• |
ide | kryesore

Përalla me një super jaht në Sarandë

Arkiva, Blog
Rising_Sun_yacht-701x381.jpg



Përpara pak ditësh, një lajm, i cili në vendet e tjera do të ishte i parëndësishëm, ndezi nacionalizmin dhe krenarinë shqiptare: një superjaht i gjatë 136 metra u ankorua në Sarandë.

Në fakt, superjahti Rising Sun qëndroi vetëm pak orë në brigjet e Sarandës, aq sa iu desh vizitorëve të tij të vizitonin rrënojat arkeologjike të Butrintit.

Disa funksionarë dhe media pro qeveritarë e përshkruan “ngjarjen” si një ndodhi e cila i ka bërë xhelozë grekët në Korfuz, dhe si shenjë e qartë se Shqipëria rilindase po bëhet destinacion për këtë lloj turizmi.

Sipas stilit rilindas, edhe ngjarje të shkëputura, pa asnjë domethënie, janë mundësi e artë për të propaganduar përpjekjet dhe “sukseset” e mëdha të qeverisë edhe pse realiteti në vend është i mjeruar.

Vetëm pak orë pasi superjahti Rising Sun u shfaq në horizontin e Sarandës, ndërsa në Shqipëri po përhapej si rrufe në rrjete dhe media online jehona e këtij suksesi rilindas, ai u nis për atje nga kishte ardhur, në Korfuzi, ku po qëndron prej dy netësh dhe, me gjasa, do të qëndrojë edhe më gjatë.

Sa për xhelozinë e grekëve, duhet të kujtojmë se superjahti nuk ndaloi as për një natë në Sarandë, ndërsa në Korfuz sot, e shtunë, ka të paktën 10 superjahte më të gjatë se 40 metra, dhe një anije gjermane epoke me vela të gjatë rreth 50 metra, e ankoruar pikërisht në krah të Rising Sun.

Edhe nëse drejtimi është ai i duhuri, që mesa duket nuk është, rruga që duhet të përshkruajmë deri sa të xhelozojmë grekët është akoma shumë e gjatë. (exit.al)