• |
ide | kryesore

Dëshmia e re/ “Habilaj i bleu bizhuteritë, tha se mbrohej nga një person i rëndësishëm”

Kryesore, Lajme



Detaje  të reja janë bërë publike nga mediat italiane, lidhur me bandën e Habialjave, ndërsa është zbardhur dëshmia e një prej blerësve të drogës që vinte nga Shqipëria, Antonio Riela.

Nga burgu, 47-vjeçari ka deklaruar para oficerëve se Moisi Habilaj mbrohej një person i rëndësishëm në vendin tonë.

Mediat italiane shkruajnë se “Antonio Riela, i lindur në Catania 47 vjet më parë, akuzohet se është një prej blerësve të drogës si dhe ka marrëdhënie të ngushta me trafikantin e drogës dhe shefin e dyshuar Moisi Habilaj, kushëririn e ish-ministrit të brendshëm shqiptar Saimir Tahiri. Riela përfundoi në burg në tetor 2017 dhe tani, pas disa muajsh, shfaqet përmbajtja e raportit të tij”. 

Ndërkohë sa u takon pyetjeve që i janë bërë lidhur me akuzat për të, ai është shprehur se nuk dëshioron të flasë, ashtu si kundër nuk pranoi as të zbulonte emrin e pronarit të një depoje në Gravina di Catania, ku ai fshehu drogën.

“Historia e Riela zbulon detajet e udhëtimit të marihuanës nga deti ose mbulimi institucional që do të kishte përfituar ky grup”, shkruajnë mediat italiane.

“Moisi (Habilaj, ed), më siguroi duke më thënë se ai ishte i mbrojtur si një person i rëndësishëm në Shqipëri, ai i cili e ka lejuar që të eksportojë këto ngarkesa të mëdha të marihuanës,” ka thënë gjatë dëshmisë së tij Reila.

Më tej ai ka folur dhe për blerjen e bizhuterive nga ana e Moisiut që do të dërgoheshin në Shqipëri.

“Unë e shoqërova Moisiun tek një tregtar që qëndron prapa gjykatës së Katania, me një kryq në një derë. Unë nuk hyra, por e di se bizhuteritë do të niseshin për në Shqipëri dhe për këtë u blenë. Ishte dhjetor i vitit 2013”, është shprehur ai.

Në përgjimet ambientale të zbardhura të Policisë Italiane Moisi Habilaj deklaron se i ka blerë bashkëshortes dhe mamasë së Saimir Tahirit nga një byzylyk që kushtojnë mbi 2000 euro, rreth 4000 euro në total. Këto dy elementë, që u kërkuan edhe në shtëpinë e ish-Ministrit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri, si lidhje mes deklaratave të Habilajve, nuk u gjetën.

Në Itali, u pyetën nga Prokuroria e Katanias pronarët e dyqanit për të cilin flisnin Habilaj dhe miku i tij Sabaudin Çelaj, se kishin blerë këto byzylykë. Kompanisë ‘DONINI Jewellery’ iu hapën regjistrat e faturave të prera të shitjeve për të gjetur byzylykët e pretenduar të blerë në përgjime.

“Ekzaminimi i dokumenteve të sipërpërmendur dha rezultate negative, çka do të thotë se nuk ka pasur operacione të hyrjeve në kasë në periudhën me interes për hetimin, lidhur me blerjen e dy byzylykëve nga Moisi Habilaj” – thuhej në dosjen hetimore të Prokurorisë së Katanias.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *