• |
ide | kryesore

Kush po e sulmon Sorosin?

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET_112.jpg



U bënë disa javë që një rrëfenjë konspirative me Xhorxh Sorosin po inspiron të gjithë kundërshtarët e Edi Ramës në Shqipëri.

Shtypi pranë opozitës nuk ka ditë që të mos denoncojë lidhjet e spekulantit miliarder në Tiranë.

Politikanët shqiptarë po shpenzojnë shifra të mëdha për të sponsorizuar shkrime në mediat ndërkombëtare që flasin për të njëjtën temë. Vetë drejtues të lartë institucionesh si Ilir Meta, apo Adriatik Lalla fshikullojnë “mediat e Sorosit” ose “metodat sorosiane”. Me vetinë e tij për të mos e mbyllur gojën edhe Sali Berisha nuk mbetet pas në këtë garë.

Po të dëgjosh këtë ansambël të çakorduar që konvergon vetëm në një pikë, të krijohet ideja, se Shqipëria është peng i një konspiracioni të madh. Se këtu gjithçka e luan një dorë e padukshme, që ka vënë në karrigen e kryeministrit Edi Ramën, në atë të kryebashkiakut Erion Velinë, që ka rekrutuar ambasadorët kryesorë në vend, që ka kapur bashkë me ta zyrtarë të niveli të dytë dhe të tretë në Bruksel e Uashington dhe që në fund ka dashur të manipulojë reformën në drejtësi për t’ia dhuruar Ramës si një gijotinë me anë të së cilës ai të hiqte qafe kokat e kundërshtarëve.

I vetmi ngushëllim në këtë histori është se për gëlimin e këtyre teorive konspirative, ne nuk jemi vendi i vetëm, por shoqërohemi nga shumë sivëllezër tanë të ish-lindjes komuniste. Pak a shumë të njëjtën fabul përsërisin mbështetësit e Gruevskit në Maqedoni, ata të kryeministrit  Sorin Gkrinteanou në Rumani, ata të Viktor Orbanit në Hungari dhe së fundi ata të vëllait të mbetur Kazinski në Poloni.

Po të futesh dhe të kërkosh në shtypin ndërkombëtar, argumentat e tyre janë pak a shumë të njëjta. Ata, nga këndvështrime sovraniste, shpesh të inspiruara nga mendësi putiniane, akuzojnë fondacionet për shoqërinë e hapur, si leva për të pompuar individualitete dhe media, për të financuar politikanë dhe aktorë të shoqërisë civile dhe për të marrë pushtetin në një formë të butë, ose në rastin më të keq, për të ndikuar tek ai. Këto teori kanë marrë hov sidomos pas verës së vitit që shkoi, kur DC Leaks zbuloi mijëra dokumente të influencës që ushtron Fondacioni për Shoqëri të Hapur mbi qeveritë dhe vendet ku funksionon.

Por, pavarësisht nga metodat okulte që ai përdor, me rekrutim gazetarësh dhe politikanësh, multimiliarderi spekullant, hebre dhe ateist, nuk e ka fshehur kurrë qëllimin e tij. Ai e sheh perëndimin të rrezikuar nga Rusia, militon për zhdukjen e nacionalizmave, ka financuar drejtëpërdrejt në rënien e regjimit të Millosheviçit në vitin 2000, në revolucionet me ngjyrë në ish republikat sovjetike disa vite më pas dhe mbron parimin se në vende ku qeveritë kanë prirje të degradojnë duhen forcuar antikorpet e reagimit.

Pra, në këtë vizatim është vështirë që dikush nga partitë tradicionale shqiptare të ketë ndonjë objeksion me qëllimet e shpallura të Sorosit dhe të fondacionit të tij. Aty ku ato mund të ndahen janë rrugët e ndjekura për të arritur këto objektiva.

