• |
ide | kryesore

Merrni trajner Besnik Hasin, ndryshe do na ikin lojtarët!

Arkiva, Blog
berat-buzhala-oped-express (1).jpg



Nga Berat Buzhala/ Besnik Hasi është i lirë aktualisht si trajner. Besniku pos që ka qenë lojtar fantastik, ka qenë edhe trajner i niveleve të pranueshme ndërkombëtare. Ai e ka udhëheq disa herë Anderlehtin në Ligën e Kampioneve – ligën më të fortë në botë – e tash së fundmi edhe ekipin polak, Legia Varshavë.

Besniku është mundësia jonë më e mirë për ta thirrur në Kosovë. Nuk ka çka t’i mbetet hatri as Bunjakut e as Muharrem Sahitit. Ne na duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për t’i pasur afër vetes njerëzit më të mirë që i kemi në dispozicion. Hasi është prej më të mirëve. Është nivel i ligave më të mira botërore. Është gjynah të mos i rrimë gati dhe ta afrojmë te vetja.

Edhe diçka:

Nëse edhe dy a tri herë na ndodh një kësi turpërimi, këto talentet e reja që luajnë nëpër botë do ta humbasin dëshirën të vijnë të luajnë për Kosovën. Pse duhet të luash për një ekip që i merr gjashtë gola? Disfata të tilla janë harruar në garat ndërkombëtare. Urgjent duhet të ketë ndryshime.

Po flas si amator:

Renditja e ekipit në terren ka qenë komike. Në shumë momente gjatë ndeshjes asnjë lojtar i Kosovës nuk ka qenë në mesfushë. Ekipi ka qenë i vendosur për faqe të zezë. Dy a tri gola që i kemi hëngër, unë e kam ditur së paku 4-5 sekonda më herët. Lojtarët në mbrojtje qëndronin larg njëri-tjetrit 7 a 8 metra, kurse vijat në mes mbrojtjes dhe mesfushës ishin edhe më të rralla. Me një fjalë, ka qenë një renditje kaotike, për të mos thënë krejtësisht amatoreske.

Unë nuk e di qysh duhet të bëhet më mirë. Ama unë e di kur është shumë keq.

Normalisht që do të flas, e do të kritikoj, bash për çdo gjë që do të shoh në fushë. Këto patetizmat "që Kosovën duhet me e deshtë edhe kur humb" janë shumë pa lidhje. Ne nuk thamë se po shkojmë po bëhemi tifozë me Serbinë. Ama nëse bash duhet të flasim për "dashni", atëherë kjo çfarë po kërkoj unë, e sigurisht edhe shumë të tjerë, është saktësisht dashuri.

Me vinte të qaj kur i shihja ata bukuroshë që mezi i kanë kah 20 vjet, duke u turpëruar në terren. Në ekipet e tyre shkëlqejnë. Janë sikur flutura në terren. E dje silleshin në terren sikur t’i kishin sytë e lidhur me shami.

Për hatër të tyre, e për hatër të Kosovës, Federata duhet të heqë dorë prej sentimentalizmave të tepruara. Është interes i Kosovës që interesat e përgjithshme t’i vërë përpara interesave individuale.

Kaq sa i përket kësaj ndeshjeje.

Pas vetes më keni edhe në Krakow të Polonisë. Pas do të më keni në secilën ndeshje, për sa kohë që do të kem shëndet, unë dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Ama pas do të më keni edhe me analiza, të krejt asaj çka i shoh në fushë.

Më mirë e keni të mendoni, e të bëheni gaz…