• |
ide | kryesore

Gijotinë për togat zeza?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET_111.jpg



Nga godina e PS ka ardhur një lajm i ri. Ose më mirë të thuhet një propozim i ri që shërben për të mbarsur një frymë tashmë dominuese: atë të gjuetisë së shtrigave kundër prokurorëve dhe gjykatësve që kanë milituar në sistemin e vjetër të drejtësisë.

Në variantin që PS, i sugjeron komisionit zgjedhor, kërkohet përjashtimi nga e drejta për të kandiduar si deputetë në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, i të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar filtrin e vetingut. Madje në propozimin e bërë nga deputeti Taulant Balla mbërrihet deri në absurd. Aty kërkohet që e drejta për kandidim t’u hiqet edhe atyre njerëzve të drejtësisë që ende nuk i ka ardhur rradha të kontrollohen (pra që teorikisht janë pa njollë).

Le të kuptohemi qartë.

Nga pikpamja morale qëndrimi i socialistëve duket i drejtë. Do të ishte e pakuptimtë që ata që sapo kanë hequr togën e zezë të pavarësisë, të vishnin kostumin blu apo mavi të kandidatit për deputet.

Një precedent i tillë do ta kthente në qesharake luftën kundër korrupsionit në drejtësi. Ai do ngrefte mitin e pandëshkueshmërisë dhe do të përforconte rrevoltën ndaj një kaste që vazhdimisht riciklon vetveten.

Në këtë kuptim edhe unë, besoj si shumica e shqiptarëve, do të isha kundër këtij katapultimi nga një pushtet tek tjetri.

Por, ama, kur flitet për ligje, për nene, për rregulla, sejcili duhet të dijë t’i lërë mënjëanë, emocionet dhe t’i nënshtrohet parimeve të përbashkëta.

Në emër të tyre gjithëkush duhet të ngrejë pyetjen: Mbi ç’bazë mund t’i hiqet dikujt e drejta për të kandiduar kur ende formalisht është i pafajshëm?

A nuk krijon kjo një pabarazi të frikshme?

A nuk është po kaq e padrejtë formalisht që një gjyqtar që digjet nga vetingu, të humbasë bashkë me punën edhe të drejtën për të garuar në zgjedhje, ndërkohë që 140 anëtarët e tjerë të parlamentit nuk do të filtrohen përmes një procesi aq strikt? Vërtet – mund të thotë dikush – edhe politikanët do të kalojnë nëpër filtrat e ligjit të dekriminalizimit, por ato janë ku e ku më poroze sesa ato që parasheh reforma në drejtësi.

Pra a nuk kemi të bëjmë këtu me një shkelje të hapur të barazisë?  A nuk kemi të bëjmë këtu me një ndikim të propagandës së ditës, mbi parimet e kushtetutës që na mbajnë tok të gjithëve?   

Pikërisht kjo anomali, kjo mospërfillje e të drejtave të gjithësejcilit, madje edhe kur ai prezumohet i pafajshëem, buron nga një klimë e keqe e përhapur kohët e fundit.

Për interesa të politikanëve në pushtet dhe të diplomatëve që duan të mbyllin mandatin e tyre me një trofe, po përforcohet në mënyrë të shproporcionuar ideja se njerëzit e drejtësisë janë delja më e zezë e shoqërisë sonë.

Shpesh harrohet se këta gjyqtarë dhe prokurorë janë në vendet që kanë sot si shpërblim për pandëshkueshmërinë që i kanë falur politikanëve. Se ata kanë mbetur publikisht të paprekshëm, nga favoret që u kanë bërë pronarëve të mediave. Se ta janë pasuruar në këmbim të proceseve ku kanë nxjerrë fitimtarë oligarkët e këtij vendi.

Pra shkurt, ata janë pjesë e së keqes dhe jo e keqja e vetme. Ata janë një numër më shumë brenda kopesë dhe jo delja e zezë e saj.

Çdo përpjekje për ta përmbysur këtë raport, për ta shitur atë në mënyrë të gënjeshtërt, nuk paralajmëron asgjë të mirë. Ajo më tepër sesa vendosje e drejtësisë, i ngjan një gjuetie shtrigash. Ajo i ngjan fajësimit të një grupi të izoluar në emër të përfitimit të të tjerëve.

Dhe për atë çfarë ndodh në raste të tilla, historia na ka dhënë më shumë sesa një shembull fatkeq. Reforma e fundit e madhe në sistemin tonë të drejtësisë, është ajo që kaloi përmes anatemimit të gjyqtarëve të inkriminuar komunizmit dhe zëvendësimit me sharlatanët profanë të plepave.

Pikërisht ata dominojnë gjykatat tona të sotme. Ata që erdhën përmes bindjes se një padrejtësi mund të luftohet përmes një padrejtësie tjetër.

Nga e njëjta klimë rrezikohet edhe sot produkti i ri i reformës në drejtësi. Vullneti për të goditur këdo që ka qenë pjesë e sistemit të vjetër, po krijon një atmosferë të denjë prej gjuetie shtrigash. Ajo nxitet qoftë nga statueset e shpërpjestuara të kryeministrit, qoftë nga ekzaltimi për heqjen e vizave amerikane, apo qoftë nga propozime si ky i tanishmi i Taulant Ballës.  

Dhe një klimë e tillë dihet se ku përfundon. Ajo pjell automatikisht luftimin e së keqes përmes një të keqeje më të madhe.

Dhe që kjo të mos ndodhë, poropzime si ato të Ballës duhen rrefuzuar me këmbëngulje. Jo për faktin se ato i pengojnë rrugën drejt politikës disa juristëve të korruptuar. Absolutisht, jo,  për këtë. Por, për një parim, po aq sa më të thjeshtë edhe më të madh. Për faktin e vetëm se të gjithë ata që besojnë tek një drejtësi e vërtetë, nuk mund të pranojnë ta arrijnë atë me rrugë okulte. (Lapsi.al)