• |
ide | kryesore

Arrestohet ‘tmerri’ i grave të Shkodrës, si i grabiste me dhunë varëset nga qafa

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ishte kthyer në tmerrin e grave të Shkodrës, pasi i grabiste duke u hequr dhunshëm nga qafa varëset e floririt.

Shtetasi Kolë Prroni, 27 vjeç, banues në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina, ka rënë në prangat e policisë. Sipas të dhënave hetimore, 27- vjeçari ka dy vjedhje të dokumentuara brenda pak ditëve në Shkodër.

“Kolë Prroni, më datë 1 tetor të këtij viti, në lagjen ‘Vasil Shanto’ i ka vjedhur me forcë nga qafa një varëse floriri shtetases me inicialet L.P., e cila nuk e përjetoi aspak mirë, duke pasur shqetësime nga gjendja emocionale. Autori arriti të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke i shpëtuar policisë”, bëri të ditur Policia e Shkodrës.
Sipas burimeve të Policisë, dyshohet se Prroni është autor edhe i ngjarjes së ndodhur më 16 tetor të këtij viti në lagjen “Vojo Kushi”, teksa i ka vjedhur me dhunë nga qafa një varëse floriri shtetases me inicialet D.P.

Kjo e fundit, pas vjedhjes me dhunë, është traumatizuar, ndërkohë që autori u largua me shpejtësi pa lënë gjurmë. Pas dy vjedhjeve të ndodhura në një hark kohor prej 15 ditësh, uniformat blu janë vënë në kërkim të autorit të ngjarjeve, duke dyshuar se është i njëjti person që i ka kryer ato.

Policia, pasi ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë në të dyja ngjarjet, ka arritur të identifikojë se autor i dy vjedhjeve është 27-vjeçari. Pas identifikimit, Policia ka bërë arrestimin e shtetasit Kolë Prroni, i cili akuzohet për veprën penale “vjedhje”. Vjedhjet në Shkodër janë kthyer në një fenomen shqetësues qoftë në rrugë, por edhe në banesa, edhe pse 3 muajt e fundit Policia ka goditur disa grupe dhe individë që kryenin vjedhje e grabitje në qytetin e Shkodrës dhe njësitë administrative përreth.

Sipas të dhënave të Policisë, në momentin e arrestimit i riu ka tentuar të mohojë krimet për të cilat akuzohet. Por i gjendur përballë provave dhe pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e subjekteve përreth vendngjarjeve, ai është detyruar të pranojë gjithç- ka.

Ndërkaq, burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nuk përjashtojnë dyshimet se 27-vjeçari të jetë i implikuar edhe në disa ngjarje të tjera të ngjashme, kryesisht vjedhje që kanë ndodhur kohët e fundit në Shkodër. Këto ngjarje janë në hetim, pasi deri më tani nuk ka prova konkrete që t’i adresohet atij autorësia.

Policia ka marrë në pyetje dy gratë e dëmtuara, të cilat kanë deponuar se kanë qenë duke ecur normalisht në rrugë, kur krejt papritur një person i panjohur për to është afruar dhe i ka sulmuar duke u hequr dhunshëm varëset e floririt nga qafa. Ngjarjet kanë ndodhur në mes të ditës dhe në zona të populluara. Por pavarësisht kësaj, i riu nuk është stepur për të kryer qëllimin e tij. Pas vjedhjeve me dhunë, ai i shiste varëset me një çmim disa herë më të lirë. /Panorama/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *