• |
ide | kryesore

Acarimi i situatës në parlament/ LSI iu bashkua PS kundër Lulzim Bashës

I pakategorizuar



Ditët e fundit u duk sikur mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim po krijohej një klimë mirëkuptimi. Ftesës së Lulzim Bashës pak ditë më parë për një Front Opozitar, Monika Kryemadhi iu përgjigj dje pozitivisht. Madje ajo i sugjeroi emrin Fronti Kombëtar kundër Krimit të Organizuar.
Por në këtë marrëdhënie mirëkuptimi që po krijohej, sot në parlament LSI bëri një lëvizje, që me siguri ka kapur në befasi edhe vetë Lulzim Bashën. Monika Kryemadhi u rreshtua në anën e Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit në konfliktin që u krijua në seancë.
Gjithçka nisi për debatin për reformën zgjedhore. 
Edmond Spaho i Partisë Demokratike kërkoi debat para miratimit të Komisionit Parlamentar. Socialistët thanë që nuk ishin përgatitur për debat, sepse votimi për Komisionin ishte pjesë e një marrëveshjeje. 
Taulant Balla nuk pranoi. Edi Rama kundërshtoi duke thënë se “kishte punë të tjera”, ndryshe nga deputetët e opozitës. Socialistët ishin të mendimit që seanca të shtyhej javës tjetër. LSI ishte dakort me ta.
Lulzim Basha u ngrit në foltoren e Kuvendit dhe pranoi që seanca të shtyhej për në orën 16:00, me kusht që të kishte debat në sallë. Sipas Bashës debati për zgjedhjet ishte parashikuar disa ditë më parë.
Gramoz Ruçi kërkoi mendimin e Taulant Ballës dhe Petrit Vasilit. Në këtë moment, doli në pah edhe vendimi i LSI-së, për të përkrahur socialistët.
Petrit Vasili tha se ishte dakort që seanca të shtyhej për një javë, njësoj siç kishte kërkuar Taulant Balla.
Duke pasur edhe mbështetjen e LSI-së, Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi nuk lëvizën nga vendimi. Seanca u vendos të zhvillohej javën tjetër.
Lulzim Basha mbeti i vetëm. PS dhe LSI ishin kundër tij. Deputetët demokratë më pas bllokuan foltoren e parlamentit, gjë që çoi në përjashtimin e Bashës./Lapsi.al