• |
ide | kryesore

Ultimatum nga Franca: Për 3 muaj të ndalen azilkërkuesit!

I pakategorizuar
ance5.jpg


Shqipëria ka 3 muaj kohë për të ndalur fluksin e azilkërkuesve drejt Francës. Mesazhi i thënë disa herë me mirësjellje nga diplomatët e Bashkimit Europian, erdhi në formën e një ultimatumi nga Ministri i Brendshëm francez, Zherar Kolomb.

Ndryshe nga rastet e tjera, kur takonte homologun e tij francez, ditën e enjte Ditmir Bushati pati punë me Ministrin e Brendshëm, të cilit i paraqiti me një plan konkret veprimi, që nuk është publikuar në mediat shqiptare, por që synon rritjen e kontrolleve në kufi.

Madje Shqipëria ka pranuar edhe stacionimin e policëve francezë në kufirin shqiptar, që do të punojnë për filtrimin e shqiptarëve që udhëtojnë jashtë. Qëllimi është ulja e fluksit të shqiptarëve që mund të kërkojnë azil në Francë.

Bushati shoqërohej në takim edhe nga Fatmir Xhafaj, Ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe nga zv.ministrja Rovena Voda.

Që francezët e kanë humbur durimin, e tregoi fjala e Zherar Kolomb, i cili artikuloi disa herë afatin prej 3 muajsh që i është lënë qeverisë shqiptare.

 “Pas 3 muajsh, premtova se do të vij vetë në Tiranë për të parë masat që janë marrë. Është thelbësore të kemi rezultate konkrete dhe një ulje të emigrimit të paligjshëm të shqiptarëve në territorin tonë” tha Zherar Kolom.

“Jemi të ndërgjegjshëm për liritë dhe detyrat që ofron lëvizja e lirë në hapësirën Schengen dhe shume të vendosur për të mos toleruar kërkesat abuzive për azil”, ishin fjalët e Bushatit në përfundim të takimit.

Plani i veprimit, i përgatitur nga qeveria shqiptare është dëshmi se Edi Rama e ka pranuar se origjina e problemit është Shqipëria. Ndryshe nga sa thotë në mediat shqiptare, ku jep versionin se shqiptarët që udhëtojnë drejt BE-së për azil, janë ose të gënjyer nga lajmet e rreme ose janë emigrantë që kanë jetuar më parë në Greqi.

Shpjegimi i rremë që jep Rama për azilkërkuesit, është e keqja më e vogël. Sepse me masat që do të marrë për rritjen e kontrolleve në kufi, qeveria pranon dështimin përballë një sfide më të madhe, t’i bindë shqiptarët se një jetë më e mirë mund të ndërtohet në Shqipëri.

Shifrat tregojnë se Rama ka dështuar, të ngjallë besimin tek shqiptarët se “ky vend do bëhet”.

Fluksi i azilkërkuesve shpërtheu në vitin 2015 dhe vazhdoi edhe në vitin 2016. Krahasimi me një eksod të dytë u bë kur shqiptarët emigruan krahas sirianëve, afganëve dhe irakenëve me mbi 100 mijë kërkesa për azil në dy vjet.

Në fillim të këtij viti, faqja e ambasadës amerikane në internet nuk e përballoi dot fluksin e klikimeve. Vitin e kaluar kishin aplikuar mbi 200 mijë veta.

Qershia mbi tortë ishte një sondazh i publikuar nga Gallup, një muaj më parë. Gjysma e shqiptarëve duan të jetojnë jashtë sipas sondazhit. Vendi ynë renditet i treti, pas Sierra Leones dhe Haitit, për nga dëshira e qytetarëve për të ikur larg atdheut të tyre./ Lapsi.al