Dhe po t’i kthehemi sërish shtypit ndërkombëtar, atyre që denoncojnë pas rrjedhjes së dokumentave rënien e maskës së multimiliarderit dhe propagandës së tij filantropiste, e gjen rëndom rastin shqiptar. Letra që Soros i ka dërguar Hillari Klintonit, pas 21 janarit, sugjerimi i tij që Amerika të ndërhyjë për të zgjidhur krizën dhe pastaj caktimi i Lajçakut si ndërmjetësues, pra pikërisht i atij që propozonte Sorosi, serviren si një rast flagrant.

Të gjithë, nga Moska në Paris, që tentojnë të demonstrojë mënyrën se si multimiliarderi ka influencuar në qeveritë sovrane, e kanë rastin shqiptar, si një gur themeli të arsyetimit të tyre.

Pra pyetja që shtrohet është: a mos sulmuesit e Sorosit në Tiranë kanë më shumë të drejtë sesa ata në Shkup, Bukuresht, Varshavë apo Budapest? A mos edhe këtu Shqipëria ka qenë një rast “sui generis”? A mos miliarderi spekullant ka me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, një lidhje më speciale dhe më të fortë?

Kjo teori ka pak gjasa të besohet. Sepse nëse do të kish qenë kështu, e gjithë kjo zhurmë do kishte shpërthyer që në gushtin e shkuar, pra që në periudhën kur pas rrjedhjes së dokumentave doli edhe letra që Sorosi i dërgonte sekretares amrikane të shtetit për rastin shqiptar. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.  Atëhere kjo ndërhyrje flagrante u raportua si një lajm i thjeshtë.

Dhe vetëm kur konjuktura botërore ndryshoi, kur Trump realizoi surprizën në SHBA, kur u mor vesh se fitorja e tij do të qe dhe një revansh ndaj njeriut që kish financuar fushatat e Obamës dhe së fundi atë të Klintonit, në Tiranë i’u bashkuan teorive konspirative që u ringjallën edhe në Maqedoni, Poloni, Hungari dhe Rumani.

Natyrisht kjo lojë pragmatike, e një pjese të politikanëve lindorë, kjo fryrje politike e konspiracionit me Soros, nuk e fsheh faktin se ish spekullanti i dikurshëm ka lobuar pro Edi Ramës. Këtu nuk ka dyshim. Ai e ka bërë atë. Ai ka lobuar pro Ramës dhe ka dhënë para për shumë njerëz pranë tij. Ai ka financuar “Mjaftin” kundër Fatos Nanos, ashtu siç ka financuar edhe Otporin kundër Millosheviçit. Por deri këtu.

Pra, ai ka pak a shumë të njëjtin rol dhe të njëjtën peshë, siç ka pasur Podesta për Berishën kur ishte në pushtet. Por sado influencë dhe mbështetje i siguroi kjo kompani lobimi PD-së, sado që i zbuti tonet e zyrtarëve për qeverisjen e shkuar, ajo nuk e shmangu dot humbejn e 2013. Sepse fati i politikanëve shqiptarë vendoset këtu dhe jo përtej oqeanit.

E njëjta gjë vlen edhe për Edi Ramën. Për atë që po bën, ai do të ndëshkohet shpejt ose vonë. Për kanabizimin e vendit, për sitemin kleptokratik, për koncesinet dhe lidhjet me banditët, ai do të dënohet.

Por, nëse ndëshkimi për të vonon, kjo më shumë sesa një prapaskenë e njerëzve të Sorosit, është një difekt i opozitarëve dhe rivalëve të tij. I pabesueshmërisë së tyre, i paaftësisë për të bindur publikun se janë më të mirë, më të ndershëm dhe më të besueshëm.

Pikërisht për këtë, ata i janë ngjitur këtij konspiracioni të madh. Pikërisht për këtë ata po fryjnë fabulën paranojake, të njeriut që lëviz fijet përtej oqeanit.

Pra shkurt, ata po mundohen të fshehin pamundësinë për ta mundur Ramën lokalisht duke shitur një përrallë globale, duke shpresuar më shumë sesa tek votuesit shqiptarë, tek ndryshimi i ekuilibrave botërorë.

Eshtë fiks ky handikap, që ka nxitur zhurmën e ekzagjeruar antisorosiane të kohëve të fundit. /Lapsi.al/