• |
ide | kryesore

Ku eksporton më shumë Shqipëria? Nga Italia, Kosova, Spanja…

Lajme, Të fundit
porti.jpg



Italia ka mbetur destinacioni kryesor i eksporteve shqiptare edhe në vitin 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, te shteti përtej detit u shitën mallra e produkte me vlerë 150 miliardë lekë, ose gati 1.2 miliardë euro, me një rritje të lehtë prej 2% në krahasim me vitin e mëparshëm. Italia është absolutisht partneri më kryesor i Shqipërisë për eksportet, teksa në 2018-n, ka pritur 48% të totalit.

Tekstilet dhe këpucët janë produkti kryesor që shkon drejt Italiasë, kryesisht në formën e rieksporteve, që punojnë me sistemin fason (regjimi i materialit të porositësit). Italia pret rreth 70% të tekstileve nuk pritet të ketë një vit të mbarë në 2019-n. Prej vitesh sektori nuk po arrin të diversifikohet dhe të shkëputet nga varësia nga tregu italian, duke e lënë atë të prekshëm nga zhvillimet në tregun fqinjë.

Destinacioni i dytë është Kosova, në të njëjtin pozicion si vitin e kaluar,duke pritur 8.7% të totalit të eksporteve. Drejt Kosovës eksportuam mallra me vlerë prej 27 miliardë lekësh, me një zgjerim të ndjeshëm prej gati 30% në raport me 2017-n. Eksporti i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit zuri 50 për qind të peshës së eksporteve duke shënuar rritjen më të madhe në raport me grupet e tjera, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit të kompanisë së përpunimit të metaleve, Kurum, e ka ka Kosovën destinacionin kryesor të eksporteve.

Gjithashtu rritje e fortë u vu re edhe në eksportin e mineraleve dhe lëndëve djegëse me 29 për qind. Ky është grupi i dytë, me vlerën më të madhe të eksportit në Kosovë dhe dominohet kryesisht nga shitjet e naftës. Ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë pohuan se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën.

Në vend të tretë në 2018-n është Spanja, i njëjti pozicion me një vit më parë. Drejt Spanjës u eksportuan 24.1 miliardë lekë mallra (7.8% e totalit të eksporteve), me një rritje të ndjeshme prej 61% dhe më të lartën në vlerë absolute. Produkti kryesor që eksportohet në Spanjë është nafta, pasi Bankers Petroleum e ka si destinacion kryesor Spanjën. Në peshë të vogël janë eksportet e këpucëve, kryesisht për nënkontraktorët fason që punojnë për grupin e njohur spanjoll, Zara.

Në vend të katërt ka kaluar Gjermania, duke i zënë vendin Greqisë. Drejt Gjermanisë u eksportuan 13.4 miliardë lekë, me një zgjerim vjetore prej rreth 24%. Kompanitë që prodhojnë sisteme kabllore për tregun gjerman kanë ndikuar në këtë performancë pozitive.

Në vend të pestë ka kaluar Greqia, e cila dikur ka qenë partneri i dytë i Shqipërisë, pas Italisë. Eksportet u rritën me 13% në 11.1 miliardë lekë. Që pas krizës greke që rrezikoi daljen e shtetit helen nga euro, kompanitë shqiptare, sidomos ato fason, filluan të kërkonin tregje të tjera eksportesh.

Në rritje të fortë ishin dhe eksportet drejt SHBA-së, me 55% dhe Zvicrës me 120%, por duke u nisur gjithsesi nga një bazë e ulët, duke zënë një peshë të papërfillshme në totalin e eksporteve. Të gjitha shtetet kanë parë rritje të eksporteve shqiptare, me përjashtim të Kinës, që shënoi një rënie prej 32%. /monitor



1 Comment

  1. “Ku eksporton më shumë Shqipëria? Nga Italia, Kosova, Spanja…”

    Kush eshte ai analfabet qe shkruan keshtu…?!

    Nuk thuhet NGA por DREJT ….!!

    Nga thuhet ne rast importi, ndërsa per export thuhet DREJT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *