• |
ide | kryesore

Qeveria e Kosovës konfirmon takimin e së enjtes në Bruksel me delegacionin e Serbisë

Lajme, Të fundit

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se të enjten në Bruksel, delegacionet në nivel ekspertësh të Kosovës dhe Serbisë, do të takohen pas më shumë se një muaji pauzë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.


“Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje”, thuhet një njoftimin e Qeverisë së Kosovës.


Në dialogun në nivel ekspertësh, Kosova përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, ndërkaq Serbia nga Marko Gjuriq.

Takimi i së enjtes, që do të mbahet me ftesë të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, vjen një muaj prej kur u takua palët për herë të fundit.

Ky takim, që fillimisht ishte paraparë të zhvillohej në fund të muajt shtator, ishte shtyrë për shkak të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit si dhe për shkak të pengesave të paraqitura rreth temave në dialog, për të cilat palët nuk ishin dakord.

Tema e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është parë si pengesë për zhvillimin e raundeve të reja të negociatave, qoftë në nivel ekspertësh apo të nivelit të lartë.

Serbia insiston që kjo temë të jetë prioritet në bisedime, por Kosova refuzon të bisedojë për të.

Raundi i fundit i bisedimeve në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është zhvilluar më 7 shtator, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu