• |
ide | kryesore

Triumfalizmi artificial i Ramës

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Edi Rama është shfaqur në ekrane si triumfator. Pas “JO”-së vetëdiskredituese të PD-së, pas daljes hapur të Bashës, se hallin e ka me ndërkombëtarët dhe jo me qeverinë, pas refuzimit edhe të mundësisë së fundit që zv.sekretarja e shtetit Nuland la në Tiranë, kryeministri ka dalë kryelartë përpara kamerave për të treguar me gisht ata që i tremben drejtësisë së vërtetë.

Me pak fjalë qëndrimi i shefit të qeverisë ka qenë, ai i njeriut që ka fituar betejën publike. Ai i atij që e sheh kundërshtarin në kuotat më të ulta të besueshmërisë, ai i atij që e ka kapur rivalin duke gënjyer, e madje duke pasur si dëshmitar për këtë edhe faktorin ndërkombëtar.

Nga ky piedestal që opozita i fali me naivitet dhe bujari, ai  u rrek të bënte edhe tolerantin. Ai i rihodhi dorashkën Bashës me një ftesë të fundit për reflektim.

Në pamje të parë kjo ishte dita e tij.

Edi Ramës i’u vërtetua teza se Berisha nuk e do me asnjë çmim reformën. Se PD-ja gjen sebepe për të gënjyer ndërkombëtarët. Se pavarësisht nga lëshimet që ka bërë shumica, opozita qe e vendosur për për t'i thënë “JO” mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes së Brukselit dhe Uashingtonit, për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Se deklaratat e Berishës dhe Topallit për një vend sovran ishin vija reale politike e PD-së, kundër asaj që predikonte Basha.

Për të gjitha këto Rama duket në të drejtën e vet.

Frika e paraardhësit të tij se mund të përballej me precedentë si ato të Kroacisë dhe Rumanisë, i bëri atij një dhuratë të çmuar.

Por, pavarësisht nga ky mirazh mashtrues, Edi Rama ka sot pak arsye për të thirrur fitore.

Sepse, përpara se të bëjë njeriun që del në tribunë për të treguar se kishte të drejtë, ai duhet të japë përgjigje për disa pyetje që i dalin menjëherë pas dështimit të mundshëm të reformës në drejtësi.

Nëse kjo, ashtu sikurse duket, ndodh, a do të vazhdojë ai të qeverisë sëbashku me LSI-në? A ka kuptim që ai të mbajë në këmbë të njëjtin koalicion, kur dihet se Meta ka qenë po aq refuzues dhe kundërshtues sa Berisha dhe Basha për reformën?

Po edhe nëse, ashtu siç ka paralajmëruar, do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme a ka kuptim ta bëjë duke ruajtur koalicionin me LSI-në?

A do të vazhdonte ai të pretendonte se do ta reformojë këtë vend duke bërë një kabinet gjysma e të cilit do të ishin sërish armiq të reformës?

Në këtë kuptim, megjithëse sot duket si dita e fitores së tij, ky është çasti kur kreu i socialistëve është më në udhëkryq se kurrë.

Sepse nga njëra anë ai s’ka moral të tregojë me gisht PD-në si armike të drejtësisë dhe të vazhdojë të mbretërojë me votat e Metës që është aleat i Berishës për çështjen e reformës.

Ndërsa, nga ana tjetër, nëse vendos të luajë të virgjërin dhe ndahet me të gjithë politikanët anti reformë, ai rrezikon jo vetëm pushtetin, por edhe gjithë regjimin e tij kleptokratik që sundon Shqipërinë vetëm për të vjedhur.

Pikërisht për këtë dilemë Rama gjendet mat. Sado që të thërrasë fitore, ai është më në hall se kurrë. (Lapsi.al)