• |
ide | kryesore

Veliaj e bën zyrtare: Kam marrëveshje me artistët, do ketë teatër dinjitoz!

Lajme, Të fundit

Bashkia e Tiranës shpërndau në media një njoftim sipas të cilit, Erion Veliaj ka arritur marrëveshje me një përfaqësi të artistëve pas negociatave që ka pasur me ta. Njoftimi shoqërohet me foton që më parë, Veliaj e shpërndau në profilin e tij në Twitter, ku ai shihet bashkë me regjizorin Altin Basha, dhe aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi. Marrëveshja përfshin shkatërrimin e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe një përfaqësi aktorësh në negociatat me kompaninë Fusha sh.p.k që do të ndërtojë kullat pas teatrit. Trualli i teatrit nuk preket, sipas marrëveshjes.


“Dua të falenderoj sot publikisht të gjithë komunitetin e artistëve, sindikatat, qytetarët, protestuesit, arkitektët, urbanistët, zjarrfikësit, të gjithë ata që kanë dhënë një dorë, disa në mënyrë më intensive, disa sporadike, por të gjithë që kanë dhënë një dorë që të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, modern, në tokën ku është teatri sot. Kjo nuk ka qenë një negociatë e lehtë. Në fillim fare filluam nga ekstreme, nga qëndrime shumë të ndryshme, por me sa duket ku ka vullnet, ku ka dëshirë, ka një rrugëzgjidhje. Dua t’i falënderoj publikisht jo vetëm të dyja sindikatat, të gjithë faktorët që insistuan që ky projekt të bëhej më i mirë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.


Më tej, ai shtoi se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët, që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme. “Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shtoi Veliaj.

Sipas njoftimi të Bashkisë, Altin Basha ka folur në emër të komunitetit të artistëve, duke thënë: “Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”, tha Altin Basha.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj tha se pjesë e këtij dakordësimi është edhe përcaktimi që në grupin e punës që do të negociojë për projektin dhe ndërtimin e teatrit të ri, të ketë edhe një përfaqësi të artistëve. “Kemi sanksionuar në këtë ligj, në dallim nga të gjitha institucionet e tjera që përfaqësohen vetëm me një anëtar, ne do të kemi dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve. Duke i pasur të përfaqësuar besoj se ky projekt fillestar u bë më i mirë falë pranisë edhe kritikave të tyre, besoj që edhe produkti final me këto dy vende që presim të na i propozojë komuniteti artistik, që nuk janë vende spaletash as vende luksi, është një punë rigoroze e një shqyrtim dokumentacioni dhe një negociatë e fortë që do të duhet të bëjmë si me arkitektët, ashtu edhe me investitorët, që të arrijmë një produkt po aq dinjitoz sa ky produkt fillestar”, tha Veliaj, i cili ka folur edhe për projekligjin që mund të ketë ndryshime të tjera.

“Sigurisht është shumë e rëndësishme të kujtojmë se ky është vetëm hapi i parë. Do të vazhdojë një negociatë dhe do të kemi edhe debate të tjera se si ky proces mund të bëhet akoma edhe më i mirë. Ndaj, dua sot të përshëndes këtë hap të parë, të falënderoj miqtë e mi që edhe mua më emancipuan, edhe më mësuan, se si mundet t’i bëjmë ca gjëra akoma edhe më të mira, se i kishim menduar në fillim. Besoj sot pasi janë plotësuar këto kërkesa kemi arritur në një produkt ku ndoshta jo 100 %, por shumica, i sheh aspiratat e veta për art, për kulturë edhe për një teatër dinjitoz në Tiranë të plotësuara, si hapja e një negociate. Ky nuk është një ligj që e finalizon, ky është vetëm një ligj që e fillon këtë bisedë në mënyrë zyrtare”, theksoi kryetari i bashkisë.

2 Comments

  1. Domethene ky po thote qe kisha ne plan te realizoja nje plan te tmerrshem grabitjeje qe e kisha bere gati, por faleminderit protestuesve qe nuk me lejuan mua te beja ate qe kisha ndermend.

    1. Ne fakt po thote qe e kisha ne plan dhe po e realizoj. Teater me nje vellim dhe pa kulla siper, njesoj si projekti e prezantuar. Thote nuk prekim truallin e teatrit dhe nuk thote qe “nuk prekim pronen publike”. Ato fjale jane si loje me tre letra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu