• |
ide | kryesore

Reportazh/Mos e humbni një udhëtim në sekretet e Përmetit (foto)

Arkiva, Stil
16.jpg



Nga Ivana Dervishi / Çadrat e kampistëve kanë mbirë në një fushë të gjelbër në të hyrë të qytetit të Përmetit, ku një grup miks prej rreth 50 aventurierësh shqiptarë dhe të huaj po përkunden rreth flakëve të zjarrit nën tingujt e muzikës “regaton”.

Ahmet Berzani, një 26-vjeçar energjik lëviz nga njëri grup në tjetrin, duke u ofruar turistëve  përshëndetje dhe birrë të freskët. Nga marsi në nëntor, Berzani punon si guidë- një arsye që e mban të lidhur pas qytetit të tij të lindjes, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij që me zor presin të largohen.

“Përmeti ka shumë për t’u ofruar turistëve. Ne po përpiqemi të fusim në listë edhe aktivitetet e turizmit sportiv, si ecja nëpër shtigje, rafting apo ngjitjen në shkëmbinjve”, thotë ai.

Grupi i turistëve është mbledhur në Përmet në kuadër të festivalit të dytë të Climbing në Shqipëri-një risi për vendasit dhe një formë ende e paeksploruar e turizmit të zonës. Ideja për turizmin aventurier në Përmet lindi tre vjet më parë, kur Berzani dhe gjashtë miq të tij kërkuan ndihmën e alpinistëve me eksperiencë për t’u ofruar turistëve një guidë të ngjitjes përgjatë Vjosës.

Berzani beson se aktivitete të tilla janë një leksion i mirë për të rinjtë e zonës.

“Po përpiqemi të bindim shokët se turizmi është shpresa e vetme e punësimit për ta dhe jemi të sigurt se sapo të njihen me përfitimet… ata do të përfshihen,” thotë Berzani me krenari.

Vitin e shkuar, të paktën 8000 vizitorë të huaj vizituan zonën dhe qëndruan në hotelet e Përmetit. Këtë vit, sezoni turistik është hapur më herët se zakonisht. Turistët e parë kanë mbërritur në fund të shkurtit dhe pritet që të fundit të largohen në fillim të nëntorit.

Gjatë një fundjave të nxehtë të fundmajit, dhjetëra pushues kanë kapërcyer urën e Katiut për t’u zhytur në vaskat e burimeve sulfurore, por sportisti i ngjitjes së shkëmbinjve, Scott Titt e sheh këtë vetëm si njërën prej mundësive që ofron kanioni i Lengaricës.

Kurioziteti i Titt për vendin e vogël të Ballkanit dhe shkëmbinjtë e tij u ngjall prej herës së parë që dëgjoi rreth festivalit të climbing në Shqipëri. Ai mbërriti në Shqipëri në tetor 2015 dhe vizitoi pikat kryesore të ngjitjes së shkëmbinjve.

Në maj 2016, ai u rikthye bashkë me vëllanë e tij, Jim dhe me ganxha të shtrenjta që në Shqipëri nuk mund të sigurohen, për të hapur itinerare të reja.

“Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të një familjeje aktive,” tha anglezi Scott Titt për BIRN.

“Ngjitja e një shkëmbi është një eksperiencë fantastike që të sjell shumë kënaqësi dhe unë desha t’i dhuroja amatorëve në Shqipëri mundësinë të njiheshin me këtë sport në vendin e tyre,” tha Scott, i cili në Përmet ka hapur itineraret e Gurit të Qytetit dhe të Petranit, bashkë me Rock Tirana Climbing Gym.

Grupi i të pasionuarve të ngjitjes së shkëmbinjve në kanionet e Lengaricës. 28 maj 2016.

Grupi i të pasionuarve të ngjitjes së shkëmbinjve në kanionet e Lengaricës. 28 maj 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Pasi kanë kapërcyer gurët e mëdhenj të lumit Vjosë dhe kanë ndjerë vrullin e rrymës së ftohtë të lumit deri mbi gjunjë, grupi i aventurierëve fillon kacavjerrjen në faqet shkëmbore vertikale të kanionit të Lengaricës, që arrijnë deri në 30 metra.

Në kanion, anglishtja është gjuha që i bashkon të gjitha kombësitë, ndonëse vështirësitë e ngjitjes shoqërohen me ankesa në gjuhët amëtarë të grupit të turistëve.

