• |
ide | kryesore

Gjuha shqipe në Maqedoni, Kuvendi nis diskutimin për miratimin e ligjit

I pakategorizuar
kuvendi1.jpg



Kuvendi i Maqedonisë hapi debatin e përgjithshëm në seancë plenare për ligjin e gjuhës shqipe megjithatë diskutimet akoma vijojnë mbi binaret e ditëve të kaluara.
Opozita vlerëson se në propozim ligjin për gjuhën shqipe, mbi 90% e neneve janë kundër-kushtetuese dhe akuzon BDI-në se me këtë ligj po tenton të mbuloj aferat e saja korruptive.
“Ky ligj sillet në sy të zgjedhjeve lokale si kërkesë politike e BDI-së dhe kërcënim i BDI-së ndaj LSDM me qëllim që BDI t’i mbuloj të gjitha aferat e saja korruptive, skandalet, nëncmimet ndaj trupit votues shqiptar, mos mbajtjen e premtimeve, infrastrukturën e keqe, shërbimet komunale dhe kushtet sociale dhe ekonomike të këqija në të cilat jetojnë bashkëqytetarët tanë shqiptar”- deklaroi Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Për dallim nga ditët tjera, sot deputetët e shumicës parlamentare replikuan me deputetët opozitar.
“Nuk është e vërtet se ky ligj është kundër Kushtetutës. Nuk është e vërtet se ky ligj parashikon dygjuhësi në të gjithë territorin, nuk është e vërtet se me këtë ligj obligohet dikush të mësoj një gjuhë që nuk donë ta mësojë dhe nuk është e vërtet se do të dënohet dikush për një gjuhë që nuk e din dhe nuk dëshiron ta mësojë”- deklaroi Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.
“Gjithmonë kam menduar se në këtë sallë ka njerëz të një kategorie tjetër, por jam shumë i dëshpëruar. Më mirë ishte kur bisedoja me barinjtë në fshat. Ishin të logjikshëm dhe çdo fjalë e thoshin me vend, ndërsa për ju lirisht mund të them se flisni pa lidhje”- deklaroi Branko Manajllovski, deputet i BDI-së.
Dinamika aktuale nuk përjashton mundësinë që Ligjin për gjuhën shqipe, ta ndjekë fati i procedurës për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski, kur debati nuk kishte fund.