• |
ide | kryesore

“Drama e dy karaktereve” edhe këtë fundjavë në skenën e Eksperimentalit në Tiranë

Paparazzi, Slider



Fatmira Nikolli – Përse më urren? Çfarë, nuk pretendova se drama jonë do të ishte një rikthim i bujshëm për mua… Ti më pyet shpesh, ku janë artistët e vërtetë, ata që nuk varen nga tullat e teatrit, por nga dallgët e shpirtit? Unë hesht… S’kam përgjigje …
E vërteta e hidhur do të ishte shumë për një krijesë kaq të brishtë. Ndaj e shkrova këtë dramë! Duhet të gjeja një mënyrë për të të mbrojtur! Tashmë kemi bërë një rrugë të gjatë, me forcat tona, ndaj jemi rrezik për sistemin. Kur të tjerë lëpiheshin zyrave a kafeneve, unë dhe ti, mjekonim plagët nga skena e rrënuar, por… harroi të gjitha! Kthehu në rol! Të humbasim plotësisht në “Dramën e dy karaktereve”.
Kështu nis në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vepra pjesërisht autobiografike e autorit Tennesse Williams. “Drama e dy karaktereve” është pjesërisht autobiografike. Personazhi i Clare është frymëzuar nga Rose Williams, motra e autorit, kurse Felice, personazhi tjetër, është bazuar në karakterin e vetë autorit.

“Natyra e kufizuar e ekzistencës njerëzore” ishte një nga tematikat e rëndësishme gjatë karrierës së Williams-it dhe kjo vepër konsiderohet si qasja e tij më personale e mundshme.
Në fillimet e saj, shfaqja nuk u prit mirë, as nga kritika dhe as nga publiku, madje shpesh u konsiderua si arratisje prej teatrit, por “Drama e dy karaktereve” vërtetoi të kundërtën.

Ajo erdhi premierë për herë të parë në Tiranë fundjavën që lamë pas, nën interpretimin e Igli Zarkës (Felice- personazhi i mbështetur tek vetë autori) dhe Krist Lleshit (Clare, personazhi i mbështetur tek motra e autorit).
Teksti i mësipërm, me të cilën Zarka nis interpretimin shfaqjen, nuk është pjesë e veprës së Tennesse Williams. Ka qenë zgjedhje e tij, që fjalinë që Tennesse e kish lënë me tri pika “ti gjithmonë flet për një teatër …”, ta kthejë në një monolog ku shigjetat drejtohen për godinën përbri: për artistët e vërtetë që nuk varen nga tullat e teatrit, por nga dallgët e shpirtit. Dy të rinjtë, që nuk janë për herë të parë bashkë në skenë, sjellin tanimë një tjetër përmasë të tyren në interpretim- nën petkun e dy personazheve të reja që zbulojnë dy botë njëherësh.

Nga salla më e re në kryeqytet, një sallë e drunjtë, “Drama e dy karaktereve” merr jetë duke dhënë herë dramën e dy karaktereve teatrale, e herë dramën e një vëllai e një motre.

Në fakt, përvijimi që do duhej të ndante Felisin vëlla e Felisin partner në skenë, me Clare-n motër e Clare-n partnere në skenë, është i padukshëm. Dy personazhet janë në një skenë në qendër të sallës; ajo është edhe dhoma e shtëpisë edhe skena e teatrit.

Shfaqja është ndërtuar mbi një tekst ku personazhet kalojnë në plane të ndryshme emocionale. Në pothuaj gjashtëdhjetë minuta, shfaqja rivjen për publikun e kryeqytetit edhe këtë fundjavë, në datat 20,21 dhe 22 prill. Zarka, pas rolit të shkëlqyer të Alan Strang, në veprën “Equus” të Peter Shaffer, vitin e kaluar, ka guxuar me një sfidë të re, të duke ofruar konceptin e tij regjisorial, mbi tekstin e përkthyer nga gazetarja Kozeta Kurti.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *