• |
ide | kryesore

Dekreti i Metës në tryezën e Kolegjit Zgjedhor, sot vendimi për 30 qershorin

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kolegji Zgjedhor do të mblidhet ditën e sotme për të vendosur për vlefshmërinë e datës 30 qershor si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore apo jo.

Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Ridvan Hado, Tomor Skreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja u vu në lëvizje pas një kërkese ankimore nga Partia Uniteti Kombëtar, e cila kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet për organet për qeverisjet vendore, me argumentin se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë një dekret që anulonte 30 qershorin.

Ky dekret i Presidentit mori formë ligjore në momentin që u botua në Fletoren Zyrtare dhe Partia Uniteti Kombëtar përfitoi duke kërkuar çregjistrimin nga zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte hallka e parë që shqyrtoi këtë kërkesë. Ata rrëzuan Partinë Uniteti Kombëtar me argumentin se Kodi Zgjedhor nuk parashikonte çregjistrimin në këtë fazë të procesit.

Vetë KQZ-ja më herët kishte rrëzuar edhe vetë dekretin e Presidentit, duke theksuar se ai është nul dhe nuk sjell pasoja juridike. Por Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, cilido qoftë ai, pak efekt pritet që të ketë në zbutjen e krizës politike, pasi palët qëndrojnë edhe më të përforcuara në qëndrimet e tyre për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

PËRPLASJA

Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit në lidhje me dekretin e Presidentit Ilir Meta, që sipas Presidencës dhe opozitës anulon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, pak peshë pritet të ketë në zgjidhjen e krizës politike.

Presidenti Meta thotë se dekreti i nxjerrë prej tij mund të shqyrtohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të zbatohet nga të gjithë dhe ka paralajmëruar institucionet dhe personat që nuk i binden me pasoja ligjore. Të njëjtin mendim me Metën ndan edhe koalicioni opozitar, që në përpjekje për të ndalur maxhorancën nga zhvillimi i procesit, ka aktivizuar protesta në bashkitë e kontrolluara prej tij kundër KZAZ-ve.

Por maxhoranca e cilëson antikushtetues dekretin e Metës, për rrjedhojë me efekt nul ligjor. Si kundërpërgjigje, socialistët rrëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dekretin presidencial, ndërkohë që në Parlament kanë nisur procedurat e shkarkimit të Presidentit me arsyetimin e “shkeljeve të rënda të Kushtetutës”. Historia e anulimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit u paraqit nga ky i fundit si një mundësi për të ulur aktorët politikë për të gjetur një zgjidhje për kapërcimin e krizës politike, në të cilën ndodhet vendi. Por ky vendim i Presidentit duket se acaroi më shumë situatën politike dhe palët u polarizuan më shumë në qëndrimet e tyre radikale për sa i përket 30 qershorit.

Ndonëse vendimi i Kolegjit në vetvete merr në shqyrtim një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendosja për pranimin e ankimit të subjektit politik Partia Uniteti Kombëtar përkthehet në rrëzimin e pretendimit të maxhorancës, e cila këmbëngul se dekreti i Presidentit është i pavlefshëm. Marrja e një vendimi tjetër do të sillte rritjen e kapitalit politik për Partinë Socialiste, e cila është e vendosur për të shkuar në 30 qershor për zgjedhje vendore. /panorama



3 Comments

  1. O bib katnari ja firmose tani kujdes se po ta fut rama apo nje cop katnari je Ai ja futi blushit nga tirana dhe me origjin nga korca he se harrova eshte dhe shkrimtar

  2. Interesante eshte qe po e trajtojne si akt te se drejtes civile, duke goditur pasojen dhe jo eksluzivisht aktin. Edhe ne qofte se gjykata nuk ja pranon padine Idajetit, nuk do te rezultoje me anulimin e dekretit. Sipas juristeve ne proces administrativ mund te goditet vete akti per pavleshmeri absolute( ne ndryshim nga procesi civil), por i bie qe keta me qellim kane zgjedhur kete rruge, qe si do te jete vendimi i te mos rezultoje as ne pranimin e dekretit me pasoje ndalimin e krejt procesit dhe as ne shfuqizimin e dekretit. Ne keto kushte eshte intresante te shohim cfare do te ndodhe, nese Presidenti nxjerr nje dekret tjeter me date per zhvillimin e zgjedhjeve, para se te krijohet Gjykata Kushtetuese. KQZ prap do ta trajtoje si nul, por spiralja e krizes do te hapet nga e para dhe do behet shume i rendesishem per t’u kapur Kolegji.

  3. gjyqtarja majlinda sinani eshte gruaja e mynyr sinanit nje prej hajduteve me te medhenje te albpetrolit ,e cila nuk ka bere akoma vetingun dhe nuk i dihet sa para ka ,keshtu qe kjo eshte ne xhepin e rames.keshtu si kjo eshte edhe artur malaj e treshja tjeter .vendimin e shpalli qe dje edvin banda dhe nuk ka ca te pritet tjeter .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *