• |
ide | kryesore

Debutim me dritë-hije për Kristian Panuçin te Shqipëria

Arkiva, Sport
panuci2.jpg



3 pikë, vendi i tretë i pacënuar dhe një debutim me dritëhije për Christian Panuccin. Kombëtarja Shqiptare vuan në një ndeshje me dy fytyra dhe i falet golave të Odise Roshit e Ansi Agollit për të dalë me 3 pikë nga një ndeshje që mund të kishte rezultuar e hidhur për kuqezinjtë dhe timonierin e ri të kuqezinjve.

Në “Elbasan Arena”, Lihtenshtejni i rreshtuar mirë në fushën e lojës bëri gjithçka për ta penguar Shqipërinë në rrugën drejt fitores dhe ia doli mbanë deri në minutën e 53 kur pas disa sulmeve rresht, Roshi pati fatin për të qenë në vendin dhe momentin e duhur duke e devijuar topin në rrjetë, ndërsa kapiteni Ansi Agolli shtoi një perlë me të djathtën në ndeshjen e tij të 70 me fanellën e Kombëtares.

Një fitore e vuajtur por tregtues i karakterit të fortë të kësaj skuadre që nuk dorëzohet kurrë, as ndaj ekipeve që e kthejnë këtë lojë në një betejë nervash mes sulmit dhe mbrojtjes bunker. Shqipëria heq qafe një kundërshtar që vetëm në letër mund të konsiderohet i lehtë edhe pse Panucci e nisi ndeshjen me një formacion sulmues por njëkohësisht edhe disi anormal.

Ndeshja

Llullaku në qendër të sulmit i mbështetur nga dyshja Roshi-Grezda u vendosën në fazën e avancuar, ndërsa Mamushaj, Basha e Abrashi formuan treshen e mesfushës me katërshen klasike Mavraj, Ajeti, Hysaj e Agolli në mbrojtje përpara Etrit Berishës.  Minutat e para u dhanë kohë kuqezinjve të ngrohnin muskujt për ta dhënë sinjalin e parë me Llullakun në minutën e gjashtë. Ishte Roshi që shpeshherë krijoi volum loje nga e djathta e sulmit (7), ndërsa Basha tentoi nga jashtë zonës por mesfushori shqiptar nuk e kalibroi saktësisht të djathtën e tij. Krahu i djathtë rezultoi edhe më efikasi në minutat e para.

Klas dhe cilësi e saktësi nga Hysaj në të 15-ën peshkon Llullakun në limitet e zonës së rreptësisë, një oditje dënimi që Memushaj nuk e shfrytëzon siç duhet. Sërish mesfushori vlonjat protagonist por krosi i tij i rrezikshëm nuk devijohet as nga Ajeti dhe as nga Roshi që flirtuan me golin, ndërsa Llullaku dha sinjalin e parë të vërtetë 5 minuta nga fundi i kësaj pjese kur stopoi në mënyrë të saktë por nuk bëri të njëjtën gjë me finalizimin.

Eros Grezda i harruar në të majtën u shfaq rrezikshëm vetëm pak sekonda nga fundi me rastin më të rrezikshëm por gardiani kundërshtar i mohoi kënaqësinë e golit. Një pjesë e parë disi e paqartë për kuqezinjtë që u rikthyen në fushë me një tjetër fytyrë. Llullaku në rolin e liderit të sulmit gjeti besim në aftësitë e tij por jo katërkëndëshin,  ndërsa Memushaj i dha më shumë shpejtësi fazës sulmuese duke e bërë të paparashikueshme manovrën ofensive të skuadrës. Mesfushori me eksperiencë u ndal sërish nga mbrojtja kundërshtare (53) në një tentativë personale por nuk ka vend për panik. Në të 53-ën, goditja e këndit e grushtuar nga portieri kundërshtar përfundoi në këmbët e Bashës që e kalibroi të djathtën drejt portës, ndërsa Roshi me një prekje magjike zhbllokoi ndeshjen.

Një gol me shumë peshë që zhbllokoi këmbët dhe e ndihmoi Shqipërinë të përshkonte rrugën e saj. Memushaj, një motor i vërtetë mori sërish iniciativën  me një krosim të rrezikshëm, ndërsa Agolli testoi të djathtën me një tentativë të gabuar. Kukeli për Memushajn i dha më shumë muskuj mesfushës por kuqezinjtë nuk e hoqën këmbën nga gazi. Super Ansi Agolli shënoi ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij në të 78-ën. Cepi i majtë i Peter Jehle u gjet saktësisht nga kapiteni në ndeshjen e tij të 70-të me fanellën kuqezi.

Panucci ndërhyri sërish në formacion me aktivizimin e Hykës, i cili zuri vendin e Abrashit dhe mesfushori shtatshkurtër e bëri më të paparashikueshëm sulmin e Shqipërisë. Frymëzues i një aksioni perfekt vetëm tre minuta nga fundi lojtari i San Jose tregoi se kilometrat që nga Kontinenti Amerikan nuk e kanë lodhur.

Nga e djathta e sulmit pas një aksioni personal dhuroi një top të artë për Lullakun që nuk arriti të trefishonte vetëm për çështje centimetrash. Një tjetër aksion në minutën e parë shtesë, sërish nga Hyka por këtë herë ishte portieri i Lihtenshtejnit që i mohoi golin personal. Kaq mjaftoi për të kompletuar një mbrëmje deri diku pozitive dhe tregues i një Shqipërie që ka hyrë në një epokë tjetër.

Kombëtarja ngjitet në kuotën e 12 pikëve në Grupin G dhe përgatit e qetë udhëtimin drejt Strumicës fqinje për një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj faze eliminatore. Të Martën në orën 20:45, kuqezinjtë e Christian Panuccit premtojnë një tjetër 90 minutësh të luftuar./Supersport/


All Goals & highlights HD – Albania 2-0… by livefootball10