• |
ide | kryesore

Vrasja në ‘Bllok’, Ervin Mata i kërkon prokurorisë të japë versionin e tij të ngjarjes

Lajme, Të fundit



Ervin Mata, një prej personave të përfshirë në konfliktin e përgjakshëm të 4 tetorit të vitit të kaluar në zonën e ish-bllokut, i është drejtuar prokurorinë se Tiranës me një memo, përmes të cilës kërkon të japë shpjegime për ngjarjen, ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.

Memoja iu është dorëzuar dy prokurorëve të çështjes, nga avokati mbrojtës, Alban Bengasi, pasi Mata, ndaj të cilit rëndon akuza e vrasjes kryer në bashkëpunim, nuk ka dhënë deri më tani shpjegime për ngjarjen.

Burime nga prokuroria thanë se e kanë administruar kërkesën e Matës dhe javën e ardhshme ai do të thirret për të dhënë versionin e tij për krimin, ku viktimë mbeti Fabian Gaxha, dhe u plagosën Ervis Martinaj e miku i tij Elio Hato. Ervin Mata, i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, u lirua nga gjykata vetëm nën masën e detyrimit të paraqitjes.

Vendimi i shkallës së parë është apeluar nga Prokuroria, e cila kërkon kthimin në burg të biznesmenit.

Sipas institucionit të akuzës, gjykata nuk i ka vlerësuar drejt provat dhe faktet duke caktuar një masë sigurie, që nuk i përgjigjet rëndësisë së ngjarjes. I dyshuari Mata u vetëdorëzua në polici, pesë muaj pas ngjarjes së rëndë. Sikurse edhe të dyshuarit e tjerë, edhe ai u lirua nga gjykata, shkruan News 24.

Për momentin në burg, mbahet vetëm Ervis Martinaj, ndërsa vijon të jetë në arrati komando Meviol Bilo, i cili dyshohet se qëlloi në drejtim të Fabian Gaxhës, në momentin kur ky i fundit nxori armën dhe qëlloi në mes të lokal Monopol. Motiv i krimit, dyshohet të jetë një ngacmim verbal që iu bë jashtë ambienteve të lokalit, të fejuarës së Matës, këngëtares Elvana Gjata.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *