• |
ide | kryesore

Zgjedhjet/ Cila parti fiton sot në Fier?

I pakategorizuar
WhatsApp Image 2017-06-25 at 14.11.55.jpeg


Qyteti i Fierit ndër vite ka treguar se është një qark ku mbizotëron e majta, dhe zgjedhjet e vitit 2013 e faktuan këtë më së miri. 

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën 11 nga 16 deputetët e qarkut, duke e kthyer Fierin në zonën me rezultatin më të thellë në vend.

Në rrethanat e këtyre zgjedhjeve, ku të gjitha partitë garojnë veças njëra-tjetrës, lufta duket se është zhvendosur brenda të majtës. LSI e ka të qartë se nuk përfiton dot nga sistemi, ku tepricat e votave të partisë së parë (PS) do t’i kalonin LSI-së, duke i rritur kështu probabilitetin për të fituar një karrige më shumë në Parlament.

Nga ana tjetër është Partia Socialiste ajo që rezultatin e saj në Fier, në zgjedhjet e vitit 2013, e merr të mirëqenë, pra 9 deputetë. Pas katër vitesh në mazhorancë, Partia Socialiste pretendon deputetin e 10-të në këtë qark. Bindja e Edi Ramës se 9 mandate janë të sigurta, duket tek lista e kandidatëve për deputet.

Në vitin 2013, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kryesonte listën, ndërsa këtë vit zë vendin e 9-të.

Por ‘lufta’ për Fierin nuk mbetet vetëm tek listat e kandidatëve për deputet.

Pavarësisht se kjo fushatë rrodhi në ujëra të qeta, provë e tensionit që vlon në Fier ishte dhunimi i një mbështetësi 18-vjeçar të LSI-së nga anëtarë të PS-së. Reagimi i Ilir Metës që i menjëhershëm, duke thënë se LSI nuk frikësohet nga sulmet e “Rilindjes”, Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit.

 

Deklaratat paralajmëruese mes Metës dhe Ruçit u kthyen në maratonë për disa ditë rresht.

Ndërkohë premtimet e fushatës në këtë qark kaluan në kufijtë e të pamundurës.

Petrit Vasili u shpreh se Fieri mund të bëhet kryeqyteti ekonomik i Shqipërisë me LSI-në, ndërsa Edi Rama premtoi mes të tjerash finalizimin e një spitali të ri të standarteve më të larta europiane, që me gjasa nuk ekziston as në Tiranë.

Ilir Meta nga ana tjetër paralajmëroi Ramën se po i kujton fierakëve dhunën e Berishës së 1-rë, ndërsa Lulzim Basha hyri në këtë skenë vetëm duke ftuar Ramën në debat televiziv, iniciativë që e ka marrë edhe në qytete të tjera.

Edhe lista e Partisë Demokratike në këtë qark ka disa ndryshime rrënjësore. Në vitin 2013 listën e PD-së në Fier e kryesonte Sokol Olldashi, një nga figurat kryesore të kësaj partie, i ndarë nga jeta 3 vite më parë. Ai ndiqej nga Mesila Doda (asokohe anëtare e PD) dhe nga Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së.

Për Partinë Demokratike një rezultat edhe më i dobët se në vitin 2013 është i pritshëm. Kjo, pasi ndërthuren faktorë si të qenurit në opozitë 4 vite, agresiviteti i PS dhe LSI për të marrë maksimumin e votave dhe deri diku dobësimi i listës se kandidatëve.

Paçka se një rënie e tillë parashikohet edhe nga sondazhi i IPR Marketing me Ora News, është po sistemi elektoral që qëndron para objektivave të secilës parti për numrat e mandateve në Fier.

Sipas IPR Marketing, Partia Socialiste do të marrë rreth 54.7% të votave, ndryshe nga 44% të vitit 2013, por që përkthehen në po 9 deputetë, njësoj si 4 vite më parë.

Partia Demokratike parashikohet të ruajë rezultatin me 4-5 deputetë, pavarësisht rënieve në përqindje nga 32.5% në 24.7% këtë vit.

LSI është ajo që rrezikon më shumë në këtë rast. Me 9.6% të votave që parashikon IPR Marketing, partia e tretë në vend pritet të marrë 1-2 deputetë.

 

Nëse LSI do të garonte në koalicion me PS-në, si 4 vite më parë, mandati i dytë do të ishte pothuajse i sigurt për këtë parti.  

Duke marrë parasysh këto ngjarje dhe rrethana, rezultati final për partitë në Fier do të prodhonte disa skenarë.

Skenari i parë do të ishte zhgënjyes për partitë e majta, ku rezultatet finale do të ishin njësoj si në vitin 2013. Të treja partitë do të pengonin njëra-tjetrën që për një numër relativisht të vogël votash të siguronin një mandat tjetër.

Së dyti, mund të jetë Partia Socialiste ajo që merr 10 deputetë, dhe do të linte PD-në dhe LSI-në të ndanin 6 vendet e mbetura mes tyre, ku me shumë gjasa LSI  do të rrudhej në 1 deputet, disfatë, krahasuar me 2 deputetët që mori në vitin 2013.

Skenari i tretë do të ishte një shpërthim i LSI-së dhe një ngritje e lehtë e PD-së, që do të linte edhe Gramoz Ruçin jashtë Parlamentit, duke e bërë PS-në të ulet në kuotën e 8 deputetëve ose edhe më pak. 

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë ngritur lart stekën përsa i përket pretendimeve, dhe jo të pabazuara në fakte. Për momentin do të duhet të mbështetemi vetëm tek sondazhet, ndërsa rezultati final pritet të marri formë pas ditës së nesërme. /LAPSI.AL/