• |
ide | kryesore

Gjykata kushtetuese mbetet pa kryetar, hapet gara

Lajme, Të fundit



Është hapur procedura e aplikimit për vendin bosh në Gjykatën Kushtetuese prej Kuvendit të Shqipërisë. Ish-kryetari Bashkim Dedja, u shkarkua pas procesit të Vettingut.

Sikurse thuhet në njoftimin zyrtar, synohet plotësimi i “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z.Bashkim Dedja”.

Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:  të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;  të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;  të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;  të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:  të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;  të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;  të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të: vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë; kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike; ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës; informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm: Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant; Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail); Fotokopje të kartës së identitetit; Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.  Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 23 janar 2019 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:

Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *