• |
ide | kryesore

Basha s’po e hap dot çadrën

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET_112.jpg



Ben Blushi ka qenë i qartë kur i është përgjigjur thirrjes së PD-së se aty në çadrën e saj nuk ka vend për të. Megjithëse një nga kundërshtarët më të ashpër të kësaj qeverie, megjithëse një nga aktorët që do më shumë se kushdo tjetër rrëzimin e Edi Ramës, ai e ka thënë qartë dhe troç se nuk e gjen veten në protestën e PD-së.

Me po të njëjtën këmbëngulje si Blushi do t’a heqë qafe kryeministrin edhe rivali i tij i përhershëm Ilir Meta. Por edhe ai, megjithëse po e mbështet protestën me lëvizje okulte dhe me njerëz, megjithëse i ka të rakorduar në distancë me PD shumë nga qëllimet që kërkojnë të arrijnë, pra megjithëse po i bën të gjitha këto, edhe Meta po e lë të valvitet në ajër ftesën për t’iu bashkuar publikisht aksionit opozitar.

Tani që ka hyrë në ditën e pestë duket se protesta nuk po del dot nga çadra e PD-së.

Ajo po mbetet, ashtu sikurse pritej, një lëvizje thjeshtë njëpartiake, një mjet beteje që njëra palë përdor për të mposhtur palën kundërshtare.

Paaftësia për t’u zgjeruar jashtë gardhit ka arsyet e saj.

Është vështirë që dikush të besojë se një parti që është treguar jo sensibël që prej vitit të largët 1996 e deri në verën e 2011, për votën e lirë, tani e ka seriozisht këtë kauzë.

Është vështirë që dikush të besojë se objektivi i qeverisë teknike është i rrealizueshëm, kur atë nuk e ka arritur, as Berisha me lëvizjen “Nano IK” para zgjedhjeve të 2005, dhe as Edi Rama pesë vite më pas me parrullën: “hap kutitë ose largohu”. Në këtë vend qeveritë nuk e lënë kollaj kolltukun me pëjashtim të situatve emergjente si ato të viteve ’91 apo’97.

Është vështirë gjithëashtu që dikush të besojë se kjo mazhorancë që tashmë ka kapur mediat e mëdha të blera me leje ndërtimi, botën e biznesit që financon fushatën, trafikantët e drogës dhe të fortit që po dalin nga burgjet, e mendon qoftë edhe për një çast të vetëm organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe të drejta.

Pra, për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha nuk mund të presë që kauzës së tij t’i bashkëngjiten forca jashtë gardhit, pasi ai nuk u garanton dot arritjen e qëllimit.

Dhe në këtë pikë duket sikur Basha gjendet në një udhëkryq pa rrugëdalje. Sikur ai do mbetet vetëm me idhtarët e tij dhe pa një përkrahje që shkon nga partitë e tjera e deri tek qytetarët e pa angazhuar.   

Nga njëra anë ai nuk garanton dot superioritetin moral, betejën e së mirës ndaj së keqes, për të luftuar kundër një pushteti kriminal dhe të korruptuar. Me mënyrën si ka bërë opozitë, me mungesën e reflektimit ndaj së shkuarës, me paftësinë për tu shkëputur nga trashëgimia berishiste, ai e ka humbur këtë shanc.

Për shmëkënd PD me PS ngjajnë si dy pika uji dhe nuk kanë ndryshime thelbësore. Në këtë betejë mes dy partive që prej kohësh Fatos Lubonja i etiketon si banda, lojën e fiton banda më e fortë. E fiton pushteti që ka reth vetes edhe mediat, botën e financave, paratë dhe aleancën me krimin.

Pra, kur nuk e ka forcën që të tubojë partitë e tjera dhe pjesën më të madhe të shoqërisë kundër bandës rivale, Lulzim Bashës i mbetet vetëm një dalje nga udhëkryqi: t’i luftojë kundërshtarët me të njëjtat armë të pista që ata përdorin kundër tij.

Dhe kjo armë e vetme është bojkoti i zgjedhjeve. Mospjesmarrja në një garë të luajtur paraprakisht, rrezultati i së cilës është fiksuar më parë.

Natyrisht, ky është një vendim që nuk do ta bëjë simpatik. Ky është një ekstremizëm që do ta privojë nga mbështetja e një pjese të madhe të shqiptarëve. Ky është një akt që do t’i derdhë mbi kuriz gjithë mërinë e diplomatëve “politikisht korrektë” dhe gjithë pezmin e aleatëve perendimorë.

Por, kjo është arma e vetme që Lulzim Bashës i ka mbetur në dorë.

Ai tani e ka ngritur atë. 

Ai ka hedhur poshtë me këtë akt, portretin e djalit që qesh edhe kur i thonë gjëra të pakëndshme, imazhin e burrit që di të kthejë faqen tjetër pasi është goditur njëherë, profilin e politikanit që do t’a mbajë mirë me të gjithë.

Prandaj ai nuk ka më nevojë as për mbeshtetjen publike të Metës, as që Blushi t’i futet në çadër dhe as që qytetarë që s’besojnë tek PD-ja t’i shkojën në protestë.

Të gjithë ata nuk do ta gjykojnë këtej e tutje nga aftësia për të mbledhur njerëz rreth vetes, por nga vendosmëria për të shkrepur armën që nga në dorë. Sepse nga Basha tani nuk pritet më shpresë, por vetëm guxim për të goditur bandën tjetër. (Lapsi.al)