• |
ide | kryesore

Vjedhja në bazën ushtarake të Pashalimanit, 5 punonjës për ndjekje penale

Lajme, Të fundit



Në lidhje me grabitjen e ndodhur në bazën Ushtarake të Pashalimanit, reagon Shtabi i Forcave të Armatosura.
Përmes një deklarate thuhet se ka nisur hetimi në bashkëpunim me prokurorinë e Vlorës dhe Policinë e Shtetit.

Ndërsa 5 persona po ndiqen penalisht për shkelje të rregullave të shërbimit.

Reagimi i plotë:

Një ngjarje e shëmtuar është regjistruar ditën e djeshme në Bazën Detare të Pashalimanit, ku është dëmtuar një depo armatimi.

Që prej momentit të parë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes të gjitha strukturave të tij vartëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, Policinë e Shtetit nisi zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, brenda Bazës së Pashalimanit.

Policia Ushtarake referoi dokumentet për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të 5 personave: “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.

Hetimi administrativ i nisur nga SHPFA po vijon dhe po merren të gjitha masat, që çdo person përgjegjës të ndëshkohet për çdo veprim apo mosveprim të tij, sipas ligjeve në fuqi.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dënon aktin por në të njëjtën kohë siguron se, ky rast sporadik, nuk ka dëmtuar sigurinë, gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare.

Theksojmë edhe një herë se, papërgjegjshmëria e ndonjë individi, qofshin ata efektivë të FA, nuk mund të njollosë figurën, modelin e përkushtuar dhe sakrificën e efektivëve të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Një sasi armësh, kryesisht pushkë automatike “Model 56” dhe një sasi granatash kanë rezultuar se mungojnë nga baza ushtarake e Pashalimanit.

Një burim pranë Degës së Policisë Ushtarake Vlorë, që kërkoi të mbetej anonim, thotë se armët ishin konstatuar të zhdukura gjatë një inventari rutinë para se një nga anijet e bazës të nisej për patrullim në Egje, ku merr pjesë në mision të NATO-s për refugjatët.

Burimi thotë se të paktën pesë punonjës të bazës që kishin detyrë ruajtjen dhe kontrollin e armatimit janë marrë në pyetje, por ende nuk ka pasur një referim në prokurori të rastit. Mungesën e një referimi në prokurori për zhdukjen e armëve e konfirmoi edhe prokurori i Vlorës Ardian Ylli.

BIRN mësoi se të paktën tre armë automatike rezultuan që mungonin nga inventari, por shifra nuk është përfundimtare ndërsa hetimet vijojnë.

Vjedhja eshtë konstatuar mëngjesin e së enjtes 10 Janar, ndërsa disa grupe inspektimi të ministrisë së Mbrojtjes kanë punuar në ambjetet e bazës deri në orët e para të mëngjesit për të inventarizuar armët dhe saktësuar numrin e armatimeve të vjedhura.

Burimi tha se vjedhja e armëve nga baza e Pashalimanit konsiderohej një cënim i rëndë i sigurisë së bazës, hyrja dhe dalje prej të cilës kontrollohet në disa pika të ndryshme.

Pashalimani, bazë e vjetër ushtarake e famshme për 4 nëndetëset që u morën nga Bashkimi Sovjektik në vitet 50’, konsiderohet si një nga bazat më të rëndësishme ushtarake në vend megjithëse larg lavdisë së pretenduar gjatë viteve të diktaturës.

Në bazë janë dislokuar 3 nga 4 anije e rojes bregdetare që zotërohen tani nga flota e ushtrisë shqiptare. Anijet kryejnë patrullime të herëpashershme në Egje si pjesë e NATO-së kundër trafikut ilegal të refugjatëve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *