• |
ide | kryesore

Rama, zvarritja pas Metës

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET.jpg



Dr Flori nuk është më në këtë botë. Me një overdozë pezmi dhe dëshire për të thënë “Mjaft më”, ai u largua përgjithmonë. Por, refreni i njërës prej këngëve të tij të fundit, “Zëmërthyer”, kushtuar aleancës së turpshme të 1 prillit, rifiton një kuptim të ri. Ato fjalë ende kumbojnë në veshin e gjithëkujt: “Ai që veten tradhëtoi, nuk ka më shpresë për nesër…”.

Sot, kur Ilir Meta po e kërcënon partnerin e tij kryeministër me prishjen e qeverisë dhe krijimin e një kabineti teknik, eko-ja e atij pazari të fëlliqur të tre viteve e ca më parë është më aktuale se kurrë.

Natyrisht, rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti është larg të qenit një fatkeqësi. Megjithëse ai mban përbrenda paqartësinë për të ardhmen, ai do të qe një ndarje e lidhjeve të qeverisë me krimin, një fund i praktikave klienteliste në shpërdorimin e parasë publike, një goditje e pronarëve të ish mediave të Berishës të riblerë me troje ndërtimi, një fund i turpshëm për njeriun që e mbushi parlamentin dhe pushtetin lokal me banditë.  

Por, fatkeqësisht, Edi Rama po shantazhohet sot, jo se është i tillë. Me këtë profil, Ilir Meta e ka pranuar prej tre vjetësh. Bashkë kanë shkallmuar konsensusin e ligjit për administratën publike. Bashkë kanë votuar reformën territoriale si një salamandër elektorale. Bashkë kanë groposur megaskandalin e aferës DIA- CEZ.

Në konsensus të plotë kanë toleruar vjedhjet, abuzimet, përfitimet e njëri- tjetrit dhe bandave që i pasojnë. Në mirëkuptim të plotë i kanë ndarë madje edhe zonat e influencës të trafikut të drogës.

Edi Rama sot po shantazhohet për tjetër gjë: sepse, ndoshta pa dëshirë dhe pa vullnet, po e mban fjalën që u ka thënë ndërkombëtarëve për të miratuar reformën në drejtësi.

Parë në sipërfaqe, duket sikur ai është në anën e mirë të historisë. Sikur ai po i siguron, aq vota sa ka, një projekti të ndërkombëtarëve për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Për të mbyllur kapitullin e gjyqtarëve që marrin para në dorë për gjyqet e pronave në Butrint dhe pastaj amnistohen duke shpallur të pafajshëm politikanët që kapen me bllok në dorë.

E shikuar kalimthi, duket sikur Edi Rama gjendet sot më pranë me vullnetin e shumicës së shqiptarëve dhe koalicioni i vjetër, Berisha- Meta, të cilin e evokoi sot kreu aktual i kuvendit, po luan në dëm të interesit të tyre.

Por ky iluzion nuk është aspak i vërtetë.

Dhe prova për këtë është shantazhi i sotëm i Metës.

Sot lideri i LSI-së nuk foli për shqiptarët. Ai foli vetëm për një njeri. Ai i ra pragut që të dëgjonte dera. Ai i tha Ramës se mund ta rrëzojë nga pushteti. Ai përmendi burgun duke nënkuptuar se kërcënimi është i vlefshëm për gjithkënd. Ai përmendi zgjedhjet duke e kërcënuar se nuk do ta linte t'i vidhte ato me banda.

Ilir Meta përdori sot gjithë armët e mundshme të shantazhit, sepse ai e di se ka përballë një njeri të shantazhueshëm. Se ka përballë partnerin me të cilin janë përgjuar reciprokisht, dinë aferat e gjithësecilit dhe mund ta shkatërrojnë pa droje njëri- tjetrin.

Me tonin me të cilin foli, Ilir Meta, tregoi edhe njëherë se Rama nuk është në gjendje të bëjë asgjë.

Se ai mund të jetë në anën e mirë të historisë, po aq sa mund të jetë një hajdut që ka frikë se e kallzon bashkëpunëtori i tij.

Se ai mund të ketë forcë të reformojë drejtësinë, po aq sa mund ta ketë atë një kandidat për të qenë subjekt i saj.     

E në këtë kuptim, kjo që po ndodh sot, është një pasojë direkte e koalicionit të 1 prillit. Një konseguencë e vendimit për të ardhur në pushtet me ndihmën e Metës dhe të “gjithë qelbësirave”.

Në ditën kur iu desh të vendoste për pushtetin e ri, lideri i PS me sa duket i shkoi për shtat vargjeve profetike të Dr Florit:

Lëpinë aty ku folën, shkelën mbi parime/ Këtu ka vetëm pazare nuk ka më qëllime”.

Edi Rama i la “zëmërthyer” shuma nga idiotët e dobishëm që besuan tek rilindja e tij.

Ai vazhdoi të qeverisë njësoj si Berisha, duke mbajtur në tryezën ovale të kabinetit, gjysmat e ministrave që gjoja luftoi në opozitë.

Prandaj, ai sot nuk mund të bëjë asgjë. Prandaj ai nuk mund të reformojë dot vendin e aq më pak drejtësinë.

Prandaj, ai sot qëndron mbi fron i turpëruar. Madje i përdhosur, kur kujton se për të vazhduar të rrijë, i duhet të përkulet ndaj shantazheve të Metës. Të zvarritet pas atij që nuk e do këtë reformë. (Lapsi.al)