• |
ide | kryesore

Ish-drejtori i Albpetrol fiton dëmshpërblim rekord prej 49 milion lekësh

-Instant, Lajme, Të fundit



Marjus Isufaj, ish-drejtori i Qendrës së Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos në varësi të Albpetrol-it dhe familja e tij është dëmshpërblyer me një shifër rekord prej 49.3 milionë lekësh nga Gjykata e Fierit për shkarkimin nga detyra.

Isufaj kishte përfituar më herët edhe një dëmshpërblim prej 21 pagash mujore me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës në korrik 2020, pasi kjo e fundit rrëzoi ankimin e Albpetrol që pretendonte se shkarkimi ishte i ligjshëm.

Isufaj pretendoi para gjykatës se shkarkimi i tij kishte ardhur për shkak të bindjeve të tij politike si përfaqësues i LSI-së dhe se diskriminimi i kishte shkaktuar stres dhe probleme nervore.

Gjyqtari Ergys Selmani i dha atij të drejtë në katër seanca, duke pranuar të gjitha kërkesat e Isufajt. Gjykata urdhëroi gjithashtu ekzekutimin e përkohshëm të padisë, duke i mundësuar ish-drejtorit të marrë dëmshpërblimin pa pritur vendimin e formës së prerë. Albpetrol po ashtu detyrohet të paguajë edhe mbi 1 milionë lekë për mbrojtësit e Isufajt.

Në padinë e dorëzuar në gjykatë, Isufaj ka pretenduar se ishte diskriminuar pas zgjedhjeve të vitit 2017, pasi kishte qenë i angazhuar me LSI. Aty referohet si provë se pas fushatës elektorale në verë të 2017 dhe deri në shkarkimin e tij në vjeshtën e vitit 2019, ai ishte mënjanuar dhe trajtuar në mënyrë të diferencuar.

Gjykata përmend si fakt vendimin e Apelit të Vlorës, se shkarkimi kishte qenë i paligjshëm dhe disa ekspertiza nga psikologë që thonë se Isufajt dhe të afërmit e tij, prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët kishin pësuar dëm moral dhe vuajnë nga depresioni apo stresi post-traumatik pas shkarkimit të tij nga puna.

“Sipas gjykatës, diskriminimi dhe përjetimi i tij emocianal bënë që atij t’i shfaqej sëmundja e rëndë e “çrregullimit depresiv,” thuhet në vendim.

Kompania publike Albpetrol sh.a, i ka kundërshtuar kërkesat dhe ka pretenduar se shkarkimi kishte qenë i ligjshëm dhe se Isufaj nuk i ishte nënshtruar ndonjë diskriminimi për arsye politike. Por gjykata arsyeton se ky pretendim nuk qëndronte dhe vendos si argument faktin se me gjithë përvojën, atij nuk i ishte dhënë një vend tjetër pune dhe se posti që ai kishte mbajtur ishte “ricikluar”.

Në fund, Gjykata vendosi të dëmshpërblejë me 17 milionë lekë Isufajn për diskriminim dhe problemet e shkaktuara nga shkarkimi prej punës dhe me nga 4 milionë lekë dy prindërit e tij, bashkëshorten dhe fëmijët. Në vendim nuk është e qartë se si është përllogaritur masa e dëmshpërblimit, e cila është e njëjtë me shumën e kërkuar nga paditësi./Reporter.al



4 Comments

  1. ahahha.. kjo esht e forte fare.

    Ky gjyqtari eshte ne hetim nga Sapku qe nga korriku i 2020 per korrupsjon ne shuma te medha.
    Tani siduket e ndjen se laku po i ngushtohet shume dhe i jep nje demshperblim nje personi i cili pasi mori 22 rroga mujore dhe 17 miljon lek demshperblim per pushim te paligjshem nga puna , i jep dhe 490 miljon te tjera lek nga Albetroli. Bile Edhe nga 40 miljon lek prinderve dhe gruas dhe femijeve sepse shkarkimi nga puna i paska shkaktuar stres psikologjik shushunjes se LSIs.

    1. Ka edhe keta te PS-se qe vazhdojne te kerkojne leket qe fituan nga gjyqet kunder administrates qe ne 2005..Pune gjyqetaresh..Jam kurioz kush do ishte pozicioni ekuivalent per kete ne albpetrol..nejse Shtet hesapi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *