Astrit Veliaj i cili pritet të marrë mandatin e deputetit të lënë nga Eduard Halimi në qarkun Berat, ka folur për zhvillimet e fundit, ku dy gra që ishin në listën e PD-së, janë dorëhequr për t’i hapur rrugën Veliajt. Biznesmeni ka thënë se vendimi i grave ishte personal i tyre dhe se ai nuk ka ndikuar fare.
“Jam i lumtur që do jem deputet, kam qenë edhe më parë. Jam prej 20 vitesh pjesë e PD. Kam ruajtur reputacionin tim në biznes. Vendimi i dy grave për t’u tërhequr nga gara, ishte personal”, shprehet Veliaj gjatë një komunikimi për News 24.
Sipas Kodit Zgjedhor PD kishte nje gjobë për kuotat gjinore në listën e qarkut Berat, prandaj pas dorëheqjes së Halimit, mandati do t’u kalonte grave që ishin pjesë e listës. Por Juvina Jani dhe Monika Qosja refuzuan të merrnin mandatin, me pretendime te ndryshme, duke ngjallur kështu dyshimet se u përsërit i njëjti skenar me listën e PS-së në qarkun Lezhë, ku edhe aty u tërhoqën dy gra për t’i hapur rrugë Arben Ndokës të hynte në Kuvend.
©LAPSI.al