• |
ide | kryesore

Pse e larguan nga puna gazetaren Alida Tota. Dhe sulmi i Ramës mbi mediat

Arkiva, Ide
luciano boci.jpg



Alida është gazetarja e fundit në radhën e gjatë të atyre që janë sakrifikuar nga pushteti. E brishtë dhe plot profesionalizëm, ajo është e njohur nga të gjithë për urtinë e dashamirësinë e saj. Sot e kanë flakur në mes të katër rrugëve. Nuk i dhanë asnjë arsye apo justifikim, duke zbuluar gjendjen e frikshme e të qenit gazetar. E flakën  sepse guxoi të ishte gazetare e të pasqyronte të vërtetën. I ra nga pas një afere e cila trazoi shumë emra. Kërkonte të bënte punën e vet, siç kërkojnë me qindra  në Shqipëri. Them kërkojnë, sepse një pjesë e madhe nuk munden ta bëjnë dot.
 
Tek ne ndodh një fenomen i çuditshëm: gazetarët dinë më shumë se ajo çka shkruajnë, apo çka pasqyrojnë. Pjesën tjetër, atë që dinë, e bluajnë së brendshmi dhe që të mos u sjell dëm e konsumojnë shpesh si humor të hidhur, nëpër tavolina. Më të shkathëtit mund ta përdorin momentalisht infon konfidenciale, për të mos e humbur kot, për të marrë ndonjë “favor” të vogël, nga ato që pushteti i shpërndan me pikatore. Por vetëm kaq. Pjesën e luanit dihet që e kanë të tjerë. Ka një handikap shumë të madh gazetaresk në këtë rast. Është problem lirie dhe frike. Pushtetit, liria e fjalës i duket e tmerrshme.
 
Ajo është baras me të vërtetën në opinion. Pushteti mund të falë çdo të keqe siç dhe ka ndodhur për hir të interesave, por nuk mund të përtypë asnjëherë “sharjen” e një gazetari, zbulesën e tij. Aq më shumë kur ky është “zog i vetmuar”, i papërkrahje dhe rob i pasionit të vet, siç dhe ishte Alida dhe siç janë pjesa dërmuese e gazetarëve. Alida dhe të ngjashmit si Alida, simotrat e sivëllezërit e saj, ngjallin frikë, sepse kërkojnë të vërtetën dhe fjalën e lirë. Madje ngjallin tmerr.
 
Ndërsa pushteti frikën e tmerrin e vet, frikën nga e vërteta, kërkon ta kthejë në armën e vet. Ja di efektin asaj dhe rend “ta kapë i pari demin prej brirësh”. Zbaton parimin “frika ruan vreshtin (pushtetin)”. Pas kësaj tenton ta mbjellë atë kudo.  Hapi i parë është “puthja e asaj dore që nuk kafshohet”. Fut në thes me favore ata që kanë në dorë drejtimin e medias, për t’i pasur këta të fundit vetëm një telefonatë larg. Për të tjerët, gazetarët e thjeshtë, rezervohet përçmimi, tallja, trajtimi si “bërës detyrash”, hedhja mes katër rrugëve e linçimi. Zheji e përcaktoi bukur mirë Ramën si një sa-trap, me dy lista gazetarësh në xhep. Njërës që i ofronte “xhenetin” e interesave të pushtetit të tij, për hosanatë që i thur dhe tjetrës që i detyron “xhehnemin”, sepse “i prishin qetësinë e rrugëtimit të tij të shndritshëm”.
 
Këtu u gjend dhe Alida. Por jo e vetme. Sa Alida të tjera e të tjerë, kanë ikur e janë larguar nga profesioni, apo x media vetëm e vetëm se s’kanë dashur të shkelin mbi profesionalizmin e tyre?!! Unë njoh një duzinë të paktën. Ku janë gazetarët e talentuar të Agon Channel sot? Një pjesë e madhe e tyre pa kontrata pune, ose në kërkim diku të vetvetes. Dhe pse?!!! Shumë e thjeshtë. Jo se Rama e kishte me Bechettin, sepse rrezik me të e rrëkëllen ndonjë kafe diku në Londër, “për të folur për Kalivacin”, në emër “të interesave kombëtare”. Por sepse nuk duronte dot Sonilën, Bejten, Krastën etj., që kërkonin të bënin gazetari, oponencë, investigim.
 
Nuk duronte që “Ca thu-ja” të ishte refreni i gafave e korrupsioneve të përditshme të tij. Shkurt nuk duron dot të vërtetën dhe lirinë e fjalës. Mediat i ngjallin krupën pushtetit të Ramës. Ai gjithmonë ka kërkuar t’i përdorë ato, sikurse kurtizanet përdorin aksesorët. Kur e zbukurojnë në shëmtinë e pushtetit, i miklon dhe i mban varë rreth qafës si sende të çmuara, kur e tregojnë ashtu siç është, açik, në pasqyrë, i flak tej e kërkon t’i shkelë me këmbë. Megjithëse deri diku ai ka arritur ta heshtë atë, mes mijëra marifeteve, duke i hequr asaj sensin e lirisë, nuk resht së luftuari me të. Ka një ndërthurje midis frikës së pushtetit të sotëm dhe fobisë që vjen si arketip tek ai, nga e kaluara.
 
“Alidën” ai jo vetëm e hedh në mes të katër rrugëve. Nuk mjaftohet me kaq. Kërkon dhe ta vendosë pas hekurave. Gjithmonë nga frika. Koincidenca e largimit të Alidës me daljen në shesh të propozimeve “të çuditshme”, në ligjet paketë të reformës në drejtësi, që fjalën e lirë e kanalizojnë në “influenca” apo “ndikime të papërshtatshme” dhe që duan t’i tregojnë asaj qelinë, nuk duket fare e tillë. Ka një logjikë të fortë brenda kësaj sjellje konkrete hakmarrëse dhe formalizimit ligjor që insiston Rama, për ta gjunjëzuar plotësisht median. Nuk mungojnë këtu  as ekot e viteve, kur fjalën e lirë e priste litari. Sepse po në të njëjtën mënyrë, justifikimi gjendet tek “populli” dhe pritshmëria e madhe që ka ai për drejtësi.
 
Sipas tij, që drejtësia të jetë e “drejtë”, duhet bërë larg syve dhe gojëve të këqija të medias “llafazane”, e cila në shumë raste, sikurse Alida, kërkon gjilpërën në kashtë dhe mund të nxjerrë në shesh padrejtësitë në emër të drejtësisë. Propozimet e Ramës janë ulërima e fundit e  kambanave që kanë kohë që bien  për median e lirë, në përpjekjet për ta përcjellë atë në funeral. Tërheqja e tyre ndryshon melodinë. Shënojnë fillim e kambanave të rënies së një pushteti anti-media dhe anti-demokratik. Frika që vjen nga “Alida” do ta marrë me vete pushtetin e Ramës.