Partia Demokratike nisi mbledhjen e firmave për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas propozimit të Partisë Demokratike, Arta Marku shkarkohet menjëherë sapo të votohet amendamenti i propozuar nga opozita.
Ndryshe nga procedura që u ndoq me Arta Markun, opozita kërkon që një listë kandidtësh për Kryeprokurorë të Përkohshëm të propozohet nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas PD-së, Prokurori i ri i Përkohshëm duhet të zgjidhet me 3/5 e votave dhe nëse nuk arrihet konsensus të zgjidhet kandidati i parë i renditur në listë nga Gjykata Kushtetuese.
Propozimi i Partisë Demokratike zhbën të gjithë procedurën me të cilën u zgjodh Arta Marku, e cila u propozua dhe u votua nga Partia Socialiste.
Nuk dihet nëse opozita do të bëhet pjesë e procedurave që vazhdojnë për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm apo do t’i bojkotojë ato deri në arritjen e konsensusit me mazhorancën.