• |
ide | kryesore

The Guardian: Kryeministri shqiptar pro BE-së do të fitojë shumicën parlamentare

I pakategorizuar
guardian.JPG


Kryeministri i Shqipërisë, artisi i kthyer në politikan, Edi Rama, është gati të kthehet në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare, të konsideruara si çelës për prespektivat e ardhshme të vendit për anëtarësimin në BE.

Ndërsa fletëvotimet vazhduan të numëroheshin ditën e hënë, një exit-poll zbuloi se Rama dhe Partia Socialiste mund të fitojnë me 45% – 49% të votave.

Nëse ky exit-poll parashikoi saktë rezultatin, socialistët do të kontrollojnë më shumë se gjysëm e parlamentit me 140 vende.

Partia Demokratike e opozitës, e udhëhequr nga Lulzim Basha po zvarritej me 34%. Sondazhi i kryer nga IPR Marketin kishte një marzh gabimi prej 2%.

Me 40% të votave të numëruara, rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve treguan se partia qeverisëse ka fituar 51.6% të votave.

Rama, që fushatën e bëri mbi premtimet për integrimin e Shqipërisë në perëndim, është zotuar të vazhdojë reformat, që përfshijnë një rishikim rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Kjo, së bashku me zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kushtet që vendi i vogël ballkanik duhet të plotësojë për të nisur bisedimet me Brukselin për anëtarësimin në BE. 

 

Këto 4 vite, pushteti i Ramës ishte i ndarë, pasi në zgjedhjet e vitit 2013 nuk arriti të formonte mazhorancën e mjaftueshme parlamentare (71 deputetë). Rama premtoi se do të spastronte drejtësinë nga gjykatësit e korrupruar dhe do të përmirësonte të drejtat e pronës, një prej çështjeve kryesore në vendin me 2.9 milion banorë.

Më shumë se 300 vëzhgues ndërkombëtarë u dërguan në Shqipëri, për të monitoruar zgjedhjet e të dielës. Teksa hidhte votën e tij, Rama tha: “Sot Shqipëria ka nevojë për Perëndinë më shumë se kurrë.” Në fushatë Rama shprehej se nëse qytetarët do t’ia besonin atij mandatet e nevojshme për të qeverisur i vetëm, “ne mund të nisnim negociatat me BE-në dhe të nxisnim ekonominë”.

 

Perëndimi do t’a mirëpriste një qeveri të qëndrueshme dhe të reformuar në Tiranë. Edhe pse anëtare NATO-s që nga viti 2009, dhe kandidate për t’u anëtarësuar në BE që nga viti 2014, Shqipëria po i përmbush me shumë vështirësi reformat e kërkuara për të avancuar drejt anëtarësimit në unionin europian. Në vend të kësaj, 27 vite pas rënies së komunizmit, ish-shteti Stalinist ka përfaqësuar paqëndrueshmëri në rritje në Ballkanin Perëndimor.

Me BE-në e preokupuar me problemet e saj të brendshme, duke filluar me krizat ekonomike dhe krizën e refugjatëve që shpërtheu në jug të kufirit shqiptar me Greqinë, shqetësimi për një rrëshqitje të mundshme të situatës përgjatë Ballkanit është ngritur mes tensioneve etnike në rritje, paqëndrueshmërisë dhe ndërhyrjes ruse. Edhe pse është parë si një i moderuar, Rama, i cili mbush 54 vjeç javën e ardhshme, ka tensionuar marrëdhëniet me Maqedoninë dhe Greqinë me deklaratat  e tij. Frika është shtuar për demokracinë e brishtë shqiptare.

Vendi ka qenë në krizë politike që nga muaji shkurt, kur Partia Demokratike filloi bojkotin e parlamentit. Fundin e këtij bojkoti e solli një dakortësi mes dy partive të mëdha për të hyrë në zgjedhje. Partia Demokratike vendosi të bojkotonte parlamentit pasi shihte si shqetësim një korrupsion të nivelit të lartë dhe lidhjeve të dyshuara mes shtetit dhe krimit të organizuar, që përfshin kartelet e drogës që fshihen pas tregtisë shumë fitimprurëse të heroinës dhe kokainës në vend.

Vetë Rama u zotua para zgjedhjeve se do të bëntë prioritet zhdukjen përfundimtare të kanabisit. Sipas departamentit amerikan të shtetit, fushat e kanabisit janë rritur pesëfish gjatë vitit të kaluar, dhe reputacioni në rritje i Shqipërisë si narko-shtet shihet si pengesa e rradhës e vendit drejt Bashkimit Europian.

Në një vend ku paga mujore bruto në vitin e kaluar ishte 340 euro, dhe ku një e katërta e të rinjve thuhet të jenë të papunë, prodhimi i drogës është bërë një shtyllë ekonomike. Sasi të mëdha kanabisi transportohen në Itali dhe Greqi, ku qindra mijëra njerëz gjithashtu kanë emigruar në kërkim të një pune.

The Guardian, përshtati LAPSI.AL