• |
ide | kryesore

Goditet në Durrës grupi i trafikut të tritolit C4, tre persona në pranga (VIDEO)

Arkiva, Lajme, Të fundit

Policia e Shtetit ka vënë në pranga tre persona të cilët akuzohen për veprimtari të ndryshme kriminale. Ndër të tjera në kuadër të operacionit të koduar “Binomi”, është bërë i mundur sekuestrimi i 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.


Njoftimi i plotë:


Finalizohet operacioni policor i koduar “Binomi”. Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive dhe të armëmbajtjes pa leje. Vihen në pranga 3 persona që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Sekuestrohen 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”;
Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;
2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;
3 granata dore luftarake;
4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”. Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak. Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu