• |
ide | kryesore

Pasi u rrëmbye Harun Çelik, turku Selami Simsek kërkon azil: Në Turqi më rrezikohet jeta

Arkiva, Lajme, Të fundit

Frika se mos pëson të njëjtin fat si Harun Celik, i cili u rrëmbye nga shërbimi sekret turk në Tiranë, ka bërë që një tjetër shtetas turk që ndodhet në vendin tonë të kërkojë azil politik në Shqipëri. Eshtë fjala për shtetasin Selami Simsek.

“Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur, për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i Lëvizjes Gulen, dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem veprimeve keqtrajtuese”, shkruan Simseku në letrën drejtuar Zyrës shqiptare të Emigracionit.

Simseku është arrestuar në të njëjtën ditë me Harun Çelik, mësuesin e dëbuar nga Shqipëria pak javë më parë, në përpjekje për të udhëtuar me vizë false, tranzit, nga Rinasi drejt Kanadasë. Mirëpo çështja e tyre është ndarë.

Harun Çeliku u dënua me 5 muaj burg në Shqipëri dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik. Duket se ky ishte akt tolerimi i qeverisë shqiptare për t’i shërbyer Erdoganit, i cili e konsideron si terroriste lëvizjen e Gylen. Në 13 janar 2020, gjykata pranoi gjykim të shkurtuar për Simsekun. Seanca e radhës do të zhvillohet me 27 janar.

Avokati i Çelikut, Alban Bengasi tha se nuk i është komunikuar ende zyrtarisht procedura që ndoqi shteti shqiptar për dëbimin e Çelikut, më 1 janar drejt Turqisë. Bengasi tha se për këtë i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme informacione zyrtare. Me të mbërritur në Turqi, Harun Çelik u përball me akuzat e pjesëmarrjes në organizatën e Gülen dhe u arrestua.

Mediat turke e raportuan si operacion të shërbimeve sekrete turke, ndërsa deri më sot autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë shpjegim.

Vendimi i shtetit shqiptar për dëbimin e Çelikut është quajtur nga Këshilli i Europës si shkelje e të drejtave të njeriut. Eurodeputetja rumune, Ramona Strugariu, po ashtu, i ka kërkuar shtetit shqiptar të bëjë transparent procedurat që u ndoqën për dërgimin e Çelikut në Turqi.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu