• |
ide | kryesore

Shqiptarët të pakënaqur me punën që bëjnë: Paga të ulta, mungon vlerësimi

I pakategorizuar


 Një sondazh mbi nivelin e kënaqësisë në punë është realizuar për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë.

Në sondazhi u përfshinë 1,429 persona. 

Pjesëmarrësit u pyetën sa ishin të kënaqur nga puna aktuale dhe sa shanse kishte që brenda një viti të kërkonin punë diku tjetër.

Prej tyre 53 për qind janë të pakënaqur, 11 për qind shumë të pakënaqur, 30 për qind të kënaqur dhe 7 për qind shumë të kënaqur.

Kështu, në Shqipëri dhe Kosovë, kjo shifër arrin në 64 për qind. Ndërsa në botë, 48 për qind e të pyeturve nuk janë të kënaqur me punën që bëjnë.

52% e të anketuarve mendojnë të kërkojnë punë të re.

Nga sondazhet në botë shifra e atyre që kërkojnë punë të re është pak më e lartë, në 55 për qind. 

Pyetjet e lidhura me punën, ishin një test për të kuptuar sa ndjehen komodë në institucionin apo kompaninë që ata punojnë.

Nga 12 arsyet e ofruara për kuptuar çfarë i shtyn të anketuarit që të kërkojnë punë të re, rezulton se paga është faktori më i rëndësishëm.

Aspekti financiar është mjaft i rëndësishëm siç mund të shihet nga fakti se është arsyeja kryesore pse të anketuarit kërkojnë punë të re dhe njëkohësisht më të kënaqur nga puna janë ata që kanë rroga më të larta.

Por paga nuk është çdo gjë. 

Pjesëmarrësit në sondazh rendisin pesë aspektet më të rëndësishme të punës: vlerësimi për punën që bën, aspekt që e konsiderojnë të rëndësishëm, 71 për qind e të anketuarve.

Gjithashtu, cilësohen si të rëndësishme dhe aspekte të tjera si respektimi i punonjësve në punë, siguria si dhe atmosfera në vendin e punës.

Dukuri serioze që u vërejt në sondazh ishte mosrespektimi i Kodit të Punës në Shqipëri dhe Kosovë.

Të anketuarit shprehen të pakënaqur për faktin se një numër i tyre nuk kanë kontrata pune dhe aty ku kanë, në disa raste nuk respektohen. 

Një tjetër shqetësim i shprehur është orari i punës i zgjatur dhe i papaguar si dhe mungesa e pushimeve në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare. 

Anketa u bë e mundur nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC) me pjesëmarrjen e qytetarëve që kanë aktualisht një pozicion pune në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovë. /Lapsi.al