve, në të gjitha debatet në fokus grupe, u konstatua se shkaku kryesor i uljes së votës së djathtë ishte kalimi i një pjese të të djathtëve të pakënaqur drejt LSI-së apo edhe mos dalja e tyre në zgjedhje si rezultat i frustrimeve të shkaktuara pjesërisht edhe nga kontrolli i administratës nga struktura të LSI-së. Perceptimi i përgjithshëm ishte se gjatë mandatit të kaluar LSI-ja kishte marrë nën kontroll pjesët e administratës me më së shumti mundësi për të dhënë favore në nivel lokal, gjë që kishte shkaktuar frustrime te një numër votuesish të djathtë dhe ia kishte dhënë LSI-së mundësinë për t’i shpërblyer votuesit e kampit të saj si dhe ata që pranonin të kalonin votën te LSI.
 
Të djathtët që ikën nga PD kishin një përshtypje dominuese në elektorat se “LSI-ja të kryen punë” dhe se si kjo, bashkë me perceptimin se kalimi i LSI-së në koalicionin e majtë me Ramën do t’ia siguronte kësaj të fundit fitoren, i kishte shtyrë shumë votues të djathtë që të kalonin drejt LSI-së.
 
Një pjesë e të djathtëve po ashtu e shpalosën edhe një perceptim shumë të përhapur se LSI-ja kishte qenë tejet aktive në terren me premtime konkrete për “rregullim me vend pune”, teksa diskutuesit vazhdimisht përmendnin raste anekdotash të akteve të tilla ose në disa raste edhe dëshmonin se atyre vetë u ishte bërë ofertë për të kaluar në LSI.
 
Mbështetësit e të djathtës përgjithësisht konstatojnë se situata në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike pas humbjes është e brishtë, por në përgjithësi ekziston njëfarë optimizmi se e djathta edhe mund të rimëkëmbet nëse gjatë muajve apo viteve në vijim plotësohen disa kushte. Si kusht kryesor përmendet perceptimi i mbështetësve dhe anëtarëve të partisë mbi legjitimitetin e liderit të ardhshëm dhe adresimi i sinqertë i gabimeve të bëra në opozitë përmes një procesi të thellë të analizës. Kërkohet që ky i fundit të mos jetë veçse një formalitet por një proces i sinqertë ku mbi të gjitha duhet dëgjuar zëri i bazës në nivelin lokal. Në perceptimet për të ardhmen e së djathtës, sidomos në mesin e anëtarëve më aktivë, llogaritet edhe në gabimet e pushtetit aktual, ndonëse një pjesë shpreh drojën se shumica e madhe që ka koalicioni PS- LSI është shumë e fuqishme.
 
Pushteti dhe gabimet
Shifra e pakënaqësive për pushtetin, e dalë nga hulumtimi i NDI, 56.8%, është më pak shqetësuese. Sepse opozita arrin kulmin e pafuqisë së saj.
Pushteti i Edi Ramës mund të luhatet vetëm brenda vetes ose duke krijuar një front opozitar të fortë ku përfshihen të gjithë. Shpresat se kjo mund të ndodhë, janë të vogla, pikërisht për arsyet e cekura në analizën e hulumtimit.
 
E para ka të bëjë me mentalitetin, sepse njerëzit që e shohin pjesmarrjen në politikë si të dobishme për interesin e tyre personal dhe familjar kryesisht nuk kanë dëshirë të ndryshojë sistemi aktual sepse këtë qëndrim e kanë duke u bazuar në qeverisjen aktuale ku përfitimi nga ky pushtet është konjuktural, korruptiv dhe i përshtatshëm për këtë elektorat.
 
E dyta ka të bëj me opozitën e dobët e cila nuk sjell shpresë për ndryshime.
 
E treta ka të bëj me një shoqëri e cila nuk reagon për ndryshimin e gjendjes së vet.
 
E katërta nuk ka një lëvizje që e shtyn pakënaqësinë qytetare në katarsisin e radhës. Që në gjuhën politike quhet shkundja e shtetit.
 
Pra, Shqipëria ka kaluar dy fazat e saj si shtet; demilitarizimin e saj, dekriminalizimin që është në fazë të vazhdueshme që nga viti 1997, për të kaluar në fazën e shkundjes së shtetit që do të vijë një ditë dhe pastaj të hyhet në sistemin demokratik funksional ku përfundon edhe periudha e tranzicionit.
Kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve që vinë, kur pushteti i tanishëm, i cili do të jetë padyshim fitues, do të ballafaqohet me arrogancën e vet. Pra edhe me procesin e shkundjes së madhe dhe ikjen e Shqipërisë nga Tranzicioni. Atëherë, një hulumtim për angazhimin politik të qytetarit shqiptar, nuk do të nxjerrë këto rezultate të një mentaliteti që përfitimin e sheh nga politika dhe korrupsioni. Por nga puna e vet, nga barazia qytetare dhe mungesa e dëshirës së pushtetit për të privilegjuar të paaftit.
 
Po vjen koha që qytetarët të zgjedhin demokracinë direkte. Duke mos besuar më te demokracia e partive, do të eksperimentojnë, sa kosto do të ketë se dimë, demokracinë e publikut.