Elion Çikopano, një nga organizatorët e festivalit të dytë të climbing dhe 11 persona të tjerë të komunitetit të pasionuar pas këtij sporti, po ndihmojnë pjesëmarrësit të jenë sa më të sigurt. Ai thotë se ndërthurja e turizmit kulturor me atë sportiv dhe historik janë aset i çmuar i Përmetit-një vend ideal sipas tij për festivalin e këtij viti.

“Kombinimi i itinerareve të lehtë dhe të vështirë e bëjë Përmetin vendin ideal për festivalin e këtij viti, pasi ne po synojmë të tërheqim sa më shumë të interesuar nga të gjitha nivelet,” tha Çikopano për BIRN.

11

Kanioni i Lengaricës në Përmet. 28 maj 2016

Pas disa orësh luftë me forcën fizike të trupit dhe anatominë e shkëmbinjve gëlqerorë të kanionit të Lengaricës, të pasionuarit e climbing kthehen plot adrenalinë në qytetin e luleve për të konsumuar byrekun me hislla, sallatën me radhiqe apo japrakët-gatime tradicionale të zonës.

Jessica Rightmyer nga Shtetet e Bashkuara po shijon një vakt përmetar, e kënaqur nga mikpritja e banorëve të zonës. Ajo i është rikthyer ngjitjes së shkëmbinjve pas një lëndimi në vendin e saj, ndërkohë që thotë se në Shqipëri e sollën kërkimet në Google për Ballkanin dhe Climbing.

“Ajo ç’ka e bën eksperiencën e ngjitjes së shkëmbinjve në Shqipëri shumë të veçantë është pasioni me të cilin aplikohet sepse këtu ky është një sport i ri. Në vendet e tjera climbing është zbuluar prej vitesh dhe e ka humbur ndjesinë e kënaqësisë për t’u kthyer në një sfidë”, tha Rightmyer për BIRN.

Jessica mendon se sporti i Climbing të ndihmon të lidhesh me vendasit përmes ndarjes së pasionit të përbashkët, sikurse të mundëson matjen e muskujve me meshkujt. “Mendoj se kjo do të ishte një eksperiencë shumë përfituese për shoqërinë disi patriarkale të Shqipërisë,” thotë Rightmyer, duke falënderuar në shqip për vaktin e shijshëm.

Irma Tako, kryesuese e vullnetarëve të Slow Food Përmet, e lidhur me CESVI

Irma Tako, kryesuese e vullnetarëve të Slow Food Përmet, e lidhur me CESVI

Irma Tako, kryesuese e vullnetarëve të Slow Food Përmet, e lidhur me CESVI, një organizatë në mbrojtje të produkteve tradicionale, bimëve dhe farave të zonës mendon se ushqimi është një nga trashëgimitë më me vlerë, për të cilin ia vlen të ndërmarrësh një udhëtim më vete drejt Përmetit.

“Ne po shëtisim derë më derë për të folur me gjyshet e çdo shtëpie, për të mbledhur sekretet e recetave tradicionale që t’i regjistrojmë ato në arkivin online për brezat e ardhshëm,” tha ajo për BIRN.

“Glikoja është produkti përmetar i mbrojtur ndërkombëtarisht të cilin turistët e preferojnë më tepër, por ne kemi krijuar lidhjen ProPërmet me 37 biznese për të siguruar që turistët të provojnë të gjitha eksperiencat e qytetit, që nga gatimi e deri te fjetja dhe vizitat në pikat më tërheqëse”, shton Tako.

Pas një dite të gjatë dhe argëtuese në kanionet e Lengaricës dhe në Petran, anglezi Scott Titt bëhet gati t’i bëjë një foto njërës prej urave mbi Vjosë, por trishtohet nga ajo që sheh në ujë. Ai mendon gjithashtu se Shqipëria ka ende shumë rrugë për të bërë, në mënyrë që të tërheqë një numër të madh turistësh.

“Këto plehra që pluskojnë në Vjosë janë ato që të trishtojnë, pasi ke kaluar një ditë të mrekullueshme me bukuritë natyrore të Shqipërisë. Duhen gjithashtu edhe shumë investime në infrastrukturë për të lëvizur sa më lirshëm në destinacionet tërheqëse,” përfundon ai. (BIRN)

Ura kryesore e qytetit të Përmetit. 29 maj 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ura kryesore e qytetit të Përmetit. 29 maj 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN