• |
ide | kryesore

CNN/ Trump shpërtheu ndaj Macron: BE më e keqe se Kina

F1, Planet



Presidenti amerikan, Donald Trump i ka folur shumë ashpër homologut të tij francez Emmanuel Macron gjatë takimit të tyre dyplaësh të hënën në mbrëmje, sipas një burimi të lartë diplomatik.

Trump kritikoi Bashkimin Evropian për politikat e saj tregtare, duke thënë se ajo ishte më e keqe se Kina. Këtë ankesë, presidenti amerikan ia ka bërë Emmanuel Macron-it edhe në një takim në Shtëpinë e Bardhë në muajin prill.

Burimi përshkroi se Trump nuk i pëlqente tregtia me Bashkimin Europian. Sipas presidentit amerikan, BE duhet të ishte më e hapur për bujqësinë, një pikë që është bërë mollë sherri për të dy palët gjatë negociatave tregtare.

Macron i kishte folur homologut amerikan me respekt dhe e kundërshtoi në disa pika.

Sipas këtij burimi, raportet që kishin më përpara dy presidentët nuk janë më të njëjtat.

Donald Trump dhe Emmanuel Macron folën gjithashtu për Iranin dhe Korenë e Veriut, ku Trump shprehu pikëpamjet e tij tepër të parashikueshme, shprehet burimi.

Ditën tjetër, Macron qortoi Trump në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke kritikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë administratën për politikat e saj ndaj Iranit, ndryshimet klimatike, OKB-në, migracionin dhe paqen në Lindjen e Mesme.

Macron filloi fjalimin duke i thënë Asamblesë se rendi botëror i bazuar në sovranitetin dhe barazinë mes kombeve që u krijuan në vitet 1600 u përball me një “krizë të gjerë”, dhe tha se përgjigjja ishte në bashkëpunimin mes kombeve.

“Nacionalizmi gjithmonë çon në humbje”, tha Macron, i cili i shtroi vërejtjet e tij në kontekstin historik të luftërave botërore të Europës.

“Nëse mungon guximi për të mbrojtur parimet themelore, rendi ndërkombëtar bëhet i brishtë dhe kjo mund të çojë, siç e kemi parë tashmë dy herë, në luftëra botërore. Ne e pamë atë me sytë tanë”. 

Për tregtinë, Macron deklaroi, “Marrëveshjet dypalëshe dhe proteksionizimet e reja nuk do të funksionojnë”. 

Presidenti francez nuk i ka mbajtur të fshehta mosmarrëveshjet e tij me presidentin amerikan. Në prill, gjatë vizitës së parë shtetërore të Macronit si president në Shtetet e Bashkuara, ai kundërshtoi Donald Trump në disa fronte në një fjalim para Kongresit.

“Nuk ka planet B,” i tha Macron ligjvënësve amerikanë, duke iu referuar vendimit të Trump për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e klimës së Parisit.

Vizita e Macron në Shtëpinë e Bardhë në prill gjithashtu përfshinte përpjekjet për të bindur Trump që të mos tërhiqej nga marrëveshja me Iranin, marrëveshje nga e cila SHBA doli, pasi Trump njoftoi vendimin e tij në muajin maj.

Para se të fillonin të shfaqeshin të çarat në marrëdhënien e tyre, Macron ishte quajtur nga disa vëzhgues si “Pëshpëritësi i Trump”, pasi të dy dukeshin se kishin formuar një lidhje të ngushtë gjatë vizitës së Trump në Paris vitin e kaluar.

CNN, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *