• |
ide | kryesore

Pazaret e sondazheve në Tiranë, si manipulohen rezultatet nga porositësit (FOTO)

I pakategorizuar
0177-640x300.jpg


Një ditë më parë Instituti italian Piepoli publikoi sondazhin e dytë për zgjedhjet në Shqipëri, ekzkluzivisht në Report Tv, televizion në pronësi të biznesmenit italian, Carlo Bollino, i njohur për lidhje të afërta me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj. Ndërkohë po dje Gazeta Express ka publikuar foto ku pretendohet se presidenti i institutit Italian “Piepoli” shfaqet në një restorant në zonën e ish-bllokut në Tiranë me pronarin e Report Tv, Carlo Bollino.

“Të interesuar të dy për të nxjerrë sa mirë Partinë Socialiste, Bollino dhe Roberto Baldassari, president i Piepolit, nuk i kanë shmangur dot tonet e larta. Bisedat mes tyre janë dëgjuar, ku duket se janë marrë vesh për të shpallur fituese Partinë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, me 73 mandate deputetësh. Shifër kjo që i jep mundësinë Ramës të qeverisë i vetëm, pa aleatë, duke qenë se sipas këtij sondazhi merr më shumë se gjysmën e parlamentit. Është dëgjuar qartë biseda mes tyre, kur Bollino i jepte urdhra presidentit të institutit “Piepoli” për ta nxjerrë PS-në nga 69 në 73 mandate”, shkruan Gazeta Express.

Kjo  lajm ka bërë jehonë sot edhe në shtypin e shkruar. Disa prej gazetave e kanë botuar shkrimin.

Ndërkohë po Gazeta Express shkruan se në dyert e shërbimeve diplomatike në Shqipëri ka mbërritur një sondazh i kryer për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen më 25 qershor, i realizuar nga Afrim Krasniqi, me porosi të Partisë Socialiste.

“Ashtu siç edhe në sondazhet e mëparshme të cilat janë bërë mbi hije të forta dyshimesh për paanshmërinë e tyre, forcë e parë politike në qarkun e Tiranës, del Partia Socialiste, e dytë Partia Demokratike, dhe e tretë Lëvizja Socialiste për Integrim”, shkruan Express.

Pas kësaj ka reaguar politologu Afrim Krasniqi i cili ka hedhur poshtë shkrimin e publikuar nga Express. Në reagimin e tij, Afrim Krasniqi thotë se e gjitha është një truk dhe trillim dhe se ai asnjëherë nuk ka bërë sondazhe. Krasniqi shtoi se mesazhi i shpërndarë nga gazeta e Prishtinës është i paguar nga financuesit politikë të Tiranës.

“Një artikull anonim i cituar si burim nga gazeta “Express” në Kosovë ka shkruar se unë, Afrim Krasniqi, kam zhvilluar disa sondazhe të fshehta dhe ia kam dërguar ato përfaqësive diplomatike.Truku i tyre shkon deri atje sa thonë se kanë edhe kopje të dokumentit. Zakonisht trillime të tilla nuk duhen marrë seriozisht, por pashë se ca kolegë në Tiranë i kanë marrë! Unë e mësova nga lajmet anonime në media se unë paskam bërë sondazhe..! Ne fakt, nuk kam bërë dhe as kam ndërmend të bëj asnjë sondazh. Pres që koleget në Tiranë ta verifikojnë lajmin e marrë te gatshëm nga Kosova dhe ta përgënjeshtrojnë atë meqenëse është 100% trillim, siç pres që koleget nga Prishtina ta përgënjeshtrojnë “sms” e nisur nga financuesit politikë në Tiranë dhe të tregojnë minimumin e etikes profesionale”, thotë Krasniqi.

“Shekulli” u interesua pranë gazetës “Express” mbi vërtetësinë e të dhënave të sondazhit të publikuar prej tyre dhe përgënjeshtrimin që bëri vetë Afrim Krasniqi, për të cilin gazeta thoshte se është i porositur prej Partisë Socialiste që t’i bëjë ato sondazhe, që më pas shpërndahen nëpër mediat e vendit. Gazeta “Express” në reagim e saj thotë se të dhënat janë marrë nga burime të sigurta diplomatike dhe se raportimi është se kryeministri Rama ka porositur Krasniqin të nxjerr ato rezultate, që tregojnë rritje të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike në këto zgjedhje.

Gazeta “Express” paralajmëron se do të publikojë të tjera fakte në ditët në vijim, sa i përket manipulimit të sondazheve për qëllime të caktuara. “Burimet mbi të cilat Express është bazuar për të shkruar lajmin për sondazhin që Afrim Krasniqi ka bërë me porosi të kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017, janë të sigurta. Për të qenë transparent me publikun Express do të japë gjatë ditëve në vijim më shumë fakte, që i qëndrojnë linjës së shkrimit të bërë”, reagoi “Express”.