• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Kosovë/ Dalin rezultatet përfundimtare, Vetëvendosja siguron 32 deputetë, LDK-ja 29

Lajme, Të fundit



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve qendrore të parakohshme që u mbajtën në Kosovë.

Forca politike fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar 32 vende në Parlament, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që do të ketë 29 legjislatorë. Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të përfaqësohet nga 25 deputetë dhe koalicioni AAK – PSD nga 14 deputetë. Nga minoritetet, Lista Serbe, që drejtohet nga Beogradi zyrtar, do të ketë 10 deputetë.

Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate me Alancën Kosova e Re dhe PD-ja, nuk kanë mundur të kalojnë pragun elektoral prej 5 % dhe do të mbeten përfundimisht jashtë Kuvendit.

Në faqen zyrtare të KQZ-së, janë publikuar emrat dhe numri i votave që ka marrë secili prej kandidatëve për deputet.

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit erdhën si rezultat i dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, pas ftesës për të dëshmuar në Hagë si një nga eksponentët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pjesërisht edhe si pasojë e krisjeve në koalicionin AAK-PDK-Nisma.

Këto zgjedhje u panë si të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht lidhur me çështjen e tarifës 100 % ndaj mallrave serbe dhe për rivendosjen e dialogut me Serbinë, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimin evropian të tyre.

Albin Kurti, kandidati më i votuar është vetëshpallur për postin e kryeministrit, ndërkohë që vijojnë negociatat me LDK-në për krijimin e qeverisë së re. @Lapsi.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *