• |
ide | kryesore

Nis lufta Izrael-Iran, Siria tronditet nga shpërthimet e raketave

F1, Planet



Izraeli njoftoi sot se ka goditur pothuajse të gjitha objektivat kryesore ushtarake iraniane në Siri gjatë sulmeve ajrore të mëngjesit të sotëm, në përgjigje të një sulmi me raketa që Irani nisi ndaj trupave të saj në Golan.

Ky bombardim duket se është konfrontimi më serioz midis dy armiqve që kanë paralajmëruar njëri-tjetrin për luftë prej kohësh.

Do të ishte hera e parë, nëse konfirmohet, që Irani të gjuajë drejtpërdrejt me raketa forcat izraelite. Dy vendet janë në një luftë të ftohtë prej vitesh.

Përgjigjja e Izraelit ishte sulmi më i rëndësishëm në Siri, që nga lufta Yom Kippur e vitit 1973. Konfrontimi vjen pas një fushate luftarake të fshehur disa mujore, gjatë së cilës Izraeli është akuzuar për sulme ajrore të përsëritura në Siri.

Ushtria Izraelite njoftoi sot se kishte sulmuar dhjetra objektiva, ku përfshihen zonat ku mbahen armët dhe qendrat e inteligjencës dhe spiunazhit të përdorura nga forcat iraniane.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Avigdor Lieberman, tha në një konferencë:

“Ne goditëm pothuajse të gjithë infrastrukturën iraniane në Siri. Ata duhet të kujtojnë thënien se nëse bie shi mbi ne, do të bjerë stuhi mbi to. Shpresoj se e kemi përfunduar këtë episod dhe gjithkush e ka kuptuar. Ne nuk duam të përshkallëzohet situata, por nuk do të lejojmë që dikush të na sulmojë ose të ndërtojë një infrastrukturë për të na sulmuar në të ardhmen.” – u shpreh ministri izraelit i Mbrojtjes, ndërsa shtoi se Irani po përpiqej të sillte sisteme anti-ajrore afër kufirit izraelit.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili monitoron konfliktin përmes një rrjeti burimesh, tha se sulmet izraelite kishin vrarë të paktën 23 luftëtarë, përfshirë trupat qeveritare dhe forcat aleate, pa sqaruar nëse mes të vdekurve kishte iranianë.

Përplasja e së enjtes erdhi pas vendimit të së martës nga Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, një lëvizje që Izraeli e kishe kërkuar prej kohësh. Sipas analistëve ushtarakë, kjo lëvizje mund të ndezë dhunën në rajon.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë dënoi “sulmet provokuese me raketa” të Iranit dhe tha se SHBA mbështet të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Shtëpia e Bardhë tha se ushtria iraniane mori “përgjegjësinë e plotë për pasojat e veprimeve të saj të pamatura”. 

Presidenti francez, Emmanuel Macron, diskutoi me kanceralen gjermane, Angela Merkel, për situatën në Lindjen e Mesme.

“Ne e dimë se ne përballemi me një situatë jashtëzakonisht të komplikuar këtu. Përshkallëzimi i orëve të fundit tregon se është me të vërtetë një çështje lufte dhe paqeje, dhe unë mund të thërras të gjithë të përfshirët që të jenë në kontroll” – u shpreh Merkel.

Moska, e cila mbështet presidentin sirian, Bashar al-Assad, tha se 28 aeroplanë luftarakë izraelitë morën pjesë në sulme dhe u qëlluan plot 70 raketa. Izraeli tha se e kishte njoftuar Rusinë para fillimit të sulmit.

Kryeqyteti sirian u trondit nga shpërthimet orët e para të mëngjesit. Banorët publikuan video online, ku dukeshin raketa mbrojtëse ajrore që ndiznin qiellin natën, ndërsa raportuan edhe se zhurma të fuqishme tronditën banesat e tyre.

Sipas lajmeve të agjencisë shtetërore, Damasku kishte ndaluar dhjetëra raketa, por disa kishin arritur të godisnin radarët dhe disa zona të tjera ushtarake.

Nga ana tjetër, Izraeli tha se forcat iraniane qëlluan rreth 20 raketa, por ato ose u parandaluan, ose nuk arritën të godisnin në objektiv.

“Asnjë raketë nuk ka goditur forcat izraelite. Katër raketa u kapën nga sistemet mbrojtëse, ndërsa pjesa tjetër nuk arritën objektivat e tyre” – u tha gazetarëve zëdhënësi ushtarak izraelit, Kol Jonathan Conricus.

Ai akuzoi gjeneralin përgjegjës për forcën e ‘Quds’, degën e operacioneve të jashtme të Gardës Revolucionare Iraniane, për orkestrimin e sulmit.

“(Sulmi) Është urdhëruar nga Qassem Soleimani, por nuk arriti të përmbushte qëllimin,” tha ai.

Tensionet midis Iranit dhe Izraelit u rritën në shkurt, kur Izraeli njoftoi se kishte rrëzuar një avion iranian që depërtoi në hapësirën ajrore të tij. Që atëherë, Siria dhe Irani nuk u hakmorrën ndaj sulmeve të shumta izraelite, sikurse pretenduan. (përktheu lapsi.al) Megjithatë, Izraeli po përgatitej për një përgjigje.

Në kryeqytetin Iranian, ditën e sotme, as nuk u konfirmua dhe as nuk u mohua sulmi me raketa. Lajmet e agjencisë shtetërore iraniane njoftuan se sistemet mbrojtëse ajrore në Siri kishin kapur disa raketa të hedhura nga aeroplanët izraelitë, pasi regjimi izraelit kishte për shënjestër pozicionet e ushtrisë siriane në territoret e pushtuara në Golan.

Hossein Salami, i dyti në radhën e komandës në ushtrinë iraniane, mburrej me fuqinë ushtarake të Iranit të enjten pa përmendur konfrontimin, duke thënë se Teherani kishte “fituar një fuqi aq të madhe dhe aftësi parandaluese, saqë armiqtë nuk do të mendonin të merrnin veprime ushtarake kundër Iranit”.

Gjatë gjithë luftës në Siri, Izraeli ka kryer dhjetra sulmeve ajrore, por sulmet e fundit gjatë natës ishin më të fortat të kryera deri tani.

Izraeli ka paralajmëruar se nuk do të lejojë Iranin të krijojë një zonë ushtarake të përhershme në Siri dhe e ka akuzuar Iranin për vendosjen e avionëve dhe raketave në vendet arabe fqinje. Forcat iraniane janë dërguar në Siri për të ndihmuar qeverinë e Bashar al Assad në luftën shkatërruese shtatëvjeçare kundër kryengritësve.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *