• |
ide | kryesore

Protesta e gjyshërve për mbesën që humbi jetën në aksident: Duam drejtësi, u vra një fëmijë!

Lajme, Të fundit

Azmi dhe Lumturie Metohu kërkojnë drejtësi për aksidentin e ndodhur në muajin qershor në Kurjan të Roskovecit, me pasojë vdekjen e mbesës së tyre 5-vjeçare.

Ata shprehen në studion e lajmeve të Fax News se janë të zhgënjyer nga shteti, dhe se janë manipuluar të gjitha provat e ekspertizës së aksidentit të mbesës së tyre.

Sot ata janë nisur drejt Tiranës me shpresën e vetme, që të paktën Prokuroria ne Përgjithshme do të ketë një hetim të pavarur për aksidentin, ndryshe nga ajo në Fier që thonë se ka marrë para.

Gjyshërit thonë se personi që ka aksidentuar për vdekje mbesën e tyre ka qenë i dehur në momentin e përplasjes, dhe çështja është mbyllur me dollarët që ai ka sjellë prej SHBA-ve, ku ishte vendosur prej tre vitesh.

‘’Jemi të zhgënjyer nga Prokuroria e Rrethit Fier. Na është bërë një padrejtësi e madhe, dhe tashmë nuk na presin më në prokurori. Mungon procesverbali i kqyrjes së automjetit, mungon deklarimi i personave që kanë qenë dëshmitarë. Ne nuk na intereson burgu i atij personi.

Ne duam që të ketë drejtësi dhe rasti jonë të mos përsëritet te fëmijë të tjerë. Ne jemi betuar mbi varrin e mbesës që sa të kemi frymë do të kërkojmë drejtësinë. Familjarët e drejtuesit të mjetit na kanë ardhur në banesë, i kam pritur, dhe u kam thënë se unë nuk do të marr hak. I kam pranuar në shtëpi dhe në varrim.

Për kë të vuaj më parë unë, për mbesën që e varrosëm, apo për djalin që vuan kur i kalon krimineli te këmbët thotë që do e vrasë, të bëhemi dhe ne vrasës si ai i them? Shteti merr ekspertë privat, pse ka vdekur shteti që duhet të merret privat? Është hedhur lëkë, është hedhur para, ai që bëri aksidentin jetonte në Amerikë, dhe dollari mbuloi gjakun e vajzës.

Ne kemi bërë një kërkesë për protestë në Policinë e Fierit, dhe do ta vazhdojmë derisa të dalë e vërteta. Vajza ishte në derën e lokalit dhe te vijat e bardha, ndërsa makina ka qenë me shpejtësi shumë të madhe, jo 20 kilometra sa thuhet në ekspertizën e prokurorisë.

Kërkoj përmes emisionit tuaj që të ketë ekspertë nga Tirana dhe një përfaqësues nga prokuroria e përgjithshme, dhe të bëhet riekspertiza e këtij aksidenti.

Eksperti rrugor Ilir Balliu në bashkëpunim me prokurorin Hysen kanë vendosur të marrin ekspert privat Artur Sulçen, që për mua i ka bërë këto letra nga tavolina e rakisë. Jemi shumë të ofenduar nga shteti, pasi na e vranë mbesën për herë të dytë. U vra një fëmijë i pafajshëm, nuk u vra një zog”, shprehen dy gjyshërit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu