• |
ide | kryesore

Atentati ndaj Arben Bilalit, merret në pyetje i ‘forti’ i fisit të njohur në Tiranë

Kryesore, Lajme



Tirana u trondit sot nga vrasja në një atentat mafioz e ish-policit Arben Bilali. 50-vjeçari u qëllua për vdekje në zonën e Selitës nga dy persona të cilët lëviznin me një automjet tip ‘Benz’ model’CLS’ ngjyrë e zezë. Lapsi.al mëson se makina ishte me targa të falsifikuara. Kamerat e sigurisë pranë zonës së ‘Vasil Shantos’ kanë fiksuar lëvizjet e makinës, por dy autorët nuk kanë dalë nga automjeti për asnjë cast.

Burime nga grupi hetimor për këtë ngjarje i thanë Lapsi.al se policia ka shoqëruar një prej person nga një fis i njohur në Tiranë. Me këtë fis ish-polici ka patur një histori hakmarrjeje. 30-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, po merret në pyetje nga policia, por jo si autori i krimit, thjesht si një person që mund të ketë dijeni për ngjarjen.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ish-polici të jetë ekzekutuar edhe për ndonjë konflikt tjetër të mundshëm që nuk lidhej me historinë e tij të hakmarrjes së vjetër. Autorët e krimit janë vrasës me pagesë. Ata e kanë ndjekur për disa ditë viktimën, kan studiuar lëvizjet e tij dhe sot gjetën momentin e ekzekutimit. Nisur prej plumbave të shumtë të marra në trup, dyshohet se viktima ka qenë duke ecur, ndonëse skena e vrasjes nuk është krijuar ende. Lapsi.al mësohet se ish-polici ka patur armë me vete, por nuk e ka përdorur.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja, të cilat grupi hetimor mendon mund t’i përdorë për të kuptuar më tej atë që ka ndodhur, gjithashtu pritet të bëhet dhe identifikimi i makinës. Policia po punon për ndërtimin e një identikiti të vrasësve, nisur nga përshkrimet e dëshmitarëve. Bashkëshortja e 50-vjeçarit të vrarë është efektive policie, me rol drejtues në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 14:35, ndërsa Arben Bilali ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve. 50-vjeçarit i është bërë atentat edhe në maj të vitit 2010. Në gusht të atij viti, atij iu vra i vëllai pikërisht në të njëjtin vend ku sot u ekzekutua edhe vetë.

©LAPSI.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *