Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të pushtetit të Kremlinit, Aleksei Navalny, ka fluturuar me avion nga Rusia për në Gjermani.
Lajmi fillimisht u raportua nga agjencia e lajmeve Interfax, që ka cituar një burim të saj.
Alexei Navalny u dërgua në Gjermani verën e kaluar pasi u helmua në Siberi me atë që shumë vende perëndimore thanë se ishte një agjent nervor shumë i rrezikshëm, shkruajnë mediat e huaja.
Navalny ndodhet tashmë në burg, pasi u arrestua në aeroport në momentin që u kthye nga shteti gjerman.
Edhe gruaja e Navalnyt u arrestua nga autoritetet ruse gjatë protestave në mbështetje të liderit opozitar, por u lirua pak orë më vonë.
Theksojmë se rreth 2300 mbështetës të tij janë arrestuar gjatë protestave të mbajtura kundër regjimit të Kremlinit.
Navalnyt tashmë i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë pas rikthimit në atdhe nga Gjermania, ku ishte duke u shëruar me rastin e helmimit me nervin Novichok.