• |
ide | kryesore

Berlini qyteti që di të festojë pa frikë

Arkiva, Ide
peter.jpg



Ka të bëjë shumë me shpirtin e rezistencës së Berlinit, në emër të mënyrës se si e jeton lirinë e vet, vendimi i Ministrisë së Brendshme, për të mos i mbyllur tregjet e Krishtlindjeve dhe për të mos shtuar masat e vigjilencës. Pas atentatit të tmerrshëm, berlinezët kanë reaguar me një qetësi të habitshme. Shoh shumë pak histerizma, mes njerëzve të qytetit tim. Duke u folur e duke i dëgjuar, perceptoj një reagim të përbashkët: nuk do të lejojmë që terroristët të kushtëzojnë jetën tonë, as që të na detyrojnë të heqim dorë prej të jetuarit të saj. Nuk do ua dhurojmë atyre këtë fitore.

Nuk është rastësi. As edhe regjimi nazist, nuk e vuri përfund shpirtin berlinez. Ishte i vetmi qytet i madh në Rajhun e Tretë, ku ata nuk arritën asnjëherë të hedhin me të vërtetë rrënjë. Edhe nga viti 1933 deri në vitin 1945, në Berlin mbijetuan lokale ku bënin shfaqje travestitë, apo ku militantë të majtë kritikonin ata në pushtet, apo teatro rruge antikonformiste, që u shpëtonin SS-ëve. Ishte shpirti i rezistencës. Këtu në Berlin, u fshehën apo u shpëtuan të paktën 1300 hebrenj. Dhe 13 mijë berlinezë morën pjesë në operacion, në emër të dinjitetit njerëzor. Pikërisht këtu në Berlin ndodhi ai episodi i famshëm, i kontrollorit të tramvajit që, duke shkelur ligjet racore, i ofroi një vend për t’u ulur një gruaje hebreje me yllin e verdhë në pallto, dhe kur pasagjerët besnikë ndaj regjimit protestuan, iu përgjigj me pamjen e rëndë proverbiale të berlinezëve: “Zotërinj, është puna ime se se çfarë bëj më bythën time”.

Pastaj erdhi periudha e pasluftës: ndarja, Berlini Perëndimor i rrethuar dhe shpëtuar nga ura ajrore anglo-amerikane, Muri në vitin 1961 (dhe triumfi i turmës për Kennedyn), rënia e tij në vitin 1989. Jo më kot, JFK tha: Ich bin ein Berliner: asnjë qytet tjetër europian, gjatë shekullit të kaluar, nuk ka vuajtur aq shumë, e megjithatë ka mbetur vetvetja. Falë asaj fytyrës me pamje hijerëndë: duket sikur është mungesë humori, por në fakt është shpirti i rezistencës për lirinë e vet.

Në pasluftën e Gjermanisë së ndarë, Berlini perëndimor ka jetuar gjithmonë si kryeqyteti i të gjithë pakicave: homoseksualë, të majtë antikonformistë, të huaj. Në Berlinin Perëndimor nuk kishe mbi vete qeverinë e Bonit, vetëm fuqitë fitimtare dhe kryetarin e bashkisë, pra shumë më tepër liri dhe distancë nga autoriteti, se sa gjetkë. Mund të themi se kjo ka të bëjë me chutzbah, talentin antikonformist, hebre. Historikisht, kultura dhe jeta hebraike kanë depërtuar në qytetin tim. Dhe sot, ndërkohë që shumë hebrenj francezë të frikësuar emigrojnë në Izrael, mijëra të rinj izraelitë vijnë që të shijojnë lirinë berlineze, hapin restorante, studiojnë, krijojnë kompani të reja.

Duke vuajtur nga një diktaturë në tjetrën, në fund Berlini ka shijuar gjithmonë fitoren e lirisë. Gjithmonë me skepticizëm të distancuar nga çdo lloj pushteti. Ky pra është shpirti që rizgjohet në këto orë të tmerrshme. Duam të mbetemi versioni europian i qytetit që nuk fle kurrë, ashtu si këndoi Frenk Sinatra për Nju Jorkun. Liria për berlinezët është edhe liria e pakushtëzuar e argëtimit, më shumë se kudo në Europë, për të rinjtë e botës. Hyr në klub të shtunën mbrëma, dhe të ngjeshin në dorë një kartë hyrjeje e vlefshme deri të martën, në cilëndo orë të natës, tramvajet dhe autobusët transportojnë këdo, edhe vajza të vetmuara, në shtëpi. Dhe mbi të gjitha, çdo gjë kushton më pak se gjetkë, që do të thotë se edhe shijimi i lirisë kushton më pak.

Kjo është liria që Berlini mbron, duke i rezistuar me qetësi sfidës vrastare të terroristëve. Kur policia shpërndau hashtag-un e saj, “Berlin, ji i fortë!”, bëri thirrje për rezistencë civile dhe për mos të transmetuar panik në forumet sociale. Berlini e di që do të përballet me sfida të tjera në vitin që do të vijë. Vala nacional-populiste, nga Trumpi tek Le Peni e Salvini, frika nga imigrantët, nostalgjia për një jetë me rend, pushtojnë edhe Gjermaninë dhe qytetin tim: partia ksenofobe AfD këtu ka arritur në 14-15%. Dhe ndjejmë frymën e nxehtë të Rusisë së Putinit, për të cilën liria jonë është dekadente dhe negative. Edhe këtyre sfidave, berlinezët do të dijnë t’u rezistojnë. Të gatshëm për të mbrojtur shpirtin e tyre të lirisë.

* shkrimtar gjerman Bota.al