Teksa ekonomia shqiptare është në trend rritës pasuria financiare e familjeve shqiptare në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit ka pësuar rënie.
Bilanci i familjeve shqiptare publikuar për herë të parë nga Banka e Shqipërisë tregon se pasuria neto e familjeve shqiptare në raport me PBB-në ka pësuar rënie pas vitit 2014. Ndërsa gjatë vitit 2017 shihet që pasuria neto e familjeve shqiptare të ketë rënë edhe në vlera neto.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë pasuria neto financiare e familjeve shqiptare në vitin 2014 ishte sa 113 për qind e PBB-së, në vitin 2017 ajo ishte vetëm 100 % e PBB-së.
Për vitin 2017, pasuria financiare neto e ekonomive familjare vlerësohet në 1557.9 miliardë lekë, nga 1,587.4 miliardë lekë në vitin 2016, me rënie vjetore 2% ose 220 milionë euro më pak.
Gjithsesi familjet janë të vetmet në ekonominë e përgjithshme me bilanc pozitive në raport me biznesin dhe qeverinë, bilancet e të cilave anojnë nga borxhet. Familjet zotërojnë 33% të totalit të kursimeve financiare të brendshme.
Ndërsa detyrimet financiare të sektorit të ekonomive familjare vlerësohen në 205.9 miliardë lekë, në rritje prej 11.9 miliardë lekësh (ose 6%) referuar një viti më parë. Huatë mbajnë peshën kryesore në totalin e detyrimeve financiare të këtij sektori (95% të totalit).
Në fund të 2017, stoku i huave shënon rreth 195 miliardë lekë, nga 183 miliardë lekë në vitin 2016. Në terma maturiteti, huatë afatshkurtra ranë me 0.3 miliardë lekë, ndërkohë huatë afatgjata, të cilat përbejnë 95% të totalit të huave të ekonomive familjare, u rritën me 12 miliardë lekë ose 7%. Llogari të tjera të pagueshme, në fund të vitit 2017, shënon vlerën e 10.9 miliardë lekëve, duke ruajtur kështu pothuajse të njëjtin nivel të një viti më parë./Monitor
SKENI PARE GJE AKOMA . SHFAROSNI MAVITE DHE SIDOMOS PALLOSHIN E GJATE SE NDRYSHE AFRIKA NA PRET.