• |
ide | kryesore

KE propozon hapjen e kufijve për Ballkanin më 1 korrik

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Komisioni Europian ka rekomanduar që nga 1 korriku të hapen kufijtë e jashtëm të unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për shkak të situatës më të mirë epidemiologjike, komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johanson, udhëzoi të enjten vendet anëtare të heqin kufizimet për udhëtime me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë.

Nga vendet e rajonit, Serbia raporton deri tani numrin më të lartë, rreth 12 mijë të infektuar me koronavirus, ndjekur nga Maqedonia e Veriut mbi 3,500 dhe Bosnjë-Hercegovina, më pak se 3 mijë.

“Udhëtimet ndërkombëtare janë kyç për turizmin dhe bizneset, për rilidhjet familjare dhe miqësore. Megjithëse të gjithë duhet të tregojmë kujdes, ka ardhur koha të bëjmë përgatitje konkrete për heqjen e kufizimeve me vendet që kanë situatë shëndetësore të ngjashme me BE-në.”

Brukseli shpalosi edhe planin për heqjen e kontrolleve kufitare brenda unionit më 15 qershor.

Mes tjerash është kërkuar që pas 1 korrikut të aplikohen masa lehtësuese për studentët edhe punëtorët sezonalë.

Rekomandimi për 27 vendet e BE-së vjen në kohën kur qeveritë europiane lehtësojnë masat për mospërhapjen e koronavirusit dhe tentojnë të nisin sezonin turistik tani afër kulmin të vet.

Gjermania një ditë më parë informoi se do vazhdojë të aplikojë ndalimkufizim të udhëtimeve me shtetet jashtë Bashkimit Europian deri më 31 gusht, por vendimi do të konsultohet në varësi të situatës epidemiologjike të secilit vend.

Për shkak të rrezikut të ulët epidemik, Shqipëria dhe vendet e rajonit mund të përjashtohen nga lista bllokuese.

Kontinenti europian aktualisht numëron rreth gjysmën e jetëve të humbura nga Covid-19 në botë, apo më shumë se 180 mijë viktima, teksa numri i bartësve të koronavirusit ka kaluar shifrën 2 milionë dhe dëmet në ekonomi dhe industrinë e turizmit sa vijnë e shtohen.

Organi ekzekutiv i BE-së thotë se është ende herët të vendosë për heqjen e plotë të kufizimeve për pasagjerët jashtë unionit, ndaj qasja e koordinuar është zgjidhja më e duhur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *