• |
ide | kryesore

Analiza/ Sa ndikim ka realisht Rusia mbi Gjermaninë?

Planet
merkel-putin-ap_c0-6-700-414_s885x516.jpg



Fiks përpara samitit të Helsinkit me Putin, Trump pretendoi se Gjermania është “tërësisht e kontrolluar” nga Rusia , duke cituar tregtinë e madhe të naftës dhe gazit midis dy vendeve. Ai tha se Gjermania po i jep “miliarda dollarë Rusisë”, dhe se “tani ne duhet ta mbrojmë kundër Rusisë!”. 

Ndërsa shumë politikanë të shquar – duke përfshirë edhe kryetarin republikan të Kongresit Pol Rajan – e dënuan tonin e kritikave të Trump, asnjë prej tyre nuk kundërshtoi pohimin e tij themelor:se Gjermania është politikisht e varur nga Rusia, për shkak të importeve të saj të energjisë; dhe se kjo varësi shpjegon edhe kontributet e dobëta të Gjermanisë në NATO.

Në fakt, Rajan shfrytëzoi mundësinë për të përforcuar kundërshtimin e tij ndaj projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që lidh Rusinë dhe Gjermaninë. Kjo pikëpamje është gjithashtu e përhapur edhe tek demokratët. Në të vërtetë, kundërshtimi ndaj “Nord Stream 2”, ishte politika kryesore e administratës Obama.

Narrativa e një marrëveshje ruso-gjermane, rezonon me disa anëtarë të BE-së. Për shembull, kur u ndërtua gazsjellësi “Nord Stream”, ministri i atëhershëm polak i Mbrojtjes Radek Sikorski e quajti atë një pakt të ri “Molotov-Ribentrop”, duke cituar traktatin famëkeq, me të cilin Gjermania naziste dhe Rusia staliniste, përgatitën aneksimin e tyre të përbashkët dhe shkatërrimin e Polonisë në vitin 1939.

Por kjo pikëpamje është e gabuar. Tregtia energjitike, nuk i jep Rusisë ndonjë mekanizëm të rëndësishëm ndikimi, mbi vendimet politike të Gjermanisë. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë këtë realitet, do të jetë shumë më e vështirë të ruhet ajo që mbetet nga aleanca transatlantike, të merret me Rusinë, dhe të administrojë marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Europian.

Rusia nuk mund ta detyrojë Gjermaninë t’i bindet, duke i imponuar një embargo të naftës. Gjermania mund të zëvendësojë furnizimet ruse me naftës me një lehtësi relative, pasi sot nafta shitet kryesisht në një treg global që dikton çmimet.

Sa i përket gazit natyror, Rusia e ka përdorur vërtet strukturën e saj të gazsjellësve, për t’i detyruar fqinjët e saj post-sovjetikë, t’i binden linjës politike të Moskës. Në rastin më të dukshëm, Rusia ndërpreu furnizimin me gaz të Ukrainës në vitin 2009, duke shkaktuar probleme të rënda ekonomike për fqinjin e vet, dhe duke e detyruar atë të nënshkruajë kontrata furnizuese të dëmshme, t’i marrë lëshime mëdha me vendosjen e trupave rsue në Sevastopol, si dhe ndaj politikës së NATO-s të Ukrainës.

Por Rusia, nuk mund të përdorë gazsjellësin si një armë politike kundër Gjermanisë. Dhe kjo është për 4 arsye themelore. Së pari, pjesa e importeve të Rusisë në portofolin e përgjithshëm të energjisë në Gjermani, është e vogël. Gjermania blen rreth 40 përqind të gazit të saj nga Rusia. Veçanërisht, përqindja e furnizimit të Polonisë dhe të shteteve baltike, e tejkalon atë të Gjermanisë, dhe asnjë prej këtyre vendeve, nuk ka ndonjë qasje veçanërisht miqësore ndaj Rusisë. Për më tepër, gazi përbën vetëm rreth një të katërtën e energjisë gjermane. Me fjalë të tjera, vetëm 10 për qind e energjisë që përdor Gjermania përbëhet nga gazi rus.

Së dyti, që të mund të përdorë gazin si një mekanizëm presioni, Moska do të duhet të reduktojë furnizimet ndaj të gjitha shteteve anëtare të BE-së, dhe jo vetëm Gjermanisë. Kjo për shkak se Brukseli ka ndërmarrë hapa thelbësorë, për të bashkuar tregun e energjisë në Europë. Këto masa, janë hartuar posaçërisht për t’u shpëtuar manipulimeve energjetike të Rusisë.

Parimi “përça dhe sundo” nuk është një opsion. Berlini është shumë i vetëdijshëm për këtë – dhe po kështu është edhe Moska. I pyetur mbi pohimin e Trump, se Rusia kontrollon Gjermaninë nëpërmjet energjisë, Maksim Braterski, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Shkollën e Lartë Ekonomike të Moskës, një nga institucionet kryesore kërkimore në vend, thjesht u përgjigj me një “jo” të prerë.

Së treti, ndërprerja e furnizimit me gaz do të dëmtonte Rusinë, shumë më tepër sesa Gjermaninë. Shitjet e gazit në Evropë, të cilat përbëjnë rreth tre të katërtat e eksporteve të përgjithshme të gazit ruas, janë bazamenti ekonomik i vendit. Shpërndarja e fitimeve nga tregtia e gazit, ruan paqen brenda elitës ruse.

Të ardhurat e gazit, mundësojnë shpenzimet sociale bujare, për të mbajtur popullatën nën kontroll; ato financojnë mediat shtetërore, aparatin e sigurisë dhe forcat e fuqishme ushtarake të Rusisë. Alternativat e të ardhurave të gazit, për momentin nuk shihen gjëkundi.

Korrupsioni masiv pengon rritjen e tregut, dhe shoqëria ruse po përballet ende me çmime të ulëta botërore të karburanteve fosile dhe sanksionet ndërkombëtare. Dhe kjo nuk do të ndryshojë në të ardhmen e parashikueshme.

Së fundmi, dhe ndoshta më e rëndësishmja, veprimet e Gjermanisë flasin zëshëm kundër pohimit të Trump mbi fuqinë e Rusisë. Gjermania, pavarësisht se Rusia ishte një nga partnerët më të mëdha tregtare, ishte nxitësja kryesore e zbatimit të sanksioneve të BE-së, kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, dhe ndihmoi separatistët në Ukrainë.

Gjermania, ishte e gatshme të paguante një kosto të lartë, për dërgimin e një sinjali të fortë në Moskë. Tregtia ruso-gjermane, ka rënë me gati një të katërtën në të njëjtin vit. Që nga ajo kohë, sanksionet janë ripërtërirë herë pas here, meqë Berlini është një forcë e madhe në bashkimin e konsensusit të nevojshëm politik.

Nuk ishte Merkel, por Trump që pyeste publikisht se çfarë arsye kishte për t’u grindur me Rusinë. Politika gjermane e mbrojtjes dhe ajo e NATO-s, nuk kontrollohen nga Rusia. Në fakt, Gjermania është një nga kontribueset kryesore në operacionin e Pranisë së Forcuar të Forcave Pararojë të NATO-s në Poloni dhe Baltik. Ky operacion, është etiketuar nga Putini si “destabilizues”. 

Nëse jo për shkak të kontrollit rus, atëherë pse shpenzimet ushtarake gjermane janë në nivele aq të ulëta? Shumëkush ka cituar traditën e kuptueshme të vendit, për preferimin e mjeteve ekonomike dhe diplomatike, ndaj atyre të luftës. Pasuria e Gjermanisë, i lejon asaj t’i përdorë këto masa paqësore me një sukses të madh.

Por ka edhe më shumë sesa kaq:Gjermania thjesht nuk i frikësohet Rusisë. Ajo i druhej Moskës, vetëm kur ajo komandonte burimet e një superfuqie, me shumicën e forcave të fuqishme luftarake të ushtrisë sovjetike të vendosura drejt Berlinit, dhe në kufirin perëndimor gjerman.

Tani forcat e Moskës janë të largëta, me vendet e tjera që bllokojnë rrugën.

Njëherazi, Rusia është e angazhuar në operacione të kushtueshme në Ukrainë dhe Siri, dhe shpenzimet e saj të mbrojtjes mezi janë mbi atë të Gjermanisë, e lëre më pastaj në krahasim me Francën dhe Britaninë. Gjermania, s’ka nevojë për mbrojtjen e SHBA-së kundër agresionit rus.

Ndaj, ministri i jashtëm gjerman Heiko Mas, në përgjigje të deklaratave të Trump, deklaroi hapur se “ne nuk jemi robër as të Rusisë, dhe as të Shteteve të Bashkuara”. 

Qytetarët gjermanë bien dakord me këtë. Në një sondazh të fundit të “YouGov”, gjermanët deklaruan se e shihnin Trumpin si një kërcënim më të madh për paqen botërore sesa Putin – me një diferencë prej pothuajse 50 përqind. Gjermania, së bashku me Rusinë, kundërshtuan Shtetet e Bashkuara mbi luftën në Irak në vitin 2003.

Por Gjermania po ashtu, kundërshtoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, dhe iu bashkua Shteteve të Bashkuara në vitin 2014. Në të dyja rastet, Berlini peshoi opsionet e veta, dhe veproi sipas asaj që pa se ishte interesi i vet më i mirë. E njëjta gjë vlen edhe për politikën energjitike të Gjermanisë. Asnjë realist nuk duhet të jetë habitur.

Shënim: Jonas J. Driedger, është një analist i politikës gjermane në Institutin e Universitetit Europian në Firence, Itali. / “National Interest”, Bota.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *