• |
ide | kryesore

U konfirmua në detyrë nga KPK, ONM kërkon rivlerësim për gjyqtaren

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Operacioni Ndërkombëtar i Monotorimit (ONM) ka kërkuar ankimim të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë Rilinda Selimin, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Konfirmimi I KPK për gjyqtaren Selimi u bë më datë 14 dhjetor 2020, ndërsa sot e bëri publike vendimin për Komisionerëve Publikë.

Kjo ka sjellë që ONM të kërkojë rivlerësim të gjyqtares në të tre kriteret, atë të pasurisë, figurës personale dhe asaj profesionale, duke ankimuar procesin te Komisionerët Publik që ai ta dërgojë për rishqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar gjatë një dekade si gjyqtare në Gjykatën e Fierit.

Në vitin 2010, ajo u transferua në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 punon si gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Njoftimi i Institucionit të Komisionerëve Publikë:

Në datën 14.12.2020, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Rilinda Selimi, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Vendimi nr. 325, datë 14.12.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 28.1.2021.

Po sot, më datë 28.1.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të tria kriteret e rivlerësimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *