• |
ide | kryesore

Darka “mbresëlënëse” për Grenell në Beograd dhe një shpjegim i Vuçiç për dashurinë e serbëve ndaj Trump

Arkiva, Kryesore, Lajme



Një darkë “mbresëlënëse” e quajti Richard Grenell, atë që delegacioni amerikan kaloi në Beograd me krerët e shtetit serb në 22 shtator. Ushqim i zgjedhur për miqtë amerikanë dhe në sfond, violina tenton melodinë e “Take Me Home, Country Roads” të Xhon Denver .

I impresionuar, Grenell shpërndaë në Twitter filmimet me mesazhin “serbë dhe amerikanë në Beograd duke kënduar për Alabamën dhe Virxhinian Perëndimore, është një natë mbresëlënëse”. 30 vite pasi amerikanët bombarduan Beogradin për genocidin në Kosovë, një mikpritje e tillë i lë të habitur.

Ulur përballë Grenell në tryezë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Bërnabiç. I pari, mund të rikthejë në mendje ballkanasve shërbimet ndaj Millosheviçit apo shprehjen “vrisni një serb dhe ne do të vrasim 100 myslimanë”. E dyta, jo shumë kohë më parë, i quajti shqiptarët “njerëz që vijnë nga mali”. Por për Riçard Grenell, “simbolika as nuk paguan kreditë, as nuk sjell ushqim në tryezë”, biznesi po. Dhe amerikanët janë aty për biznes. Në Beograd, delegacioni premtoi investime me vlerë 3.7 miliard dollarë, pasi kishte premtuar projekte me vlerë 1 miliard dollarë në Prishtinë.

MIRëNJOHJE SERBE PER GRENELL

Por mirënjohja serbe për Grenell nuk kufizohet thjesht tek paratë që ai sjell me vete. Në një intervistë për portalin “thepavlovictoday”, para se të firmoste marrëveshjen e 4 Shtatorit, në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiç rrëfeu mes të tjerash çfarë i kishte pëlqyer tek mënyrat e Grenell.

“Më lejo të jem pragmatist dhe t’i përgjigjem pyetjes tënde shumë thjesht”, – i thotë presidenti serb gazetares, duke shpjeguar sa më qartë atë që ka ndodhur në negociatat me amerikanët. “Kur ne negociojmë me Shqiptarët, qoftë përmes Bashkimit Europian, qoftë përmes Amerikanëve, Shqiptarët kërkojnë gjithnjë një mënyrë për të arritur tek pavarësia e Kosovës. Mua më pëlqyen idetë e administratës Trump, propozimet e Riçard Grenellit për ekonominë, dhe ajo çfarë nënshkruam. Fatkeqësisht tani janë Shqiptarët që duket se nuk e kanë me nxitim ta zbatojnë marrëveshjen. As atë për fluturimet, as të tjerat”.

PSE SERBET DUAN NJE MANDAT TJETER PëR DONALD TRUMP

Ndërsa organizonin takimin në Shtëpinë e Bardhë, amerikanët u kujdesën ta theksojnë fort se marrëveshja e 4 shtatorit kishte në fokus thjesht dhe vetëm ekonominë, por Vuçiç nuk ngurron të shpjegojë se ka më shumë në këto përpjekje. Në intervistën e gjatë për portalin “thepavlovictoday”, para se të firmoste marrëveshjen në prani të Donald Trump, presidenti serb nuk e fshehte entuziazmin, se përse dhe si, sipas tij, ka ndryshuar qasja amerikane përkundrejt Serbisë.

Vuçiç ia dedikon ekskluzivisht Donald Trumpit erën e re që fryn mes amerikanëve dhe serbëve, kur u pyet si kanë ndryshuar ato me hyrjen e tij në Shtëpinë e Bardhë: “Do ta demonstroj këtë me shembullin e Trump. Popujt nga e gjithë bota, përfshirë edhe disa serbë, mendonin se serbët i urrejnë amerikanët. Mbërritja e Trump tregoi se serbët nuk i urrenin vërtet amerikanët. Ata thjesht po kërkonin për dikë në Shtetet e Bashkuara që nuk do të ishte absolutisht kundër tyre. Asgjë më shumë. Serbët kanë simpati për Trump pikërisht sepse e kuptojnë se ai nuk është veçantërisht kundër tyre. Dhe kjo bën kuptim. Serbët kurrë nuk i kanë urryer amerikanët. Ata ishin në kërkim të arsyes më të parë për të treguar respektin dhe ndjenjat që kanë përkundrejt amerikanëve. Këtë shans e gjetën tek Trump, që nuk bëri deklarata kundër serbëve apo që nuk bëri asgjë kundër vendit tonë. Trump nuk ka bërë asgjë kundër vendit tonë. Në një moment kur 90% e njerëzve në botë lavdërojnë vetëm Bajden- dhe unë kam një marrëdhenie shume të mirë me Bajden- dhe jam i sigurtë për këtë: nuk do të ishte keq për Serbinë nëse Trump do t’i fitonte zgjedhjet sërish” thotë Aleksandër Vuçiç.

Gazetarja i kujton se hera e fundit që një president amerikan ka vizituar Serbinë është në 1980, kur Xhimi Karter e bëri këtë. Vuçiç nuk i përmban emocionet kur pyetet për mundësinë e vizitës së Trump në Beograd: Këtë nuk mund ta di me siguri. Trump është lideri i fuqisë më të madhe në botë. Është shumë e rëndësishme për mua të mbaj kontakte të mira me njerëzit e tij. Dua që Trump ta vizitojë Serbinë. Kjo është dëshira ime dhe shpresa ime. Këtë po e them hapur tani. Dua t’i përmirësoj marrëdhëniet serbo-amerikane, sepse kjo është jetësore për Serbinë. Gjithnjë kam menduar se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve nuk do të ishte kundër interesave amerikane, dhe është me shumë rëndësi për vendin tonë.

BIDEN DHE TRUMP, SHQIPTARE DHE SERBE

Ndërsa nuk e fsheh dëshirën për fitoren e Trump, presidenti serb nuk fsheh as rezervat për fitoren e Bajden. Gazetarja i kujton kritikat e Bajden, se administrata Trump, “nuk po e kupton që po e keqmenaxhon situatën duke mos bashkëpunuar me BE”. Këtu Vuçiç, kujton të shkuarën e Bajden, rolin e tij në bombardimin e Serbisë dhe faktin që sipas tij, Bajden ka një axhendë të vetën për Kosovën.

“Mendoj se Bajden e kuptoj situatën në Kosovë. Ai e njeh shumë mirë. Por besoj se ka një arsye tjetër, dhe kjo është ajo që Bajden, të cilin unë e njoh shumë mirë dhe me të cilin jam takuar tre apo katër herë, ka axhendën e tij. Ai ka qenë pjesë e gjithçkaje ka ndodhur në Kosovë, dhe ajo është trashëgimi e tyre politike. Ata duan t’i përmbushin plotësisht politikat e tyre, njësoj siç ka bërë në të shkuarën Medlin Ollbrajt dhe të tjerët. Ndaj ishte shumë e rëndësishme të kishte ndryshime specifike në Shtëpinë e Bardhë, para së gjithash për të pasur një qasje më të hapur ndaj Kosovës. Pikërisht aty ku Trump dhe ndjekësit e tij kanë pasur një qasje më të hapur dhe kanë treguar, që ai është i interesuar të dëgjojë atë që unë kam për të thënë. Nuk mund të them se ramë dakort për gjithçka me Grenell, por të paktën patëm mundësi të prezantojmë idetë dhe planet tona dhe nuk ishim të detyruar të flisnim sipas një mënyre që i intereson veç amerikanëve. Për këtë i jam mirënjohës presidentit Trump”.

KUNDERVENIA E GJERMANISE PER NDARJEN E KOSOVES

Për Bashkimin Europian, qëndrimet e Vuçiç nuk janë po aq dashamirëse sa kur flitet për Trump. Prishja e planeve për ndarjen e Kosovës e bën të dyzuar përkundrejt europianëve. Dhe BE për Vuçiç është vetëm Gjermania, sepse BE sipas tij “ndryshoi rrënjësisht me daljen e Britanisë së Madhe. De facto nuk ka më ekuilibër në BE. Njerëzit e thonë rrallë këtë. Sot, ka vetëm një fuqi të madhe në Bashkimin Europian dhe kjo është Gjermania”.

Ka qenë pikërisht kjo e fundit që ka prishur planin e Serbisë për ndarjen e Kosovës. I pyetur për deklaratën e Bolton për një marrëveshje që dy vendet mund ta gjenin vetë, presidenti serb nuk e fsheh irritimin.

“Kur fola për demarkacion mes serbëve dhe shqiptarëve, mendova se ishte një qasje shumë racionale. Do tju kujtoj se çfarë thashë atëherë, që Serbisë do t’i kërkohet të bëjë një lëshim shumë të madh, në këmbim të asgjëje. Pastaj, e gjithë bota më kërceu mbi kokë. Nuk e kuptonin çfarë kurajoje duhej ta thoje atë gjë. Sot e kuptoj pse e bënë. Sepse duan që Serbia të mos marrë asgjë, përgjithmonë. Unë i thashë: Ballkani për ballkanasit o njerëz, na lini të flasim, na lini të biem dakort. Por nuk donin të na lejonin të bënim një marrëveshje” thotë Vuçiç.

“Brenda natës më quajtën dictator, autocrat. Brenda natës.E pabesueshme” thotë Vuçiç kur kujton planin për ndarjen e Kosovës, për të cilin merr përsipër të gjithë përgjegjësinë, duke vazhduar: Kjo ndodhi sepse unë guxova të prishja skemën e tyre të vendimmarrjes për çdo problem, që më parë e kishin mbajtur Serbinë të lidhur në litar. Kjo skemë është e ngjashme me “teatrin e kukullave të kombeve të vogla”, që ata e menaxhojnë prej dekadash, dhe ku gjithkush duhet t’u bindet. Prishja e kësaj skeme ishte faji im. Jam krenar që isha fajtor. Do të mbetet në histori. Isha i vetmi që i dola kundër planeve paracaktuese të vendeve perëndimore. Sot që nuk po flasim më për këtë gjë (ndarjen e Kosovës) do të doja të shihja, se si do të arrijnë tek një zgjidhje. Thjesht po pres, të shoh se si do të arrijnë ata tek një zgjidhje dhe se çfarë do t’i propozojnë Serbisë që Serbia ta pranojë. Ende nuk e kam dëgjuar. Nuk më ka thënë askush asgjë. Nuk e kuptoj çfarë plani kanë”

4 vite më parë, kur Edi Rama u pyet për opsionin e fitores së Donald Trump si President të Shteteve të Bashkuara, në mes të fushatës elektorale në SHBA, ai përdori ofshamën “God forbid” (Mos e dhëntë Zoti!) për të shprehur atë që as nuk donte ta mendonte asokohe. Deklarata e atëhershme e Ramës u konsiderua antikombëtare, një gafë, naive, e panevojshme etj etj. Në fund të mandatit të parë të Trump, nuk mund të thuhet se politika e administratës amerikane përkundrejt shqiptarëve ka ndryshuar, por me sa duket nga revanshi i presidentit serb Vuçiç, qasja e amerikanëve ka ndryshuar katërcipërisht ndaj Serbisë.©Lapsi.al



9 Comments

  1. Ja kjo eshte politike qe i ndihmon serbet te marrin fonde dhe te ndryshojne imazhin etyre duke u viktimizuar ndersa politikanet palaco shqiptar po i ulin vendet e tyre poshte e me poshte dhe nderkohe u kapardisen njeri tjetrit. Mos i pelqejme serbet por jepu hakun jane me te zgjuar se shqiptaret.

  2. Rindërtimi i skenës së minutave të fundit, dialogu i Berishës me Hajdarin në zyrën e tij për herë të fundit, dëshmia e Genc Pollos që e përcolli në korridor, telefonata e një miku të familjes së Berishës, B. Daja, që e ka nxjerrë Azemin në rrugë për t’u përballur në pritën e zjarrit, me porosi të Berishës, janë pika kyçe, që kërkojnë një proces rihetimi dhe rigjykimi, nisur nga motivi pse u vra Azem Hajdari.

  3. Marveshjet me gjasme sfond ekonomik kane qellime terresisht politike. Shba e trampit do qe te largoj ndikimin rus dhe kinez nga serbia dhe te fus paq kembet ne evrope neprmjet ballkanit. Por per fat te keq tonin kete po ben duke rikthyer Kosoven serish nen influencen kulturore dhe ekonomike te Serbise. E thene troç shbase i duhet serbia dhe jo se i plas shume per shqipetaret e kosoven. Fakti qe rrezuan menjeher Albinin flet qarte. Te gjithe te tjeret perfshi dhe Haradinaj iu nenshtruan presionit dhe ulen koken duke e pranuar kete poshterim.

    1. ska lidhje soros ketu mos genje me veten me konspiracion. i gjith ky plan esht mbeshtetur nga trump. a ishte trump kunder soros?
      sorosi ka vite qe e ka lene skenen e ndikimit politik.

  4. Deshtim totali i politikes te shqiptareve te Kosoves ne radhe te pare dhe te Edi Rames. Serbet duhen pergezuar. Qytetaret e Kosoves duhen te ndergjegjesohen se duke votuar, katunarin e tyre, fisin e tyre, mikun e tyre ata thjesht do humbasin gjithashka. Kosova urgjentisht duhet te shkoje ne zgjedhje, ne te kunderten po luajne keqas e qorrash me fatin e tyre.

  5. O Astrit, nuk behet vendi me hajdute, kriminela, perdhunues lindur nga incesti ne bunkera komunistesh gjakprishur. Qelbistani vendi ku nuk pati kurre drejtesi

  6. Analize e qarte!
    Personalisht mendoj se per momentin vetem investimet e premtuara mund te bashkojne 2 kombe ende ne lufte diplomatike.
    Gjithsesi Gjermania eshte ende aty, ne brendesi te ceshtjes, dhe Trump e di mire kete.
    Cfaredo cowboy te dergoje ne Serbi e Kosove, ai e di se nuk mund ta beje pa miratimin e BE, dmth te Gjermanise!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *